Ministrja Koçiu në Shtëpinë e Foshnjës “Hanna dhe Rozafa”: Solidaritet dhe bashkëpunim për fëmijët në nevojë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi në këtë ditë feste të Fitër Bajramit, Shtëpinë e Foshnjës “Hanna dhe Rozafa” në Tiranë. Koçiu i falënderoi për përkujdesjen dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për t’u dhuruar këtyre fëmijëve sadopak dashuri prindërore dhe ngrohtësi familjare.

Ministrja theksoi angazhimin e vazhdueshëm të MSHMS-së dhe Shërbimit Social Shtetëror për t’u ardhur në ndihmë dhe mbështetur fëmijët pa kujdes prindëror.

“Shërbimi ynë Social i ka të gjitha kushtet që të mbrojë absolutisht çdo të mitur në Republikën e Shqipërisë dhe t’i ofrojë një rritje të denjë, ashtu si të gjithë moshatarët e tjerë. Për t’ia dalë mbanë, kemi nevojë për solidaritetin dhe bashkëpunimin tuaj. Denonconi çdo rast dhune apo abuzimi, kudo që e verifikoni atë. Edhe në qoftë se nuk ju përket direkt, edhe nëse është fëmija i fqinjit apo një situatë që e shihni në rrugë, le të mos heshtim”, deklaroi Koçiu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu apeloi gjithë qytetarëve: “Le të mos bëhemi bashkëpunëtor me heshtje në këto fenomene që s’kanë asgjë të përbashkët me vlerat e jashtëzakonshme të shoqërisë dhe familjes shqiptare”.

SHKARKO APP