“Moderatorja e Vitit 2021” fiton Arbana Osmani
Si çdo vit, edhe këtë herë, KOHA JONE shpall disa çmime dhe Njeriun e Vitit. Kjo vjen nga tradita e hershme që kjo media ka patur që nga fillimi i saj. Ndërkohë çmimet vijnë si rrjedhojë e votimit online nga dhjetra mijë lexues në mbarë botën shqiptare/REDAKSIA KOHA JONE/
“Moderatorja e Vitit 2021”- Arbana Osmani

Arbana Osmani është padyshim një nga prezantueset më të dashura shqiptare. E talentuar, e përkushtuar dhe mjaft e mprehtë në përzgjedhjet e programeve që merr përsipër të drejtojë, ajo ka arritur të bëjë për vete audiencën shqiptare.
E lindur më 7 maj të vitit 1983, në Maqellarë të Dibrës, Arbana Osmani të dhënat për një të ardhme të suksesshme i ka treguar që në fëmijëri dhe adoleshencë. Kohë kjo kur prezantonte edhe aktivitete të ndryshme kulturore në shkollë.
Arbana Osmani e ka nisur karrierën e saj profesionale në vitin 2000, fillimisht si gazetare e të përjavshmes “Intervista”. Më vonë u angazhua në Top Media, si prezantuese radioje për emisione të tilla si; “Mirëmëngjes Shqipëri”, “Disco Lancio” etj.. Por, hovin më të madh e pati në kohën kur iu besua të moderonte spektaklin televiziv, “Big Brother Albania”. Një patentë e huaj kjo, mjaft e suksesshme, që Arbana arriti ta zotëronte profesionalisht njësoj si koleget e huaja që drejtonin këtë format spektakli në Europë.
Gjithashtu, një tjetër formulë televizive e titulluar, “Dua të të bëj të lumtur” u projektua dhe u realizua me shumë sukses nga Arbana Osmani. Ky emision, që ngërthente rreth vetes çdo të shtunë miliona shqiptarë e bëri Osmanin edhe më të dashur për publikun, duke konfirmuar radhazi suksesin e talentit të saj. Gjithashtu, nëpërmjet këtij emisioni dhe kontributit të sponsorëve, ajo dhe stafi i saj kanë arritur të ndihmojnë shumë familje të varfra në vendin tonë.
Aktualisht, Arbana vazhdon punën e saj me prezantimin e reality show-t më të ndjekur në Shqipëri, “Big Brother Albania”, i cili pasi u ndërpre për një periudhë kohore, u rikthye në ekranin e Top Channel në muajin tetor të këtij viti.
Formati i këtij edicioni erdhi me një formulë ndryshe nga të gjitha edicionet e tjera, pasi në këtë “Big Brother” konkurrentët janë emra të njohur të showbiz-it shqiptar. Shikueshmëria është padiskutim edhe më e lartë se vitet e tjera. Kjo për arsye se banorët e BIG BROTHER janë persona VIP dhe ndiqen nga gjithë fansat e tyre në rrjetet sociale, por edhe sepse prezantimi i Arbana Osmanit dihet tashmë që është shumë i pëlqyer nga teleshikuesit. Kjo edhe për faktin se Osmani ka arritur të krijojë një marrëdhënie të ngushtë me teleshikuesit.
Kujtojmë që, në vitin 2013, pasi Big Brother ndërpreu përkohësisht rrugëtimin televiziv, Osmani iu dedikua programeve të tjera në Radio e Televizion, por njëherësh iu përkushtua edhe një tjetër pasioni. Atij të gatimit dhe botimit të dy librave me receta gatimi nën firmën e saj. Libri rezultoi mjaft i kërkuar në treg.
Sa i përket jetës private, Arbana Osmani është e martuar dhe nënë e dy djemve, Jonit dhe Diellit.
Referuar talentit, seriozitetit dhe përkushtimit profesional, vetë suksesi i saj e shpall atë absolutisht Moderatoren e Vitit 2021.
KOHA JONË SONDAZH

