Moisiu: Ndryshimet e Kodit para zgjedhjeve, OSBE të na ndihmojë
Muaji dhjetor është lene nga ana e komisionit të reformës zgjedhore, si afat i fundit për të bërë ndërhyrjet e nevojshme në Kodin Zgjedhor. Nëse këto ndryshime do të kenë miratimin e maxhorancës dhe opozitës, do të shkohet në zgjedhjet e vitit 2017.
Ish-Presidenti Alfred Moisiu në tryezën e organizuar këtë të premte për reformën zgjedhore, tryezë ku ish-kreu i shtetit ishte vetë nismëtar, kërkoi që t’i jepej fund praktikës së ndryshimeve të Kodit pa u konsultuar mirë.
“Ende nuk e dimë nëse do të kemi në kohë një kod të përshtatshëm. Morëm vesh që do të jetë gati në dhjetor, por ku ka mungesë kohe, bëhen riparime jo të plota të Kodit Zgjedhor. Jemi i vetmi vend që pothuajse para çdo zgjedhjesh jemi marrë me Kodin dhe asnjëherë nuk kemi arritur atë që duhet”, u shpreh Moisiu.
Ish-Presidenti i drejtoi një kërkesë edhe OSBE/ODIHR. “Mos të na bëjnë më verejtje e sugjerime, por të ulen me specialistët tanë e të hartojnë një kod zgjedhor të nivelit europian. S’mund të vazhdohet më që klasa politike të akuzojë njëra-tjetrën”, tha Moisiu.
Në takim marrin pjesë ish-Presidenti Bamir Topi, deputeti socialist Taulant Balla, kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Lefterie Luzi dhe përfaqësues të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë.
KOHA JONË SONDAZH

