Ministrja Gjosha takon ambasadorin rus: Ballkani Perëndimor aspiron BE-në
Ministrja Gjosha, u shpreh se për Shqipërinë procesi i integrimit është prioritet kombëtar dhe vuri theksin tek bashkëpunimi rajonal me të cilin ndahet e njëjta aspiratë.
“Shqipëria luan një rol mjaft pozitiv në rajon duke nxitur bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë. I gjithë Ballkani Perëndimor ka si synim final anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe ne jemi të bindur se duke zbatuar projekte të përbashkëta mundemi të përshpejtojmë këtë përpjekje madhore”, tha Ministrja Gjosha.
Ambasadori rus, vlerësoi procesin e integrimit të Shqipërisë duke nënvizuar se kjo perspektive do të shërbejë në forcimin e mëtejshëm të demokracisë brenda vendit.
“Ky proces ju mundëson rritjen e standardeve të jetesës të qytetarëve tuaj, ndaj ne e vlerësojmë si me mjaft rëndësi, mbi të gjitha përpjekjet tuaja për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”, u shpreh ambasadori rus.
Bashkëbiseduesit nënvizuan se asnjë pikëpamje e ndryshme, nuk mund të pengojë marrëdhëniet në fushën ekonomike, të cilat duhet të bazohen mbi parimin e të mirës së përbashkët të dy vendeve.
Ambasadori rus, theksoi se Shqipëria ka mjaft potenciale të cilat duhen shfrytëzuar dhe historia e deri tanishme mes dy vendeve ka treguar se mund të thellohen në fusha të tilla si turizmi, energjetika e infraskturktura,e bujqësia.