Modeli i sherrit të Tiranës eksportohet në Prishtinë
-Fushata elektorale e Albin Kurtit të Vetëvendosjes dhe Vjosa Osmanit të LDK-së ishte si një pranverë në politikën shqiptare. Imazh i ri politik dhe perëndimor i Vjosa Osmanit, mesazhet e forta të një lideri si Albin Kurti, ishin një kontrast i fortë përballë fushatave bajate me tepsi, timon, çitjane dhe zgjedhjeve pa kundërshtarë që na dhuroi Rilinjda e Edi Ramës në vitin 2019. Përballë zgjedhjeve në Shqipëri, të cilat ngjajnë si festime anadollake dhe dehje pas kryetarëve, fushatat qytetare në Kosovë duken si zgjedhje të një vendi në Bashkimin Europian. Por tani nuk ndejtën dot pa u sëmurë nga “gripi rilindas shqiptar”.
Dy muaj pas zgjedhjeve Kosova ende nuk ka një qeveri dhe negociatat mes partive fituese janë ende larg arritjes së një marrëveshje finale. Kriza politike që sapo është shfaqur në formën e saj më të ashpër në Prishtinë, ngjan si një kopje e sherreve dhe përplasjeve që prodhon në mënyrë të shpeshtë politika grindavece e Tiranës. Mesa duket në vend të një modeli pozitiv, Tirana ka eksportuar në Prishtinë shembullin më të keq të mënyrës sesi duhet nuk duhet të sillet politika dhe liderët e saj. Zhgënjimi për atë që po ndodhë në Prishtinë është i dyfishtë. Nga njëra anë vonesa në krijimin e qeverisë ka kosto të rënda për një shtet të ri që ka çështje emergjente për të zgjidhur. Nga ana tjetër, zhgënjimi bëhet më i madh kur sheh se një pjesë e liderëve problematik dhe të dështuar në Tiranë, kanë “kopjet” e tyre të këqija në shtetin tjetër shqiptar. Kosova, në fillim, i befasoi të gjithë pozitivisht. Kryeministri Ramush Haradinaj, pas padisë së pandershme që ju bë në Hagë, me përgjegjshmërinë e një lideri perëndimor dha dorëheqjen dhe çoi vendin në zgjedhje. Shteti më i ri i Ballkanit zhvilloi fushatën elektorale dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke dhënë një model demokracisë dhe qytetarie që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë, por nuk është parë as në një pjesë të vendeve të rajonit. Brenda një dite, në mënyrën më demokratike qytetarë votuan dhe i dhanë fitoren, me një diferencë të vogël numrash nga LDK-ja, Lëvizjes Vetëvendosje. Për ne që i ndiqnim zgjedhjet pa emocionet politike të atyre që janë në garë si në Kosovë, fushata Albin Kurtit të Vetëvendosjes dhe Vjosa Osmanit të LDK-së ishte si një pranverë në politikën shqiptare. Imazh i ri politik dhe perëndimor i Vjosa Osmanit, mesazhet e forta të një lideri si Albin Kurti, ishin një kontrast i fortë përballë fushatave bajate me tepsi, timon, çitjane dhe zgjedhjeve pa kundërshtarë që na dhuroi Rilinjda e Edi Ramës në vitin 2019. Përballë zgjedhjeve në Shqipëri, të cilat ngjajnë si festime anadollake dhe dehje pas kryetarëve, fushatat qytetare në Kosovë duken si zgjedhje të një vendi në Bashkimin Europian.
Por pas fushatës model, përballja e fituesve të zgjedhjeve me realitetin e pushtetit ka prodhuar shenjat e para që një krizë që rrezikojnë t’a çojnë Kosovën sërish drejt zgjedhjeve të reja. Lëvizja Vetëvendosja, partia e parë që ka fituar shumicën e votave ende nuk ka një marrëveshje finale për të qeverisur me Lidhjen e Demokratike të Kosovës. Në mënyrë të dukshme mosmarrëveshjet nuk janë për parime, por për pushtet dhe postet. Vetëvendosja pretendon se si fitues i takon të diktojë rregullat e lojës dhe për pasojë edhe të caktojë se sa është pjesa e qeverisë që duhet të ketë nën kontroll LDK-ja. Nga ana tjetër, LDK-ja i kujton kreut të Vetëvendosjes se numrat nuk i japin të drejtë të diktojë kushtet. Diferenca e vogël e fituesit me partinë e dytë në opozitë bënë që LDK-ja të kërkojë më shumë sesa gjysmën e kabinetit qeveritar, duke futur në listë dhe postin e Presidentit dhe atë të kryetarit të Kuvendit. Mbledhja e Kuvendit më datën 26 nëntor dhe zgjedhja e njëanshme e kryetarit të Kuvendit nga Vetëvendosje ka shënuar dhe krisjen e parë të partive që kishin rënë dakord vetëm parimisht për të qeverisur bashkë. Tashmë VV dhe LDK duhet të nisin sërish bisedimet për të negociuar gjithçka nga e para. Kushtetuta e Kosovës parashikon që pas mbledhjes së Kuvendit, Presidenti mandaton partinë e parë fituese për të krijuar qeverinë. Albin Kurti dje ka refuzuar dy herë ftesën e presidentit Hashim Thaçi për të marrë mandatin e krijimit të qeverisë. Kurti u justifikua dje se nuk ndodhej në Prishtinë për të marrë mandatin, por shtyrja e detyrimeve nuk do të zgjasë pafund. Pas marrjes së mandatit nga presidenti, Albin Kurti ka 15 ditë afat për të vendosur se me kë dhe si do të qeverisë realisht. Me LDK-në që duket se kërkon gjithnjë e më shumë pushtet dhe një Vetëvendosje që do t’i mbajë të gjitha për vete duket e vështirë që negociatat të mbarojnë shpejt.
Për dreq mësuan nga lojërat e pista të Tiranës!
Mili Xhani