Monika Kryemadhi flet për politikën dhe raportet me PD e PS

Fragmente nga intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, dhënë në emisionin “Opinion”

Sot është data 22 mars. Më 22 mars të vitit 1992 ishin zgjedhjet e para ku fitoi një parti opozitare. Ishte hera e parë që rotacioni i pushtetit ndodhi përmes votës. E mendonit se do të ishim në të njëjtën situatë sot pas 26 vitesh?

E mendoja sigurisht shumë më ndryshe. E mendoja si një Danimarkë, e cila do të ishte një diamant në mes të kësaj katrahure që është Mesdheu.

E keni menduar një Danimarkë pa danezë.

Unë mendoj që shqiptarët  janë më të vuajtur se danezët. Dhe vuajtjet e shqiptarëve janë krijuar gjithmonë nga politika që i ka drejtuar.

Ka një flirtim mes PS-së dhe LSI-së znj Kryemadhi?

Unë do të dëshiroja që mediat dhe analistët ta shikonin ndryshe atmosferën politike sepse jeni ju ata që në radhë të parë e drejtoni në një farë mënyrë perceptimin e qytetarëve. Nuk ka asnjë flirtim mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste. Sigurisht që kontakte njerëzore ka por flirtim politik absolutisht që nuk ekziston. Sa i përket angazhimeve dhe qëndresës politike LSI është mjaft e qartë. Nuk mund të kesh flirtim politik me një parti që përfaqëson interesat e grupeve të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Nëse LSI do të kishte e prirur për të bashkëpunuar me klanet dhe kartelin e drogës atëherë ajo nuk kishte se dilte në opozitë dhe mund të vazhdonte të bashkëpunonte me ta. Ajo që dua të theksoj dhe që është shumë e rëndësishme është që ka një angazhim të stafit të Rilindjes për të krijuar idenë që ka një lloj flirtimi. Dua të jem shumë e qartë që me PS-në dhe me socialistët e ndershëm ne jemi në kontakt çdo ditë, por jo me kupolën e tyre. Socialistët e ndershëm janë edhe më të egër se vetë anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

A keni ju komunikim drejtpërdrejtë me Edi Ramën?

Jo absolutisht.

Cilat kanë qenë kontaktet tuaja të fundit që keni pasur me të?

Që pas zgjedhjeve lokale, unë nuk kam komunikuar më me të.

Po bashkëshorti juaj?

Unë kam ardhur për të folur si Monika Kryemadhi dhe kryetare e LSI-së, mund të ftoni atë. Çuditërisht në të gjitha antipatitë dhe simpatitë tona ne nuk i ndërhyjmë njëri-tjetrit, qofshin këto politike apo personale. Nuk më intereson fare nëse takohet apo nuk takohet Ilir Meta me të. Informacionet në lidhje me takimet e tij janë sa çkeni ju nga media, madje ju mund të keni më shumë se sa unë.

Sipas informacioneve nga mediat, takimi i fundit i tyre ka shumë miqësor.

Tani grushtet nuk do plasin atje. Ai është President I Republikës, unë nuk flas për institucionin e Presidentit, flas për institucionin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. LSI është mjaft e qartë në qëndrimet e saj. Është e qartë sepse sot shqiptarët janë më të varfër, shqiptarët janë pa drejtim, sot shqiptarët ndihen të rrezikuar nga asimilimi dhe nga shpërbërja e tyre. Shumë shpejt do të jenë dhe populli më I vjetër me moshën mesatare. Sot shqiptarët ndihen më të varfër, më të papunësuar, më të pasigurt. Sot shqiptarët ndihen pa asnjë lloj drejtimi. E ripërsëris pa drejtim. Pse? Sepse kemi qytete si Lezha dhe Shkodra, të cilat janë të përmbytura, që janë në të njëjtën situatë, ku qeveri të ndryshme, pavarësisht bindjeve politike apo orientimeve të  tyre shpallin gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa sot qeveria e atij burrit që keni mbrapa shpatullave tuaja nuk bën absolutisht elementin më të vogël.

Qeverinë e atij burrit, që e sollët ju në pushtet znj. Kryemadhi..

Prandaj dhe ne do të marrim përgjegjësitë tona, sepse është shumë më mirë të pranosh gabimin dhe të marrësh përgjegjësitë e tua, se sa të thuash që nuk jam pjesë.

Mosmarrja e përgjegjësisë shkon prapë në një marrëveshje me atë burrin për të pasur disa garanci më shumë?

Mund të më thuash cila është marrëveshja që mund të realizojë LSI me Rilindjen e kryeminstrit? Për çfarë?

Për ndarjen e tepsisë së famshme…

Po e mori. Ai e donte tepsinë më vete. Ku e kemi tepsinë sot? Sot tepsia është në dorën e Ramës, por është e mbushur me kokainë, sepse nuk ofron më asgjë për qytetarët shqiptarë dhe sot kemi shqiptarët të cilët kanë po të njëjtat paga, po të njëjtën punë dhe kanë vetëm taksa më të larta dhe çmime më të larta për ushqimet e tyre. Unë nuk mendoj që duhet dhënë më shansi Edi Ramës. Sepse Edi Ramës I’a kanë dhënë shansin gjithmonë. Është I vetmi politikan në jetën politike shqiptare që është më jetëgjati. Ka qenë 11 vjet kryetar bashkie, 3 vjet ministër kulture, 5 vjet kryeministër. Pra ka qenë një nga politikanët që historikisht I kanë dhënë shanse. I ka dhënë shansin Partia Socialiste, I ka dhënë shansin LSI, ja kanë dhënë shansin qytetarët shqiptarë, me hir dhe me pahir. E mbani mend kandidimin e tij me z.Ngjela, sa qendra votimi u kthyen mbrapsht? Kanë qenë 185 qendra votimi në Tiranë. Sepse prekja e votës është në mentalitetin e tij.

Këto largimet nga këshillat bashkiak duken si momente mosbesimi ndaj momentit politik të LSI-së, ndoshta ata nuk e gjejnë veten te bashkëpunimi me PD-në.

Duhet të kuptoni një gjë. Të gjitha këto janë lajme të vjetra, sepse një pjesë e tyre kanë ikur që në 2016-ën. Këshilltarët e Shkodrës kanë ikur që në 2016-ën. Njëri prej tyre, stomatologu ka dhënë dorëheqjen, ka 8 muaj dhe e kanë rikthyer thjesht për deklaratë. Tjetri që është djali I ish-prefektit Paulin Radovani, edhe ai ka 8 muaj që nuk shkon në këshill bashkiak. Tjetra është gruaja e ish-drejtorit të rrugëvem që është larguar nga LSI që në 2016-ën. Një tjetër nuk është fare në Shqipëri, I kanë marrë vetëm deklaratën. Fushata elektorale e 2017-ës ka qenë një fushatë shumë intensive dhe shumë agresive. Njerëz që sot dalin publikisht që po ikin, janë njerëz që kanë ikur ndër vite nga LSI. Ashtu siç kanë ikur edhe kanë ardhur. LSI në Bashkinë e Lezhës ka pasur 4 këshilltarë sot ka 10.

Përse i kandiduat prapë kur kanë ikur dhe kanë ardhur?

Prandaj LSI, ka nevojë për një drejtim të ri.

E ka bërë gabim Ilir Meta?

Sigurisht Ilir Meta me deputetët e zonës apo dhe me kryetarët e partive.

Nuk keni tentuar ti afroni, ti bëni për vete? 

Besoj se e mbani mend videon e këshilltarëve të Vlorës që qanin dhe përballë tyre ishte Kryetari i Partisë Socialistet ë Vlorës që i kërcënonte dhe iu thonte dilni. Dhe ju nuk e reklamoni sepse normal në mediat shqiptare është shumë e vështirë për ta nxjerrë një video të tillë sepse përderisa mediat shqiptare nuk japin situatën e përmbytjeve se çfarë po ndodh normal që nuk do e japin dhe atë.

E keni bërë tendencë që iu vërsuleni mediave?

Nuk iu sulemi ne, se o i sulet Edi Rama që i quan mediat kazan o si quan njëri tjetër. Por ndikimi i qeverisë për të mos dhënë problemet kryesore që kanë të bëjnë me qytetarët është i ndjeshëm. Ju mendoni që për përmbytjet në Shkodër e kanë fajin ikja e këshilltarëve? Ju mendoni që shqiptarët nuk kanë punë dhe bukë për shkak të ikjes së këshilltarëve?

Këta këshilltarë që po ikin, po ikin si pasojë e presionit që vjen nga antarësia e partisë që mendon se ju jeni pozicionuar gabim duke sulmuar partinë socialiste apo është vendim individual apo janë të joshur, cila nga këto të tria?

Protesta e 27 Janarit a ishte një nga protestat më të mëdha të opozitës?

Po patjetër. Që e latë përgjysmë. Dhe që atëherë  ju heshtët.

Unë nuk heshta. Pas protestës së 27 Janarit ka një letër që unë ia kam dërguar Komisionerit Hahn të kërkoj hapjen e negociatave pa kushte. Unë mendoj që karriget e opozitës nuk kanë vlerë përpara hapjes së negociatave. Sepse hapja e negociatave për Shqipërinë është shumë e rëndësishme. Të vetmit që nuk i intereson hapja e negociatave është Edi Rama, sepse hapja e negociatave e vendos atë përballë disa kushteve shumë të rëndësishme që e detyron të dali nga konçensionet nëpërmjet të ndikojë paratë e drogës, pra PPP-të. E fut në funksionimin e administratës publike sepse sot kemi një administratë publike të shpërbërë. Më e pakta që mund të themi nga ato që lexojmë është që dy nga drejtorët e tij kryesorë nuk kanë fituar konkursin TND pra që duhet të kenë gradën ose titullin për administratën publike. Dhe ndërkohë në gjithë rutinën e ngjarjeve që vjen, lufta e krimit të organizuar dhe trafikut të  drogës dhe tjetra që është shumë e rëndësishme, lufta kundër korrupsionit.

Ai mund ta përdori si kapital politik, si nuk e dashka anëtarësimin?

Mua nuk më intereson kapitali politik i Edi Ramës, sa më intereson hapja e negociatave. Nëse hapen negociatat a kemi shpresë që të hapen vende të reja pune? Po. A kemi mundësi që fëmijët tuaj që janë emigrantë do të kthehen në Shqipëri? Po. Klasa politike shqiptare është vendosur para dy kushteve. Ishte reforma në drejtësi që u votua me 140 vota dhe ne jemi koshient që LSI dhe PD ia dhanë votën. Apo e keni harruar Romana Vlahutin që thoshte, votoni reformën në drejtësi dhe do të hapim negociatat. Votoni shtatë ligjet se do hapim negociatat. Për hir të së vërtetët demokratët u treguan më skeptikë dhe kishin të drejtë sepse skepticizmi i tyre tregoi që votimi i shtatë ligjeve për reformën në drejtësi ishte kapje që do i bënte Edi Rama reformës në drejtësi. Dhe sot zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme e tregoi. Dhe kushti tjetër kush është? Dialogu politik. Ju keni parasysh para datës 27 janar, ambasadat bënin thirrje qytetarëve amerikanë, italianë, anglez, evropianë të mos dalin në protestë. Pas kësaj, tani na thonë, kur do bëni protesta ju?

Keni kontakte me faktorin ndërkombëtar?

Pa diskutim që jemi në kontakte me faktorin ndërkombëtarë. Të gjithë ambasadorët kanë pasur takime kortezie, zyrtare, me komisionarin Hahn, me delegacionin me Monica Macoveit, me Kukan. Unë nuk mendoj se është meritë e madhe të takosh evropianët. Dje me të 28 ambasadorët e BE në takim kanë qenë në takim përfaqësuesit e LSI. Unë kam qenë në takim me ambasadorin amerikan, anglez, italian, francez. Por unë nuk mendoj që vlerat e LSI rriten nga takimi me ambasadorët. Nuk votojnë ambasadorët, votojnë qytetarët. dhe nëse ti nuk iu ofron qytetarëve asgjë, jo të takosh ambasadorin, por tako dhe Donald Trump, nuk iu intereson shqiptarëve. Sot është ai që të ofron ty mundësinë për ti dhënë shans fëmijëve të tyre. Tani për të dalë te dialogu politik, që është pika e dytë që është kusht për hapjen e negociatave.

Kjo që po ndodh është strategji që të hapen negociatat?

Është strategji e opozitës. Ne nuk po rrimë urtë. Dhe z. Basha i ka kërkuar z. Hahn hapjen e negociatave pa kushte.

Pas 27 janarit ju vendosët të largoheni nga rruga, në kuptimin protestave, për të pritur deri në qershor se çfarë do të ndodhë?

27 janari ishte për t’i treguar Edi Ramës dhe atyre ndërkombëtarëve skeptikë që paguhen me paratë e Edi Ramës që ja ku janë shqiptarët, shumica e shqiptarëve. Aq njerëz sa kishte në 27 janar, një Shqipëri që ka një milionë banorë, se një milionë janë larguar, janë emigrantë. Ne i ftuam, qytetarët na u përgjigjën dhe jemi shumë të lumtur për këtë. Dhe për këtë përgjigje pozitive që ata na dhanë, ne do e vazhdojmë duke bërë një opozitë të fortë.

Tentuat pak më parë të qartësonit diçka, por latë diçka tjetër të paqartë kur thatë që kontaktet tuaja me bazën e Partisë Socialiste ngelen, por nuk keni kontakte me kupolën. Mos do të thotë kjo që ky është një sinjal bashkimi?

Partia Socialiste është më e zhgënjyer se baza e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe është më agresive se baza e Partisë Demokratike në terren.

Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që edhe ky teatri i vjetër me aktorë amatorë është një panik që ka Partia Socialiste në terren. Ju e dini shumë mirë se çfarë bëri Partia Socialiste apo Rilindja në Elbasan, gjashtë muaj përpara se unë të shkoja të kandidoja atje. Të gjitha strukturat e LSI-së kishin ikur me PDIU-në. Z. Vangjeli, ju e dini mjaft mirë që po të dojë Lëvizja Socialiste për Integrim ja kap nja 7 a 8 deputetë Edi Ramës.

Si ja kap?

Ju them unë. Po të jetë kaq trim Edi Rama, le të futet për mocion besimi tani në Parlament dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë.

Kjo do të thotë që ju mund ta rrëzoni Edi Ramën po të doni? Pra, ju keni bërë negociata me deputetë të Partisë Socialiste për këtë gjë?

Nuk kemi bërë negociata ne. Na vijnë deputetët vetë dhe na thonë: Aman kur do ta rrëzojmë? Por, problemi nuk është të rrëzohet Edi Rama, sepse nuk po flasim për individë. Problemi këtu është krijimi i një infrastrukture të ç’tensionuar të zhbllokimit të vetë socialistëve. Vetë deputetët në Parlament janë nga njerëzit kryesorë, të cilët ndiejnë asfiksimin, jo vetëm politik por edhe njerëzor, në strukturat e Partisë Socialiste. Vetë drejtues të Partisë Socialiste nëpër baza ndihen jo vetëm të frustruar por edhe të margjinalizuar dhe të terrorizuar nga mënyra se si ata nuk përfaqësojnë Partinë Socialiste, por bandat kriminale, të cilët kontrollojnë jo vetëm ekonominë, por edhe komplet jetën dhe strukturën politike të Partisë Socialiste. Kjo është një sfidë në të cilën vetë Partia Socialiste gjendet. Ky teatër i vjetër me aktorë amatorë mendoni se do të krijojë ndonjë panik tek Lëvizja Socialiste për Integrim?

A keni ju numrat për të rrëzuar Edi Ramën? A do t’i bëni mocion mosbesimi?

Ky zotëria meqë ndihet kaq trim, le të provojë. Besoj se e keni parë debatin e fundit në Parlament përsa i përket ndihmës ekonomike dhe ishte një fatkeqësi e madhe po të shohësh prezencën e deputetëve dhe ministrave të tij.

Çfarë raporti kemi pasur ju me Edi Ramën gjatë gjithë këtyre viteve? Kur e keni njohur për herë të parë atë dhe çfarë mendimi keni pasur në fillim për të?

Unë e kam njohur Edi Ramën që kur është bërë ministër Kulture dhe unë mbaja në prehër Borën e vogël dhe ai më thoshte: Po mban Ilir Metën e vogël në prehër. Ishte një anarshist që vinte në jetën politike shqiptare në atë kohë, e cila ishte shumë bolshevike, le të themi old-fashion. Solli një lloj anarshizmi që e kishte të nevojshme jo vetëm Partia Socialiste, por edhe vetë opinioni dhe shoqëria shqiptare. Një Shqipëri pa ngjyra, një Shqipëri e varfër, e pa marxhinalizuar e pa zhvilluar sillte një figurë të re që ndoshta ishte mjaft e domosdoshme, por unë mendoj që nuk shkon deri në atë etapë të përfaqësimit të tij. Ai është shumë i mirë si një fasadë apo edhe për të kombinuar ngjyrat.

Znj. Kryemadhi, raportet tuaja me Edi Ramën kanë qenë të tensionuara në vitin 2002, më pas edhe në 2007, por në 2013 ju vendosët që të ishin në koalicion së bashku, ku ju keni qenë paterica më e rëndësishme për të. Tani pyetja ime është e thjeshtë, ai është një njeri i mirë apo i keq?

Unë dua të them që ky person ka disa veti të mira për sa i përket artit, por edhe kjo varet nga këndvështrimi se disa njerëz mendojnë që bën art të mirë e disa jo, por nga ana tjetër është si menaxher. Si i tillë, në mandatin e parë si kryetar bashkie funksionoi shumë mirë. Ne e kujtojmë periudhën kur Ilir Meta i dha shansin që ky të themi po merrte një trofe, për të ecur në mandatin e dytë. Aty për të vazhduar më tutje me proceset e legalizimit, por këto janë gjera të tjera. Për sa i përket vitit 2002, unë e mbaj mend që e kam suportuar, ku ka qenë në atë periudhë kur ishte ilir Meta dhe Fatos Nano, ky kërkonte që të futej në politikë e `të luante`. Vetë ai kishte një reputacion shumë më të lartë, po themi se Partia Socialiste në përqindje, por i duhej ushtria e kësaj partie që të fitonte. Partia ishte shumë e mire dhe ai kërkoi të qëndronte brenda segmenteve të saj. Ai e menaxhoi dhe në fakt mori PS dhe e trashëgoi, ku luftoi më pas Fatos Nanon e të tjerë me radhë. Pastaj Ilir Meta bëri një tjetër zgjedhje, e cila ishte personale, ku mendoi se Shqipëria kishte nevojë për frymë të re dhe elemente të rinj ashtu siç ishte Lëvizja Socialiste për Integrim. Më pas, sa i përket viteve 2008-2009, Rama kishte një tjetër sjellje sepse pa që PS nuk po sillte më asgjë, ku çdo ditë e më shumë vjetërsohet e qëndronte në ato bastionet e veta, ku nuk ofronte politikë evropiane. E pa që Lëvizja Socialiste për Integrim ishte një parti që sillte një politikë evropianë, ku në thelb kishte integrimin evropian dhe afronte çdo ditë më shumë brezin e ri. Po të shikojmë 80% e bazës së votuesve të LSI-së vijnë nga të rinjtë. Tani risku kush ishte? Qëllimi për të krijuar mandatet dhe për të bërë po themi Reformën Zgjedhore të 2008-ës, ishte që të penalizonte në maksimum Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kur deputetet e PS zgjidheshin me 5 mijë vota, deputetët e LSI-së me 13 mijë vota. Sot  e kësaj dite LSI ka 226 mijë vota, ku të paktën duhet të ketë 23 deputetë në parlament. Greva e urisë u bë për të krijuar një lloj sensibilizimi për opinionin publik, ku ne kemi probleme të shumta dhe mund të themi që klasa politike nuk është e aftë për të kuptuar apo për të sjellë një zhvillim ekonomik.

??????????

Pse e ka toleruar kaq shumë Ilir Meta Edi Ramën? Kjo nuk kuptohet.

Një nga vetitë që ka pasur Ilir Meta në politikë është fakti që është luajal dhe gjithmonë jetën e tij politike e ka zhvilluar mbi bazat e stabilitetit. Historikisht i ka interesuar më së shumti stabiliteti i vendit. Megjithatë ne sot për shkak të Ilir Metës kemi një Kryeministër i cili udhëhiqet nga krimi i organizuar dhe trafiku i drogës. Unë dua të them që në vitin 2009 bashkëpunimi ynë me PD-në ishte për shkak të liberalizimit të vizave. Sot shqiptarët lëvizin të lirë vetëm për shkak të asaj marrëveshjeje. Në 2013-n ishte një koalicion natyral mes PS dhe LSI-së. Unë do të kisha vendosur kushte të tjera, ndryshe nga ato që i vendosi Ilir Meta Edi Ramës.

Ju jeni të bindur akoma që vendi kishte nevojë për Edi Ramën Kryeministër në vitin 2013?

Politikisht ishte e nevojshme që shqiptarët ta shikonin kush ishte Edi Rama por ishte një fatkeqësi shumë e madhe që mbi kurrizin e shqiptarëve, mbi shpatullat të brishta e këtij vendi u vendos një fatkeqësi shumë e madhe. Pastaj ne të gjithë besonin që Rilindja do të bënte diçka por në fakt rezultoi thjesht rilindja e krimit të organizuar. Patëm një ministri të Brendshme që sot rezulton të kemi 128 oficerë policie në kërkim, kemi drejtorë policie të inkriminuar, kemi një siguri kombëtare të cenuar.

Dhe e gjitha kjo në kohën kur ju bashkëqeverisnit.

LSI nuk kishte asnjë rol në Ministrinë e Brendshme në atë kohë. Duhet thënë që Ilir Meta nuk e lejoi asnjëherë LSI-në ta bënte prezentë sulmet e mëdha ndaj saj. E dini ju që të gjithë drejtuesit e LSI-së përgjoheshin nga Ministria e Brendshme.

Edhe Ilir Meta është përgjuar?

Po është përgjuar. Dhe vazhdon të përgjohet.

Kryeministri përgjon Presidentin?

Po patjetër. Justifikohet se përgjon bashkëshortin e kryetares së një partie.

Kjo që thoni është e pakonceptueshme.

Do t’ju sugjeroja që të investigonit për aparatura që janë blerë dhe zhdoganuar në doganat e Shqipërisë. Ka dhe shërbime të huaja që e dinë shumë mirë që Kryeministria ka marrë softëare dhe materiale që shërbejnë për përgjime.

Kjo është alarmante.

Për mua alarmante është që 2.4 për qind e shqiptarëve janë përdorues kokaine. Populli më i varfër në botë përdor drogën më të shtrenjtë. Për mua alarmante është që 70% e fëmijëve nga mosha 7 deri në 14 vjeç duan të ikin nga Shqipëria. Raporti i Bankës Botërore thotë që atyre iu del 90 për qind. Është e frikshme të mendojmë që kjo është e vërtetë. Se më përgjon mua Edi Rama se çfarë…

Përgjon Presidentin e Republikës ai.

Po dhe Presidentin le ta përgjojë, s’ka asgjë të keqe. Unë ju them që kjo nuk është problematike. Për mua është problematike që, 2.4 % e shqiptarëve janë përdorues kokaine. 1 miliardë euro të cilat duan të injektohen në ekonominë shqiptare si koncesione Partner Publik-Privat, për të cilat ka dalë jo vetëm FMN kundër, por dhe Banka Botërore. Borxhin e jashtëm e ke 81 %, që do të thotë seti ke falimentuar. Edi Rama mbush xhepat, i hipën charterit se nuk e ka problem se ja paguajnë oligarkët, po ne ku do shkojmë?

Pas 20 vjetësh që e njihni Ramën, çfarë përkufizimi mund të jepni për të, duke u zhveshur nga mëria e momentit?

Anashist ekspansionist i cili duhet të vendosë një gur zemrës së tij e cila nuk funksionon. Sepse po të kishte zemër do të kishte bërë gjera të tjera shumë më të mira për shqiptarët dhe për hir të së vërtetës dhe një aktor shumë i mirë.

Me qetësi me dashuri, me manovrat e Ilir Metës si lider i kësaj partie, LSI u bë vërtet një realitet politent i politikës shqiptare. Tashmë LSI në opozitë. Çfarë shihni ju brenda LSI si një energji që mund ta ruajë këtë pozicion me një peshë mjaft të madhe në politikën shqiptare dhe të rrëmbejë sfidat politike? Përse të mos e marrim si dobësi të kësaj partie faktin që shumë këshilltarë ikin?

LSI u krijua si një forcë opozitare. Ilir Meta ishte në tavolinën e Fatos Nanos dhe tha, unë zotëri çohem nga tavolina jote për shkak të arrogancës dhe për shkak të arbitralizmit që ai filloi të injektonte në jetën politike shqiptare. Në 2005 PS me PD ndryshuan kodin zgjedhor për të eliminuar LSI. Dhe besoj duhet tua kujtojmë të gjithëve dushkun e famshëm. Çfarë ishte dushku i famshëm? I hiqte shanset dhe mundësitë LSI dhe kishim 25 deputetë nga Partia Social Demokrate, ishin gati mbi 40 deputetë që vinin si rezultat i dushkut të madh. Por ndërkohë rezultatin e zgjedhjeve të 2005, nëse do të ishte ligji me të cilin u themelua LSI, do kishim mbi 20 deputetë. Në 2009 ti nuk do kishe një kod zgjedhor. Edhe në 2009 po e njëjta gjë ishte, mungesa e komisionerëve, mungesa e numëruesve. Ne e dimë shumë mirë, por dhe shumë anëtarë komisionerë qoftë të PD dhe LSI, e dinë shumë mirë se çfarë ka ndodhur me votat e LSI në 2009. Më pas vijmë në 2013, që ishte një koalicion, i cili sërish për shkak të numrit të votave LSI nuk mund të merrte 16 deputetë, por mund të merrte përsëri 19 deputetë. Pse e them këtë, sepse bishtat e deputetëve të LSI-së, qoftë të Korçës, qoftë të Shkodrës, dhe të gjithë qarqet e tjera ia dhanë votat Partisë Socialiste. Pra, gati 11 deputetë PS i mori për shkak të LSI-së.

Si do të jetë trendi tani, rritës apo zbritës?

Së pari, do të jetë rritës sepse LSI është një parti, e cila jo vetëm është parti e të rinjve, por është një parti e cila do t’u kthejë shpresën atyre. Së dyti, Rilindja ka një problem shumë të madh sot që nuk ka alternativë. Që kur është krijuar qeveria e tepsisë, nuk kemi asnjë ministër të dalë qoftë në debate televizive, sepse nuk shkojnë pasi nuk kanë çfarë të thonë. Kemi një ekonomi të rrënuar. Dhe mbi të gjitha kemi një situatë tjetër shumë të vështirë që ka të bëjë me çështjen e shpërnguljes që po i ndodh Shqipërisë. Tani, cilat janë sfidat që ka LSI-a, jo vetëm LSI-a por e gjithë opozita shqiptare? Kemi 450 mijë shqiptarë që vazhdojnë dhe shpërngulen. Kemi Ligjin për Trashëgiminë Kulturore për të cilin nuk flet asnjeri sot. Ky po kërkon që të japë edhe trashëgiminë kulturore me koncesion.

Po me bujqësinë çfarë po ndodh?

Ne jemi me bujqësinë. Po të shikosh në kohën që e mori LSI-a, kemi pasur një rritje të eksporteve bujqësore shqiptare. Ishte LSI-a që e propozoi Green – Light për bujqësinë, por që nuk e miratoi Partia Socialiste. Eksportet e Ministrisë së Bujqësisë gjatë kohës së drejtimit nga Lëvizja Socialiste për Integrim janë rritur dhe kanë sjellë një impakt të jashtëzakonshëm për ekonominë shqiptare.

Dhe për këtë qytetarët votuan Edi Ramën në 2017-n…

Qytetarëve në 2017-n iu tha: Do t’ju djegim serat, apo do marrësh zarfin me para?

Dikush më shkruan, pyete pak znj. Kryemadhi kur flet për përgjimet e Ramës, a e harroi zv. ministrin e LSI-së kur përgjonte ministrin Tahiri?

Absolutisht që jo. Atë e kishte vënë Sajmir Tahiri për sekretaren e tij me kë fliste dhe me kë komunikonte dhe kur vinte Garda një herë në javë që i kontrollonte zyrën, harroi ta hiqte. Kjo është shumë e thjeshtë. Po pse vetëm sekretaren përgjonte ai? Jo. Ai përgjonte rojën, përgjonte shoferin, i përgjonte të gjithë.

Ju thatë pak më parë që keni që tani votat për të rrëzuar Edi Ramën…

Janë të gatshëm deputetë socialistë për ta rrëzuar. Meqenëse z. Rama ndihet shumë i sigurt, ai le të vijë në Parlament dhe të kërkojë mocion besimi për veten e vet. Por mund të them që ka deputetë të Partisë Socialiste që janë të gatshëm për ta rrëzuar Edi Ramën.

Në qershor është hapja ose jo e negociatave për në BE, ku për ju është parësore.

Sigurisht që për ne është e rëndësishme dhe parësore, ku nuk ka rëndësi nëse bën protestë opozita në rrugë apo është në negociata. Për ne është shumë e rëndësishme. Opozita natyrisht që ka problemet e saj derisa të duhet të bashkosh disa grupe interesi politike po themi, një të partisë së majtë, një të djathtë, një të ekstremit të djathtë, një parti nacionaliste, ku do ulesh që të diskutosh e të sjellësh të njëjtën qasje, ku në fakt mund të kenë programe të ndryshme. Kjo është shumë  e vështirë. Mos harroni që për herë të parë, pas 4 muaj qeverisje patëm një protestë shumë të madhe kundër kësaj qeverie, ku mandatet janë marrë në mënyrë të deformuar me paratë e drogës.

Në qershor a do kemi ndonjë tentativë për të rrëzuar Edi Ramën?

Ne do lutemi nga mëngjesi deri në darkë që të hapen negociatat. Unë nuk ka asnjë lloj arsye të mendoj negativisht moshapjen e negociatave. Ndoshta mund të them që nëse do hapen negociatat, do ketë një risi dhe një çlirim për të gjithë shqiptarët. Kjo gjë do e detyrojë Edi Ramën që të largohet.

Ju thoni që qeverisja është përkeqësuar, aq sa keni goditur edhe me çizme. Gjithashtu ju thoni që është shumë  e rëndësishme hapja e negociatave në BE, ndërkohë që duket se ai që është më i lirshëm është Edi Rama?

Nuk është aq i lirshëm Edi Rama, mos e mendoni kështu. Nuk mund të quhesh i tillë vetëm pse je kryeministër, merr rrogën dhe ke na 10 ushtarë prapa teje. Unë nuk mendoj që një politikan i suksesshëm është ai që nuk zgjidh situatën në të cilën ndodhet sot Shqipëria.

Mos ka vallë gabime LSI dhe PD për tolerancën që po tregojnë? Mos duhet të vijonte 27 janari dhe jo ky ndryshim që lindi?

Unë mendoj që njerëzit që e studiojnë mirë politikën, do tu interesonte shumë vazhdimësia e protestave. 27 janari i shërbeu opozitës për të unifikuar bazën e saj. Pra, ajo që është më e bukura është të shikoja demokratë dhe të majtë të vinin së bashku e të protestonin në shesh. Opozita është njësh sot dhe është bashkë. Ne jemi ne Partinë Demokratike kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Edhe në zgjedhjet lokale, ku përballë do kemi bandat e trafikut të drogës, ne bashkë do jemi. Ne me PD jemi së bashku për të luftuar kryetarët e bandave e  të trafikut të drogës. Gjithsesi, unë do doja që z. Veliaj të rikandidonte për zgjedhjet lokale.

Ju do ta mbështesni në Tiranë?

Unë do të shikojë se çfarë do të bëjë z.Veliaj dhe z.Veliaj është përballë një dileme shumë të madhe, duke filluar e para me teatrin kombëtar dhe e dyta me kullat që po ndërtohen në Tiranë. Nëse e mbani mend, dikur Ilir Meta thoshte: një pallat, një votë, sot po ndodh, një votë-një kullë.

Nëse i mbron kullat?

Atëherë le të vazhdojë me kullat pra. Kam përshtypjen që z.Veliaj është vetë kundra, por atë ditë në emision këtu te Fevziu ishte I detyruar.

Nëse Edi Rama vendos të kandidojë Erion Veliajn, ju do ta mbështesni?

Nuk e kam menduar akoma, sepse nuk jam e qartë për këtë gjë.

Si shpjegohet një lloj dobësie e LSI-së për Erion Veliajn?

LSI absolutisht nuk ka asnjë lloj dobësie për Erion Veliajn. Që të jemi të sinqertë, diçka është bërë në qytetin e Tiranës, por mos të harrojmë dhe diçka tjetër, që bashkangjitur këtij albumi fotosh, ka një faturë shumë të madhe financiare, e cila I bashkangjitet bashkisë së Tiranës, për të cilën asnjëri nga ne nuk është I qartë. Përveç taksës, është dhe fatura e borxhit, sepse kompanitë që kanë ndërtuar rrugë apo kopshte, paratë do ti marrin më vonë, vite të tjera më vonë. Pra janë borxhe, të cilat akumulohen. Ndërkohë në anën tjetër, rritja e taksave, qoftë për ujin e pijshëm, qoftë për banesat, qoftë për shkollat etj janë një rritje e jashtëzakonshme taksash, të cilat kanë impakt të madh në xhepin e shqiptarëve. Por shqiptarët nuk e perceptojnë me bashkinë taksën. E perceptojnë si një taksë që vjen nga pushteti, e shikojnë drejtpërsëdrejt me Ramën. Dhe Rama duke parë që gjithë kjo rritje taksash e bashkisë së Tiranës perceptohet si një humbje reputacioni të Ramës për veten e tij, kjo ishte një nga arsyet që e detyroi dhe e dhunoi Erion Veliajn, e nxorri në emisionin tuaj.

A ka një konlikt mes Ramës dhe Veliajt?

Nuk e di.

Mos ndoshta është një diversion?

Nuk është diversion fare. Po pse ardhja e Erion Veliajt që fliste për kullat në emision?! Ne kishim tre muaj që shikonim Erion Veliajn që mbillte pemë, stha një fjalë për kullat.

Mos ju duket Veliaj ndryshe nga Rama, ashtu siç ju dukej Rama ndryshe nga Nano?

Brezat janë që do vijnë, do ikim dhe ne dhe do vijnë disa të tjerë. Iku Ilir Meta, erdhi Petrit Vasili, iku Petrit Vasili erdha unë, do iki unë, do vij dikush tjetër.

A rrezikon LSI të bëjë të njëjtën gjë siç bëri Meta me Ramën?

Unë di të them që z.Meta të flirtojë sa të dojë me Edi Ramën, por LSI nuk ka për të flirtuar dhe të gjitha marrëveshjet e LSI-së me çdo parti politike kanë për të qenë transparente.

Ku ndryshon z.Veliaj?

Ka një ndryshim. Z.Veliaj ka një të mirë se nuk mban lidhje të drejtëpërdrejtë me këta drogaxhinjtë, me këta që shesin dhe blejnë drogë.

Pse, z. Rama i ka këto lloj lidhjesh?

Po, I ka. Për hir të së vërtetës, kur doktor Berisha e tha e morëm me shaka dhe e quajtëm si një sulm politik, nëse e mbani mend vizitën që I bëri Nënë Feridesë nga burgu, që ishte arrestuar për shkak të kanabisit, ishte mesazhi më I qartë që u dha trafikantëve të drogës, që unë do jem priza juaj ku ju mund të karikoni të gjithë trafikun tuaj.

Ju e keni kuptuar këtë që në atë kohë?

Nuk e mendoja. Nuk e mendoja që një politikan shqiptarë do të shkonte kaq larg, që jo vetëm të kriminalizonte shoqërinë shqiptare, por të kthente popullin e tij, si popullin e parë në botë për përdorimin e kokainës. Dhe këtu kanë qenë një nga gabimet e LSI, kur z.Manjani kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë në luftë kundër kanabisit, për të shkanabizuar Shqipërinë, z. Rama e shkarkoi Manjanin, LSI duhet të ishte larguar dhe ta kishte rrëzuar Ramën. Edhe nëse nuk do ti kishte votat, duhet të ishte larguar nga qeverisja e tij. Ky ka qenë mëkati I parafundit I Ilir Metës, sepse I fundit ishte që u bë President. Nuk duhet të ishte bërë. Ilir Meta po të kishte qenë në krye të LSI-së situata politike do të ishte shumë më ndryshe.

Kam përshtypjen që socialistët duhet të jenë shumë të kënaqur që e çuan President?

Kam përshtypjen që me këtë marrëveshjen e detit nuk janë shumë të kënaqur.

Ju përjashtuat në mënyrë kategorike bashkëpunimin me PS? Gëzon besimin e LSI dhe tuajin Lulzim Basha për të qenë kandidati kryeministër?

LSI i ka dhënë besimin dhe forcën Monika Kryemadhit.

Pra është aspirata juaj për të qenë kryeministre?

Jo nuk është aspirata ime sepse nuk dua ti jap shansin Ilir Metës të firmosi për mua. LSI përkrah Monika Kryemadhin për qëndrimet e saj sepse qëndrimet e saj janë të gjitha në unison me Kryesinë dhe me Grupin Parlamentar. Ne besojmë dhe do të ecim paralelisht me Lulzim Bashën dhe PD dhe me çdo forcë tjetër politike, progresive, kombëtare dhe antidrogë, antitrafik dhe antikrim për të krijuar përmbysjen e këtij realiteti të hidhur. LSI gëzon besim ndaj Lulzim Bashës sepse ai përfaqëson PD.  Edhe z.Basha nuk e ka artikuluar vetë për të qenë kryeministër. Unë nuk mendoj se ky është problemi që ka Shqipëria sot, se kush do bëhet kryeministër nesër. Unë mendoj se problemi është se si do kthejmë 450 mijë shqiptarë që kanë ikur. Si do kthesh normalitetin në shkollat shqiptare.

Opozita ka nevojë për një lider të qartë.

Po e ka liderin dhe është Lulzim Basha bashkë me mua. Të dy bashkë jemi liderat e opozitës.

A keni ju të njëjtën dashuri si bashkëshorti juaj për z.Berisha?

Unë më shumë se Ilir Meta. Ilir Meta e ka kuptuar vonë.

Çdo fjali e një burri të mençur duhet të fillojë me Gruaja ime ka thënë:  Tani kur ju i keni thënë z. Meta që ju nuk e pëlqenit z.Rama ai nuk ju ka dëgjuar.

E keni fjalën për ata burrat modernë që thonë gruaja ime ka thënë se Ilir Meta është burrë tradicional shqiptar.

A do ta dëgjonit ju z.Meta në qoftë se do tu thoshte mos e besoni z. Basha se po e pyetët për orën dhe atë ua thotë gabim?

E kam thënë dhe e them, unë kam orën time. Nuk kam as orën e Metës as të Bashës. Nëse Meta dhe Basha do të bëjnë negociata të themi apo nëse Meta dhe Rama, ose Basha dhe Rama bëjnë biseda të fshehura dhe jo transparente të jeni të bindur që Edi Rama është fitues .Sepse pabesia dhe imoraliteti i tij politik dhe njerëzor bën çdo gjë. Por nëse Ilir Meta dhe Lulzim Basha, Meta  dhe Rama, Basha dhe Rama bëjnë transparente marrëveshjen e tyre. Ilir Meta të bëjë transparente marrëveshjen e 1 Majit dhe të zgjedhjeve të 13 qershorit dhe Lulzim Basha të bëjë transparente marrëveshjen e 17 Majit, të jeni të bindur që do ta shikoni sesa shumë do ta besoj Meta Bashën dhe sesa shumë do ta besojnë shqiptarët edhe Lulzim Bashën dhe Ilir Metën. Dhe sesi do ta flakin Edi Ramën.

Këta tre burra ja kanë hedhur njëri-tjetrit zonjë, si një spiner që vjen rrotull..

Në fakt te këta tre burra, njëri ua ka hedhur të dyve, por ky njëri nuk ia ka hedhur këtyre të dyve por ua ka hedhur shqiptarëve. Ilir Meta është President, Basha është Kryetar i PD, nuk është se u ka bërë ndonjë gjë të madhe. Shqiptarët i shpërnguli, i tjetërsoi, i plaku i varfëroi, i shkatërroi, i ka lënë pa drejtim.

Si shpjegohet që prapë votojnë Edi Ramën?

I bleu. E dini ju sesa ishte  euro-ja një javë pas zgjedhjeve. Ishte 140, vajti 188 lekë. Pyesni guvernatorin e bankës ça do të thotë kjo. Do të thotë që në treg kanë qarkulluar 80 milionë euro  droge të cilët u përdorën për transformimin e votës së shqiptarëve.

(botuar me shkurtime)

SHKARKO APP