Ministrja Xhaçka në Këshillin e Sigurimit në OKB: Gratë ende dhunohen dhe luftojnë për barazi, 4 pikat që propozojmë
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku mbajti edhe fjalimin e parë, pasi Shqipëria u votua për të qenë anëtare e Këshillit për një mandat 2-vjeçar. Fokusi i diskutimin ka qenë tema ”Gratë, Paqja dhe Siguria”, ku Xhaçka vuri theksin tek sfidat me të cilat gratë vijojnë të përballen edhe në ditët e sotme.
”Gjatë gjithë këtyre viteve një mendim më ka shoqëruar në mënyrë konstante. Si është e mundur që gratë duhet akoma të luftojnë për diçka kaq elementare si barazia, e për të njëjtat të drejta si burrat që janë gjysma tjetër e popullsisë? Është një e vërtetë e trishtuar e historisë, por është gjithashtu një e vërtetë e trishtuar e ditëve dhe epokës tonë që ndërsa burrat aktualisht shkaktojnë pjesën më të madhe të luftimeve, gratë shpesh mbajnë peshën kryesore të tyre. E pamë këtë në Kosovë. Gratë u lanë pas për t’u kujdesur për familjet e tyre, gratë u lanë pas për të mbledhur pjesët e mbetura. Gratë përdhunoheshin, torturoheshin dhe vriteshin si shënjestra të qëllimshme të një fushate kriminale të spastrimit etnik”.
Xhaçka foli më shumë për prioritetin e qeverisë shqiptare sa i përket barazisë gjinore. ”Shqipëria renditet aktualisht ndër 5 qeveritë e para me barazi gjinore të balancuar, me 75% të posteve ministrore të mbajtura nga gratë. Një përqindje e ngjashme e posteve ekzekutive të nivelit të lartë dhe të mesëm, si dhe disa nga postet kryesore më të larta publike”. Po ashtu ministrja tha edhe katër pikat që Shqipëria propozon për mbrojtjen e grave dhe përfqësimin e tyre.
“Së pari, të mbështesim dhe të vëmë në dispozicion burime për organizatat relevante të OKB-së për të ofruar të gjithë mbrojtjen dhe mbështetjen e nevojshme për gratë aktiviste të të drejtave të njeriut, paqendërtueset dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile që janë në rrezik, duke përfshirë ato që kanë informuar Këshillin e Sigurimit ose janë angazhuar në cilësi të tjera me sistemin e OKB-së.
Së dyti, të krijojmë mekanizma financimi fleksibël të afta për të vepruar shpejt dhe për t’u përgjigjur me shpejtësi kur gratë lidere përballen me kërcënime dhe akte ndëshkimore. Krijimi i Dritares së Financimit për Gratë Aktiviste të të Drejtave të Njeriut më herët sot është një zhvillim pozitiv dhe Shqipëria do të japë kontributin e saj për fondin.
Së treti të rrisim fondet për organizatat dhe lëvizjet për të drejtat e grave dhe për organizatat e lëvizjet e te drejtave të grave të udhëhequra nga gratë, në zonat delikate dhe të prekura nga konflikti.
Së katërti, të rrisim llogaridhëniën në lidhje me gratë, paqen dhe sigurinë duke pasur një qasje me tolerancë zero ndaj akteve hakmarrëse kundër grave aktiviste dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut”, përfundoi Xhaçka.