Ministrja e Kulturës: Godina e re e Teatrit do ketë dhe funksione të tjera (kulla dhe objekte tregtare)

Ministrja e Kulturës Elva Margariti, ka shtuar dyshimet se pranë Teatrit të Ri mund të ndërtohen kulla dhe objekte të tjera për qëllime private biznesi. Ajo u shpreh sot se duhet të ketë gërshetim funksionesh dhe se godina nuk mund të përdoret vetëm si teatër.

Ajo tha se në një qytet nuk mund të shihen të ndara zhvillimet e qytetit. “Asnjëherë nuk mund të shihen të ndara zhvillimet e një qyteti dhe pa një gërshetim funksionesh. Do të ishte e gabuar të mos e vishnim me funksione të tjera godinën e teatrit”, tha Margariti, e ftuar në Report Tv.

Ministrja e Kulturës nuk pranoi që të komentonte ndërhyrjen e policies dhe IMT natën për të shembur Teatrin Kombëtar.

“Nuk është në kompetencën time ta gjykoj, është zinxhir organesh dhe procedurat si operohet. Nëse ministria e Kulturës do të ishte mbledhur për të marrë një vendim në 2 të natës do ta diskutonim bashkë, por më duket e pavlerë gjykimi mbi punën” theksoi Margariti.

Edhe dje kryebashkiaku Erion Veliaj nuk e mohoi ndërtimin e kullave, duke thënë se bashkia do vendosë si do ta zhvillojë pronën në krah të Teatrit të Ri.

SHKARKO APP