Ministrja e Shëndetësisë: Vaksinim për studentët e pedagogët edhe në universitete e konvikte
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e shoqëruar nga Rektori i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, prof. Arben Gjata, kanë ndjekur procesin e vaksinimit të studentëve në Qendrën e Vaksinimit në Stadiumin “Air Albania”, ku kanë bërë apel për vaksinimin masiv, si domosdoshmëri për t’u kthyer në auditore. Ministrja Manastirliu tha se gjatë këtij muaji fokusi është për vaksinimin e mësuesve, pedagogëve dhe studentëve, ndërsa bëri me dije se me fillimin e shkollës, procesi i vaksinimit do të bëhet edhe në universitete dhe konvikte.
“Kryesisht jemi duke punuar me qendrën e qytetit “Studenti” edhe për të gjithë ata student, të cilët do të jenë regjistruar dhe që do të shkojnë edhe nëpër konvikte, është e nevojshme që patjetër të jenë të vaksinuar. Por nga ana tjetër edhe për të gjithë studentët tashmë dihet që vaksinimi është edhe një kusht për të qenë sa më të lirshëm në auditor. Ne kemi vendosur që me të filluar edhe shkollat, të spostohemi edhe në universitete, në secilin prej universiteteve, sipas një kalendari që është duke organizuar Njësia Vendore e Tiranës, por nga ana tjetër dhe Njësitë Vendore në të gjitha rrethet ku ka universitete do të mundemi pra që ne të jemi në çdo universitet, në çdo fakultet për të bërë vaksinimin për të gjithë ato studentë apo edhe pedagogë që ende nuk e kanë bërë”, bëri me dije Manastirliu.