Monika Kryemadhi e sigurtë: Mund të themi se Edi Rama është i rrëzuar, po bën karagjozin në media
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi thotë se kryeministri Edi Rama është “i rrëzuar politikisht”, për shkak të situatës së rëndë ku ndodhet qeveria e tij.
Kryemadhi tha se pozicionimi politik dhe ekonomik i Ramës në këto momente është jashtëzakonisht i dobët.
“Ai është shumë i dobët, mund të themi që është i rrëzuar. Për sa i përket situatës politike se ajo e mban një parti në këmbë. Nuk është i fortë, mund të jetë i fortë për të bërë karagjozin në media. Por pozicionimi i tij ekonomik dhe politik është jashtëzakonisht i dobët”, tha Kryemadhi në TvT.
“Për politikë, unë më Ilirin, përsa i përket vendimeve të LSI mbajmë qëndrime komplet të kundërta. Për sa i përket Kodit Penal e kam bërë të qartë, nuk e njoh sepse nuk njoh asnjë vendim të atij Parlamenti që ka vetëm 82 deputetë legjitimë. Njerëzit mund të aludojnë dhe të bëjnë çfarë të duan. Pas çdo aludimi të zotit Rama për zotin Basha dhe zotin Meta vjen gjithmonë kur është shumë keq dhe nuk di çfarë të bëjë. Në vend që shqiptarët të thonë kush e mori rrogën e luftës? Thotë që 59 mijë shqiptarë morën rrogën e luftës, po kush e mori pagën e luftës, I dimë ne emrat, dhe nga sa morën? Pse si bëjnë publike pse si bëjnë transparente? Kush janë bizneset që u ndimuan me grantet nëpër sistemet bankare shqiptare dhe çfarë përfaqësojnë këto biznese. Por do merren a ka dashuri midis Metës edhe Bashës, a ka dashuri midis Ramës dhe Bashës, këto historitë qesharake. Merruni me depresionin ekonomik që do të pushtojë Shqipërinë. Kështu që është humbje kohe dhe mos u merrni shumë dhë ju me këto po merruni investigoni se cdo bëjë Rama dhe sa përqindje e sipërfaqes së gjelbërt është kanabis dhe sa është mbjellje speca dhe domate nga shqiptarët për eksport”, shtoi Kryemadhi.
E pyetur lidhur me Raportin e “Freedom House”, Kryemadhi tha se djegia e mandateve nxorri në pah fasadën që mbizotëronte.
“Unë kam dy vjet e gjysëm, mjafton të kthehemi në kohë, do të shikoni se që në daljet e mia të fundvitit 2017, që te Zëri i Amerikës në nëntor të 2017 e të tjera me radhë, i keni deklaratat e mia, ku unë them që Shqipëria ka një demokracia hibride, që do të thotë është në kufirin e autokracisë dhe drejt diktaturës. Nuk është më demokraci. Nuk ka demokraci në kufi midis autokracisë dhe demokracisë. Është midis autokracisë dhe diktaturës”, tha Kryemadhi.
Intervista
Gjithashtu vlerësohet në këtë raport mjaft dobët sistemi i drejtësisë, që mbetet thembra e Akilit, por edhe liria e medias dhe korrupsioni….
Janë gjëra që ne i kemi theksuar dhe i kemi thënë, të mos harrojmë se sot kemi 180 e ca deputetë të cilët kanë djegur mandatet për të treguar që ka një kapje të sistemit, jo vetëm politik, por edhe të sistemit të drejtësisë dhe çdo hallke tjetër të një institucioni të një shteti demokratik. Kështu që mua nuk më çudit fare, por habitem sesi i paska shpëtuar ky institucion Edi Ramës pa e blerë me paratë e drogës që të bënte një raport që Shqipëria është një nga vendet më demokratike. Ose Zoti Rama nuk i ka dhënë rëndësi këtij institucioni, sepse ka qenë më shumë i fokusuar te konferenca e donatorëve sesa te çështja e demokracisë në Shqipëri.
Por Zonja Kryemadhi djegia e mandateve duket se e ka forcuar dhe më shumë pushtetin e unit, pra pushtetin e kryeministrit?
Unë nuk mendoj kështu. Mendoj se nëse ne do të qëndronim fasadë në Parlament, Rama do të vazhdonte të njëjtën gjë. Do të vazhdonte uzurpimin e Gjykatës Kushtetuese, uzurpimin e reformës në drejtësi, koncesionet e të gjitha me radhë. Dhe përkundrazi, opozita jo vetëm qe do të bëhej pis, por do të shuante çdo shpresë kundërshtimi apo revolte të kësaj diktature të re që është instaluar. Djegia e mandateve vërtetë duket sikur ka instaluar unin në Shqipëria, por në njëfarë mënyre nxorri zbuluar disa individë, qofshin këta brenda apo jashtë Shqipërisë, të cilët luanin me fasadën e demokratit apo të asnjëanësit, por që nuk tregoi gjë tjetër veçse ishin segmente ndihmuese apo edhe bashkëpunëtorë në instalimin e kësaj situate dhe gjithë sistemit kriminal.
Por në të gjitha aksionet që keni ndërmarrë si ju si LSI, por edhe opozita në tërësi nuk ështe se e kanë dobësuar Edi Ramën. Vazhdon të jetë në pushtet.
Nuk mund të themi që nuk e kanë dobësuar, e kanë dobësuar se ndryshe nuk do të dëgjonim çdo muaj njëherë që Rama po bën marrëveshje me Bashën dhe njëherë tjetër me Metën. Pikërisht në momentet që në të gjithë sallonet e medias apo në thashethemexhinjtë e Tiranës do të shikoni që Rama e ka blerë Bashën, Metën apo dashuria e Metës me Ramën, apo dashuria Bashës me Ramën, sa herë t’i dëgjoni këto do të shikoni që Rama është në pozita shumë të vështira si kameleon që është, si një njeri që nuk ka pikën e skrupullit do të mundohet që të kalojë dhe të ç’orientojë opinionin. Përsa i përket situatës ekonomike, sepse është ajo e cila mban një qeveri në këmbë dhe një parti politike në këmbë kur është në pushtet, ka një situatë ekonomike të degraduar, ka një situatë ekonomike me krimin e organizuar që kemi një kryeministër që është peng i tyre, ka një situatë që po shkon drejt një izolimi totalisht ndërkombëtar. Kështu që dashje padashje nuk është se është i fortë. Mund të jetë i fortë për të bërë karagjozin në media, por ajo që dua të them është që pozicionimi i tij politik dhe ekonomik është jashtëzakonisht i dobët.