Monika Kryemadhi: Dhuna i shton jetën Ramës, por mos të provokojë

Në nisje të marshimit të saj drejt kryeministrisë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është shprehur se, pjesëmarrja në protestë është masive, ndërsa shtoi se sot jemi më evropianë se kurrë. Para gazetarëve Kryemadhi është shprehur se shqiptarët nuk janë viktima, por është kryeministri Edi Rama.

Më tej Kryemadhi u shpreh se shqiptarët nuk e meritojnë të ikin nga vendin, por meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Ne sot në atë shesh me ato qindra dhe mijëra shqiptarë protestojnë dhe për ata socialistë që janë të pamundur të vijnë aty, për policët, për administratën publike që ndihet e kërcënuar, mësuesit e mjekët.

Ne jemi sot për të treguar që jemi qytetarë, që jemi të vendosur në rrugën tonë, që jemi më të vendosur se kurrë. Jemi këtu sepse e duam vendin. Ne sot më shumë se kurrë tregojmë që jemi europianë. Dëshira për të qenë anëtarë të BE është shumë më shumë se çdo flamur politik. Për mua protesta e ka arritur qëllimin e saj. Çdo ditë e më shumë qytetarët shtohen, deklaratat në favor të opozitës shtohen.

Deklaratat qaramane të kryeministrit… Dua të them që të mos vazhdojë të provokojë qytetarët, t’i lërë të protestojnë në mënyrë qytetare dhe të largojë provokatorët. Iu bëj thirrje shqiptarëve të distancohen nga çdo akt dhune sepse viktima nuk është Rama por shqiptarët, ata që kanë ikur. Çdo dhunë që bëjmë i japim pikë Edi Ramës. Ai ka ikur, e mori përgjigjen e tij. Ai e di shumë mirë që ka ikur. Ai e di shumë mirë se dhuna i shton jetën atij. Qëndresa e qytetarëve shqiptarë është goditja më e madhe për Edi Ramën. Sot kjo protestë madhështore, entuziaste është çlirim shpirtëror.

Dialogu ynë është një dialog kombëtar. Ka të bëjë me shqiptarët jo individët”, deklaroi kryetarja e LSI.

Kryemadhi ka dalë në protestë me një parullë të shkruar në bluzën e saj, me mbishkrimin “Here I am”.

SHKARKO APP