Ministrja e Financave rrëfehet për herë të parë: E nisa si gazetare e “Koha Jonë”
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj ka folur sot për herë të parë në emisionin “Dritare me Rudinën” në News24. Denaj ka rrëfyer se ka punuar fillimisht si gazetare e ekonomisë te gazeta “Koha Jonë”. Ministrja është shprehur gjithashtu se la profesionin e gazetares për të punuar si analiste kredie në një bankë të nivelit të dytë në Durrës.
Rudina Xhunga: Anila Denaj, gazetare e ekonomisë te Koha Jonë në -95 ikën jashtë dhe i lë të gjitha për një trajnim. Çfarë ishte për ty ajo kohë?
Unë bëra edhe një hap tjetër. Në ’97-ën, hapet dega e parë e FEFAD-it, në Durrës dhe në dhjetor të ’97-ës, që nuk është një vit për të marrë iniciativa të tilla ku largësia edhe nga familja kishte rreziqe sociale, unë e marr këtë rrezik përsipër, me mbështetjen e familjes sime, që ka qenë gjithmonë aty. Iki në Durrës, jetoj aty dy vjet, dhe drejtoj degën e bankës, dhe kjo ka qenë eksperienca e parë me drejtimin, me të punuarit si drejtuese, që nuk ishe vetëm përgjegjëse për portofolin tënd, të kredisë, klientëve e tu, por ishte edhe për të gjithë rezultatet e një njësie. Në një kontekst edhe më të rëndësishëm, banka ka edhe elemente të tjerë, të sigurisë. Ne trajnoheshim shumë dhe Procrediti ka qenë një nga institucionet që na trajnonte më shumë sesa çdo institucion tjetër dhe nuk e bënim këtë duke mësuar, e bënim sepse trajnoheshim mirë. Por në ato dy vjet në Durrës, markova hapin tim të parë si drejtuese, edhe duke jetuar në Durrës, sepse në atë kohë nuk ishte kjo lehtësi transporti. Jetova në një shtëpi me qira, kështu që më krijoi edhe një hapësirë tjetër nga ana sociale, për të përballuar edhe disa vështirësi që i ndjeva më vonë, kur fillova rrugën si konsulente internacionale, dhe mbi të gjitha vetminë, sepse të jesh drejtuese është shumë bukur. Nuk harroj drejtuesi im i parë gjerman ka thënë një shprehje, kur unë mora hapin për t’u bërë drejtoreshe: “Je e sigurt që do të hysh në këtë rrugë, sepse sa më lart të shkosh aq më vetëm do të jesh.” Kur ballafaqohesh me distancën fizike nga njerëzit e afër, duke filluar nga Durrësi në atë kohë dhe rrugëtimi që bëra në botë, janë të dyja, je lart në pozitë, po ke, shumë vështirësi të tjera dhe njeriu duhet t’i faktorizojë të gjitha.
Rudina Xhunga: Kështu që je mësuar tani?
Anila Denaj: Asnjë punë nuk i ngjan tjetrës, dhe asnjë përgjegjësi tjetrës. Kështu që nuk mund të thotë asnjëri se je mësuar. Kuptohet që krijon një farë eksperience, di se nga fillohet si, ndërtohet. Unë jam ballafaquar me shumë pozicione drejtimi në disa vende të ndryshme. Dhe kam parë që nganjëherë nuk të mjafton të dish vetëm nga ana teknike, por të duhet edhe të akomodohesh në shumë aspekte të tjera, lokale.
Të qenit në Shqipëri, si drejtuese, mbas kësaj eksperience internacionale, më tregoi se, në vendin tënd, duke folur gjënë tënde, duke njohur mentalitetin e vendit tënd, është më e lehtë.
(fragment nga intervista)