Monika Kryemadhi në intervistë te Babaramo

Intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo” në Report Tv.

Keni pasur dje një surprizë nga ana e LRI për ditëlindjen tuaj dhe keni pasur një tortë në formën e çizmes. Duket sikur po profili juaj politik po identifikohet me atë protestën, që patët atë ditë në Kuvend. Ju shqetëson kjo?

Mënyra se si të rinjtë e LRI-së e kishin konceptuar çizmen ishte shumë e bukur, me ato vargjet. Sipas tyre çizmja siç është simbol i së keqes është edhe simboli edhe i protestës kundër së keqes. Siç është simbol i shtypjes, është edhe simbol i revolucionit. Pra, e kishin ndërthurur shumë bukur. Ndonëse mund të ketë qenë një veprim agresiv ai i atë dite në Kuvend, erdhi si rezultat i një dhune të ushtruar ndaj deputeteve vajza. Kur dhunohen gratë dhe vajzat në godinën e Parlamentit, mendoni se si mund të dhunohen jashtë saj.

A ju ka thënë ndokush që e keni ekzagjeruar me atë veprim?

Unë kam një mik shumë të mirë, që është prift katolik, Dom Mariani. Pas veprimit me çizmen me tha se duhet të shkoja të rrëfehesha. Dhe unë gjithmonë i thosha që unë nuk pendohem për atë veprim. Të gjithë njerëzit janë të prekshëm, janë njerëzore, nuk janë hyjnorë. Në darkë Dom Mariani ishte në një familje katolikësh dhe më mori në telefon dhe më tha që dikush i kishte thënë që të “lutem shumë mund t’ia puthësh dorën asaj vajzës për këtë veprim që ka bërë”. Mund të ketë njerëz që e gjykojnë atë veprim dhe unë jam e bindur se mund të kenë njerëz që përkrahin LSI, njerëz që e kanë votuar LSI. Dhe nuk janë njerëz që ndihen të rrezikuar apo të frustruar apo të shfrytëzuar nga regjimi i Edi Ramës. Sot njerëzit ndihen të shpërdoruar në aspektin që kemi një biznes që është i margjinalizuar. Pjesa më e madhe e njerëzve që kam takuar kur shkoj në ambiente që politika është totalisht jashtë, ku mund të jem thjesht një qytetare e thjeshtë reagimin e parë që kanë e kanë me çizmen. Unë do theksoja që çizmja nuk është veprim force por është veprimi i një revolte të një parlamentareje ndaj një veprimi shumë diktatorial dhe shumë pervers sepse të gjakosësh një vajzë të re në 2018.

Përveç asaj që ka thënë publikisht Rama, ju ka thënë diçka për këtë incident që keni pasur?

Jo nuk kam kontakt. Nuk dua të kem kontakt sepse Rama ka vajtur shumë larg me shqiptarët dhe unë mund të isha një njeri shumë i thjeshtë që mund të bëja zgjedhje shumë pragmatiste. Mund të pranoja që të isha një shoqëruese e bashkëshortit tim, por mendoj që shqiptarët kanë nevojë për një person që nuk bën kompromise. Dhe për hir të së vërtetës, unë shquhem që jam te ata njerëz që nuk bëjnë kompromise në kurriz të shumicës. Misioni im është shumë i thjeshtë, origjinal për ta vazhduar LSI në llogoren e saj, në atë llogore të japi kontributin e saj për integrimin evropian.

 A keni biseduar ndonjëherë?

Për hir të së vërtetës jo, vetëm në momente të caktuara, qoftë kur jemi po themi në biseda momentale, mund të jemi duke dëgjuar ndonjë lajm dhe unë që mund të flas nën zë, me miq nëpër tavolina apo kur dëgjon ai kalimthi ndonjë deklaratë timen dhe thotë që unë jam shumë ekstremiste. Por sigurisht që një nënë është shumë ekstremiste kur bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve të saj dhe unë mendoj politika shqiptare nuk ka nevojë për hipokrizi apo për një stabilitet politik që krijoi një stabilitet të krimit të organizuar në Shqipëri. Unë mendoj që politika ka nevojë për ekstremist kundër këtij stabiliteti të krimit.

24 orët e fundit, policia ju dhe deputetë të opozitës ju kanë proceduar. Këtë procedim e merrni si paralajmërim, kërcënim apo e neglizhuat?

Unë nuk e shikoj ashtu, mendoj që edhe policia edhe prokuroria marrin urdhra. Unë nuk e shikoj si shqetësim, por si kërcënim që iu bëhet shqiptarëve, sepse duke iu dhënë mesazhin që ne përderisa po procedojmë deputetët ju të tjerët mos guxoni të dilni në rrugë dhe të bëni veprime të tilla, mosbindje civile. Por unë mendoj që kjo gjë nuk ndalet më tani sepse shqiptarët e ndjejnë që nesër do të jetë biznesi i vogël në një protestë dy orësh me uljen e qepenave kudo që janë për shkak të TVSH-së që i është vendosur biznesit të vogël . Artistët i kemi në rrugë, të cilët kanë një të drejtë jo legjitime por morale, patriotike sepse nuk bëhet thjesht fjalë për muret e një godine të vjetër por bëhet fjalë për një ligj që i përket teatrit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Bëhet fjalë për një mosbindje civile të shumë gjërave të cilat për hir të së vërtetës shqiptarët ndihen jo vetëm të frustruar por çdo ditë e më shumë litari në fytin e tyre po shtrëngohet. Nëse prokuroria dhe policia do ta kenë shansin të burgosin 39 deputetët nuk ka asnjë gjë. Kjo do të thotë se edhe Rama do të shkojë drejt dhënies me koncesion edhe të Policisë dhe të burgjeve, sepse do ta ndihmonte dhe kështu do ti shërbente akoma më shumë grupeve të veta të oligarkëve, sepse tashmë nuk ka mbetur asgjë tjetër. Në fakt kur ishim në protestë në Bradashesh, një banor tha se tashmë të japin me koncesion dhe lindjet e fëmijëve, sepse ka për të na vendosur taksa edhe kur të lindim fëmijë. Është një situatë sa qesharake për politikën kur e shikon, por aq e dhimbshme dhe aq dramatike dhe aq tragjike në jetën e përditshme dhe në situatën ku njerëzit dhe shqiptarët gjenden. Unë mendoj që edhe Rama vetë e kupton këtë gjë. Sepse deri dje ai ka qenë totalisht, mendoj, jo i izoluar, por i ka pëlqyer mënyra se si arroganca e tij nuk gjente përgjigje përballë. Pra kishte një popull që nuk reagonte, shikonte njerëz që shpërnguleshin dhe largoheshin, ndërkohë në anën tjetër shikonte dhe një klasë politike sadopak fajtore.

Të konsumuar?

Edhe të konsumuar, por më shumë bashkëfajtore për këtë realitet. Unë mendoj që ajo klasë politike që mendon se duhet të bëjë diçka për këtë vend nuk ka përse të mos bëj katarsisin brenda vetes së saj, nuk ka përse të mos vet pastrohet dhe nuk ka përse të mos marri përsipër gabimet dhe bashkëfajësinë e saj. Nuk ka asgjë të keqe. Të gjithë bëjmë gabime në jetë, të gjithë bëjmë gabime në jetën e përditshme.

Deputetët e LSI-së ishin nga më aktivët kundër taksës së Rrugës së Kombit, ndërkohë në këtë çështje janë të përfshirë të gjitha palët. E nisi qeveria Berisha si procedurë, e ekzekutoi një ministër i LSI-së i transportit dhe më pas kjo si procedurë u finalizua nga Rama. Përse njerëzit duhet të kenë besim te ju?

Kjo që thoni ju nuk është plotësisht e vërtet. Kjo që thoni ju ka një histori, sepse është që në 2011-ën e nisur si ide për mirëmbajtjen duke pasur parasysh që pati një lloj shembje të tunelit. Qoftë ministrat e qeverisë Berisha, qoftë ministri i LSI-së apo ministrat e LSI-së e kanë ndjekur. Ky është një studim i bërë nga IFC-ja, por asnjë nga ministrat e LSI-së nuk e ka firmosur këtë kontratë koncesionare. Kur ka qenë z.Dervishaj kontrata ka qenë në një proces gjyqësor në Gjykatë dhe shpalljen fituese të kompanisë mesa di unë e ka bërë kryeministria. Është një kontratë me koncesion, të cilën ministrat e LSI-së nuk e kanë dashur dhe nuk e kanë firmosur, duke e quajtur të paligjshme, sepse koncesionet janë më ligj dhe jo me VKM. Dhe tjetra kontrata ka dhe probleme të tjera, të cilat unë nuk mund të marr dot rolin e avokatit këtu për ta mbrojtur apo për ta sulmuar, por dua të them se pavarësisht bërjes së koncesionarit, unë mendoj që Rama duhet të ishte shumë transparent me qytetarët.

Ç’të keqe ka ky koncesion?

Që me ardhjen e qeverisë Rama në 2013-ën, ku po e them prapë dhe ne ishim pjesë e kësaj, shqiptarët kanë paguar më shumë se 500 milion euro taksa, qoftë për rritjen e taksës mbi të ardhurat, për taksën e qarkullimit apo taksës së biznesit. Nëse shqiptarët paguajnë 150 milionë euro për taksën e qarkullimit, nëse rruga e Kombit kushton për mirëmbajtjen 4.5 milionë euro, janë shpenzime, të cilat me të ardhurat që ne paguajmë me taksën e qarkullimit, brenda 3-4 viteve përfundimi i Rrugës së Kombit do të ishte shumë e mundshme. Së dyti, ne ishim shumë koshient dhe e dinim që, që kur Berisha e nisi Rrugën e Kombit, kjo rrugë për sa i përket përfitimeve ekonomike, ishte një rrugë, e cila nuk kishte fizibilitet, por u bë për hir të një bashkimi kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës. Pra, ishte diçka që do t’u shërbente të dy popujve. Kjo ishte kostoja që ne merrnim për shkak të patriotizmit dhe të nacionalizmit.

Që të jemi të qartë, ju jeni që aty të mos ketë pagesë fare? Pra, që të hiqet trau?

Po ne e paguajmë atë tarifë. Atëherë të na ulë taksën e qarkullimit, çmimin e karburantit. Pra, ne e paguajmë njëherë këtë tarifë, nuk kemi përse ta paguajmë dy herë të njëjtën taksë. Në qoftë se zotëria do t’ia japë koncesionarit, do t’i bëjë nder, le t’ia heqë 20 milionë nga taksa e qarkullimit dhe t’ia japë. Por me taksën e qarkullimit ai kërkon të paguajë koncesionarë të tjerë që nuk kanë lidhje apo impakt te qytetarët. Ne kemi koncesionin e shëndetësisë, check-up-in e famshëm, 300 mijë euro ka bërë investim kompania që e ka fituar koncesionarin dhe merr 12 milionë euro në vit. Nga i merr? Nga taksa e qarkullimit i merr. Ne kemi Rilindjen Urbane, me 500 milionë euro buxhet për katër vjet, ky është një shpërdorim i jashtëzakonshëm. Dhe për çfarë? Për skulptura? Për pllaka në sheshe apo për stola dixhitalë? Kjo është qesharake, kur ne kemi probleme të tjera shumë më madhore. A e dinë shqiptarët që në qoftë se paguajnë 150 milion euro taksë qarkullimi për mirëmbajtjen e rrugëve, as 30 milion euro nuk përdoren për këtë punë? Dhe ku shkojnë këto para? Në shkolla jo, në kopshte jo, në çerdhe jo, në bujqësi jo. Shkojnë tek koncesionarët, të cilëve u mbyllet goja. E njëjta gjë ndodh edhe me median, me gazetat, me televizionet. Do të mundohet t’u mbyllet goja portaleve e kështu me radhë.

Deri kur do të vazhdojë mosbindja civile?

Deri kur Rama të tërhiqet nga taksa e Rrugës së Kombit dhe nga TVSH-ja për biznesin e vogël. Ka edhe taksën e pronës, por edhe heqjen nga skema e ndihmës ekomomike të 20 mijë familjeve. Si do ta formalizosh ekonominë? Duke e futur në skemën e TVSH-së një sektor biznesi që përbën 70-80 për qind të të gjithë të punësuarve në vend? Ti rrënon biznesin e vogël që është boshti dhe shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare.

Çfarë indiciesh keni kur thoni që mbledhja e TVSH-së do jepet me koncesion?

Është kërkesa që i është bërë ish-Ministrit të Financave për të bërë këtë gjë, nga Kryeministri. Dhe kjo është një gjë shumë e rëndë. Dhe pastaj krijohet një rrëmujë. E para, Drejtori e Tatimeve nuk ka staf dhe kapacitet teknik për të mbledhur TVSH për bizneset e vogla. E dyta, rrënimi që i bëhet biznesit të vogël është i jashtëzakonshëm dhe i tmerrshëm. Pra, do kesh jo vetëm mbyllje, por për shkak të ekonomisë që ka Shqipëria sot, ne kemi një situatë me të vërtetë alarmante. Për aq para sa mund të fitojë një biznes i vogël, po themi fitimi i tyre 400 mijë lekë të reja në vit. Pra, një rrogë sanitari, 300 mijë lekë të vjetra në muaj. Dhe këto para që merr, ai do të jetë i detyruar që të paguajë një financier i cili do t’i bëjë bilancet e tyre. Dhe ne e dimë shumë mirë që biznes të vogël hap një njeri që nuk ka mundësi punësimi në shtet. Kemi filluar dhe gjobat, kemi parë se si janë bërë taksidarët e zyrave dhe tatimeve që janë kthyer në varrmihës të biznesit të vogël dhe ekonomisë që mban me pikën e fundit të gjakut ekonominë shqiptare dhe familjet më të varfra. Dhe në fund, do kemi një shpërngulje të tmerrshme që në këto 4-5 vite ke 450 mijë shqiptarë që ikin dhe nuk kthehen më dhe kur në total janë 1 milionë shqiptarë që janë shpërngulur.

Thirrja juaj, mos paguani taksa, a mendoni se është një thirrje antishtet, e ekzagjeruar?

Në qoftë se shteti do bëhet varrmihës i popullit të tij, pse do paguajë populli taksa për xhelatin e tij? Ne kemi marrë një vendim bashkë me PD në unitet të plotë dhe partitë e tjera të opozitës për thirrjen e popullit për mosbindje civile. Ajo çfarë dua të them është shumë e thjeshtë, mjafton tu kujtosh shqiptarëve dhe fëmijëve më të vegjël për historinë e Robin Hood-it. E njëjta gjë po ndodh dhe sot. Ndoshta nuk kemi shpatën dhe harkun e Robin Hood-it, por kemi shkatërrimin e bizneseve, largime nga puna për bindje politike, censurimin mediatik të individëve të caktuar, hapjen e proceseve penale për të frikësuar dhe shantazhuar njerëzit. Kemi një sherif të Nottingham që është Edi Rama, i cili jo vetëm dhunon por është kthyer në një sadist ndaj ekonomisë shqiptare, ndaj bizneseve shqiptare, ndaj rinisë shqiptare. Dhe mosbindja civile për mua është ilaçi më emergjent për ti thënë z. Rama që ti thërrasë mendjes dhe të kuptojë që këtu nuk është çështje pasionesh dhe dëshirash, por është çështje ligji, betimi të një vendi.

Jeni të kënaqur nga pjesëmarrja në protesta?

Pjesëmarrja ishte shumë e mirë. Të mendosh që për një gjysmë dite kishte një reagim të jashtëzakonshëm nga qytetarët. Unë isha në Elbasan dhe ishin 3 mijë protestues, burra dhe gra të agravuar, një pjesë ishin dhe biznese. Akoma biznesi i vogël nuk e ka ndjerë, por në muajin prill do kuptojë se çfarë ndodh realisht. Po ashtu edhe deputetët tanë që ishin në Fier dhe Lushnje, kishte një pjesëmarrje të madhe. Në Tiranë po ashtu kishte një numër të lartë.

 Në Elbasan ishin rreth 3000 veta. A nuk mendoni se kjo do ishte një pakicë që kërkon të imponojë pjesën tjetër?
Ka pasur një bllokim të madh të rrugëve, por kjo nuk ka të bëjë fare me imponimin. Domethënë, nuk ka pse dikush të imponohet. Një gjë më bëri përshtypje, ishte karvani i makinave që priste në autostradë për të kaluar, por ata nuk u larguan. Pra, do të thotë që edhe ata që ishin aty në rrugë dhe që prisnin të mbaronte protesta, ishin pjesë e jona. Ata ishin aty, mjaft të qetë. Kishin qytetari sepse aty kaloi mbi 3 herë ambulanca. Faktikisht, njërin e dinim sepse ishte një i afërmi i im, i cili po shkonte nga Tirana në Gramsh. Ndërsa dy rastet e tjera nuk i di, por dyshoj që edhe mund të dërgoheshin nga policia për të shkaktuar acarim te protestuesit. Njerëzit ishin shumë paqësorë dhe të mirëkuptueshëm dhe kjo më ka bërë shumë përshtypje.

Sa do zgjasin protestat sepse për hir të së vërtetës nga ana e PD-së kanë qenë të rralla, kur ndërkohë po fillojnë të bëhen të shpeshta?
Keni shumë të drejtë kur thoni për protesta të rralla për shkak edhe të mosunifikimit të opozitës, por tashmë mendoj që ne jemi në një pikë të përbashkët për të ecur më pas në hapa të sigurte. Ajo çka është me e rëndësishme dhe dua ta theksoj është që nuk ishte pikërisht opozita që tërhoqi popullin në një protestë kundër qeverisë, por e kundërta. Opozita është një instrument, i cili në parlament ka detyrën e saj për të kundërshtuar, riparuar apo përmirësuar diçka. Ashtu sikurse jep edhe argumentet e saj ose paraqet alternativa. Unë mendoj që tashmë opozita ka arritur unifikimin e plotë të saj për sa i përket rakordimeve, edhe pse nga ana programore qoftë LSI, PD apo partitë e tjera opozitare, nuk janë të njëjta apo në një vijë ideologjike. Ajo që është e rëndësishme në çështjen e taksave, shqetësimet çdo ditë e më shumë po rriten dhe shqiptarët po varfërohen. Për çështjen e sigurisë së jetës, garantimit të ambientit në të cilën do rriten dhe do shkollohen fëmijët e shqiptarëve, nuk ka nevojë për ideologji e as për drejtim politik. Ajo që unë e mënoj shumë të rëndësishme është pikërisht unifikimi i opozitës.

Sot ju kemi parë në aktivitete në ndryshme me kryetarin e PD-së. Çfarë ka ndodhur? Keni diskordancë?

Nuk ka pasur diskordancë. Z. Basha ishte me biznesin e vogël, ndërkohë që ne e kemi zhvilluar më parë dhe jemi rakorduar më parë. Ne sot ishim në një takim me aktorët dhe unë mendoj që kjo është shumë normale. Nëse do të kishte aktivitete të tjera paralelisht edhe të partive të tjera opozitare, takime me grupet e interesit, do të ishte shumë më mirë. Ne sot duhet të jemi në aktivitete të gjithanshme, kudo. Takime me të gjitha grupet e interesit pasi situata është e tmerrshme kudo. Nesër do të diskutohet ligji për tokën dhe ne do të shkojmë dhe do të denoncojmë vjedhjen e fundit që po u bëhet fermerëve. Është me të vërtetë shumë e rëndë. Ligji i ri qartazi favorizon krijimin e latifondistëve të mëdhenj duke rrënuar fermën e vogël. Ata fermerë të vegjël që mezi mbijetojnë do të dalin nga skema dhe do i detyrosh që ose të falin tokën për shumë pak lekë një latifondisti, ose do të shkojë të shesë lekët për 0.0001 lekë një latifondisti. Në të kundërt ai nuk do të ketë mbështetjen apo grante nga shteti. Pra çdo ditë e më shumë po orientohet që të gjithë njerëzit do të duhet të falen te një njeri dhe kjo është shumë e rëndë. Edi Rama nuk është mbreti ynë, që gati po shpall mbretërinë e tij të rilindjes. Vetëm në këto dy vite Taulant Balla dhe Damian Gjiknuri kanë dhënë 110 koncesione, vetëm në këto dy vite. Po të shikosh të gjitha shkojnë vetëm në një dorë. Të gjitha funksionet e këtij shteti janë fokusuar në 4-5 njerëz, të cilët ata pasurohen çdo ditë edhe më shumë. Ti mund të shikosh shumë mirë se si jeton Taulant Balla. Shiko ka një gjë, ne gjithmonë themi `oligarkët` për ta dhe shumë mirë bëjmë. Këto oligarkë apo biznesmenë dinë të bëjnë vetëm një gjë. Mjafton të shikosh se çfarë bën Taulant Balla me koncesionet në qarkun e Elbasanit apo me tenderët, atëherë është shumë e thjeshtë për të kuptuar që çfarë ndodhë. Pra, oligarkët kanë mekanizmat e tyre, që të futet tek bizneset e tjera. Sot ke shumë politikanë dhe deputetë që favorizojnë njëri tjetrin me koncesione. Pra të gjithë i ndajnë me pikë të barabarta, qoftë për cilësi apo gjëra të tjera. Ti nuk mund të favorizosh këtë njeri, i cili nuk ka eksperiencën për një gjë të caktuar. Pra, unë përshembull nuk bëhem dot juriste apo gazetare sepse nuk e bëj dot këtë gjë. Ne e kemi sistemin e tillë, pra atë ekonomik apo politik që po i shkatërrojmë çdo ditë e më shumë. Kjo krijon po themi një moment dëshpërimi, ku ne sot kemi një gjendje të tmerrshme sepse ngaqë na ka kapur kjo revolta, ku shumë fëmijë shqiptarë po na ikin nga Shqipëria. Kombet e Bashkuara treguan një shifër të frikshme, ku thoshte se fëmijët nga mosha 7 deri 14 duan të ikin nga Shqipëria. Kjo është shumë e rëndë, një vdekje e ngadaltë, por e sigurt e kombit shqiptar. Ajo që është shumë e rëndësishme sot, është pikërisht sensibilizimi i shqiptarëve.

Për sa i përket mosbindjes civile dhe bojkotimit të parlamentit, pati disa deputetë që morën pjesë nëpër komisione.

Kjo nuk është e vërtetë. Z. Haxhinasto ka qenë në komisionin e ekonomisë, njëjte edhe z. Vasili në atë të shëndetësisë. Kjo, për shkak sepse ishin kërkuar dëgjesa nga grupet e interesit, ku z. Haxhinasto kishte të bënte për çështjet ekonomisë, ndërsa z. Vasili për autizmin. Ajo ishte le të themi një lloj prezence. Unë jam për mosbindje civile edhe brenda parlamentit, por po themi është një vendim i organizuar, në një farë mënyre për të mos ia lënë komisionit, por për të ndjekur çdo gjë hap pas hapi.

Është e imponuar nga PD?

Jo nuk është imponuar. Në këtë mendim ka qenë dhe z. Fatmir Mediu, nuk ja për një bojkot total, por është një marrëdhënie e kushtëzuar me Parlamentin. Sepse nëse ne nesër nuk do jemi pjesë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese për të denoncuar për mediat ligjin për tokën bujqësore ku do e marrin vesh mediat se çfarë po ndodh me tokën bujqësore? Pra, ne nuk mund të themi që do krijojmë një lloj normaliteti, një jetë normale të jetës në Parlament por ne do të kemi një marrëdhënie të kushtëzuar me strukturat e Parlamentit. Duke pasur parasysh që strukturat e Parlamentit kanën një sjellje jo vetëm harbute, por edhe të dyshimtë ndaj deputetëve të opozitës, të cilën ne e kemi vendosur nën hetim politik, për të parë hap pas hapi se si shpërdorohen paratë e parlamentit, se si shpërdorohet institucioni i Parlamentit dhe se si instrumentet e Parlamentit janë kthyer në instrumente politikë të PS. Institucioni i Parlamentit nuk është as i Gramoz Ruçit dhe as i Taulant Ballës, por i shërben të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Por më shumë sekretarit të përgjithshëm, mbi shpatullat e të cilit rëndojnë disa akuza, jo vetëm për korrupsion, por edhe për implikim në krimin e organizuar.

Në rrethe të ndryshme, në qytete të ndryshme shumë këshilltarë të LSI dalin dhe deklarojnë se nuk i përkasin më kësaj force politike. Çfarë po ndodh?

Ky është një teatër i vjetër. Unë ju kërkoj falje të gjithë votuesve të LSI për listat e këshilltarëve të cilët janë përgatitur dy vite më parë, qoftë nga deputetët apo qoftë nga strukturat e LSI që janë paraqitur në KQZ, për vendosjen e njerëzve që jo vetëm nuk përfaqësojnë LSI, por edhe njerëz që nuk përballojnë dot presionin politik dhe për nivelin e tyre shumë të ulët. Mund të ketë shumë këshilltarë që nuk pajtohen me qëndrimin politik të LSI por më deklaratë qesharake se të largohen për evazionin rus apo kinez. Janë 54 këshilltarë nga 500 e ca që ka LSI. Nga këta 54, vetëm 20 janë të LSI, sepse 34 këshilltarë të tjerë kanë qenë të partive të tjera politike dhe kanë thënë që po ikim si të LSI. Për shembull, ai i Belshit nuk është i LSI, është nipi i Luan Duzhës që është deputet i PS, ka qenë deputet i Partisë Republikane, kaloi me LSI në zgjedhjet e 2013 dhe tani është deputet i PS. Kanë hyrë në këshillat bashkiakë me logo të tjera dhe jo me të LSI dhe për të krijuar një hemorragji sikur baza është kundër qëndrimeve të LSI. Këto janë lëvizje qesharake. Për mua nuk ka pasur asnjë lloj shqetësimi. Kjo ka qenë dhe një nga arsyet pse ne nuk kemi reaguar.

Mos arsyeja është që LSI ka qenë 8 vite në pushtet dhe rreth saj u afruan edhe njerëz pragmatistë…?

Kjo iu la në dorë deputetëve. Listat e këshilltarëve i bënë deputetët. Duke pasur parasysh që Meta në atë kohë ishte kryetar Parlamenti, listat e këshilltarëve janë si lista le t themi më pa vëmendje, ky është një nga gabimet më të mëdha. As 20 s’kishin pse të iknin, por mund të themi se kanë ardhur 70-80. Nuk mendoj se është lufta politike që shqiptarët kanë nevojë. Ata kanë nevojë të dinë a kanë punë nesër apo jo. Do të kenë para për të ushqyer fëmijët apo jo? Do t’u rritet rroga apo jo?

Ju i quani aksidente këto që kanë ndodhur me këshilltarët tuaj nëpër rrethe, por ndërkohë që po kristalizoni një qëndrim politik në Tiranë ndryshe nga qytetet e tjera. Përse e diskriminoni pozitivisht kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj?

Të treja rastet që janë, dy prej tyre duan të kthehen prapë në LSI, sepse i kishin gënjyer, pasi iu kishin thënë që LSI do t’iu digjte mandatet. Personi i tretë është i një parti tjetër që është i Legalitetit, z. Kraja. Nuk po i bëj fare as diskriminim pozitiv dhe as diskriminim negativ. Unë mendoj që marrëdhënia e LSI-së është me qytetarët dhe jo me individët. Përsa i përket këshilltarëve, do të jetë shumë më e kujdesshme në hartimin e listave. Kjo vlen edhe për listat e deputetëve, pasi ne mendojmë që marrëdhëniet nuk mund të jenë më individuale me liderin e partisë. Marrëdhëniet duhet të jenë institucionale me partinë. Pra, do të jenë strukturat e partisë ato që do të vendosin, qoftë për listat e këshilltarëve, qoftë edhe për listat e deputetëve. Sepse sot LSI nuk është më një parti që vjen nga hiçi, pra një parti e re. Është një parti e konsoliduar. Listat do të jenë të organizuara jo vetëm nga strukturat e partisë në qarqe, por në fund fare do t’i nënshtrohen diskutimit në kryesinë e partisë apo edhe në strukturat e tjera, siç është ajo e Komitetit Drejtues, që është shumë e rëndësishme me vendimmarrjen e saj. Përsa i përket individëve, mund të jetë dikush që nuk mund të ketë përkrahje në parti, por është një vlerë e shtuar në debatin politik në Parlament, atëherë do të jetë ai raporti që do të gjendet midis strukturës, bazës së partisë dhe lidershipit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Të kthehemi tek Veliaj, ju a do ta mbështesni atë nëse do të rikandidojë? A e shikoni ju atë ndryshe nga Rama?

Nuk dua të bëj komente, pasi është shpejt për të folur për këtë çështje. Unë do të thosha që ai vetë është në një situatë shumë të vështirë sot, sepse nuk dihet a do të jetë ai kandidati sërish. A do të jetë ai që do të ndjekë rrugën e Ramës, ku nga një kryetar bashkie të bëhet kryeministri i ardhshëm apo kryetari i Partisë Socialiste, duke pasur parasysh që kemi një Parti Socialiste në krizë. Z. Veliaj e shikoj në një pozicion shumë të vështirë duke pasur parasysh që për hir të së vërtetës, duke qenë një kryetar bashkie, me një qeveri e cila u jep mundësi grave, u krijon oportunitete shumë më të mëdha se sa një kryetar bashkie që ka një qeveri kundër, do të jetë përballë një side shumë të madhe. Ai do ta ketë shumë të vështirë për të rikandiduar për Bashkinë e Tiranës. Unë mendoj se Rama nuk do ta rikandidojë, sepse Veliaj po i bën hije Edi Ramës brenda Partisë Socialiste. Pra, po shikohet si një figurë e ardhshme e PS-së.

Ju si do dilni në zgjedhje, vetëm, me PD-në?

Ne aktualisht kemi unifikuar grupin parlamentar, që do të rakordohet për axhendën parlamentare përsa i përket qëndrimeve për ligje të caktuara, ashtu sikurse në momente të caktuara principet tona, parimet tona nuk do ti cënojmë, qoftë PD, qoftë LSI, por një rakordim dhe një axhendë të organizuar si grup parlamentar do ta kemi. Ndërsa përsa i përket zgjedhjeve lokale mund të them këtë që protesta e ditës së enjte i dha një shans shumë të mirë strukturave në bazë qoftë të Partisë Demokratike, qoftë të LSI apo partive të tjera të opozitës, për tu njohur apo për tu rakorduar, sepse patën një feeling pozitv në aspektin organizativ në protestën e ditës së enjte. Dhe kjo është një gjë pozitive. Pastaj se si do të ecim hap pas hapi, sigurisht që ne do të jemi shumë racional në vendimet që do të marrim, sepse sot nuk është momenti për të kënaqur egot tona personale apo politike, apo për të kënaqur egot e një grushti njerëzish. Sot problemi jonë kryesor është zgjidhja e këtyre çështjeve kryesore që kanë shqiptarët, heqjen e taksave, rritjen ekonomike.

Çfarë doni të thoni me të qënit racional? Keni parasysh çfarë ka ndodhur në vitin 2008 ku dy partitë e mëdha u bën bashkë dhe bën një kod dhe një kushtetutë kundër LSI apo keni parasysh marrëveshjen e 17 majit të vitit të kaluar?

Duke qenë se unë besoj në zot them që kur do ti bësh gropën tjetrit, bie vetë brenda. Sepse ka një rregullator shumë të madh lart mbi kokat tona, që i rregullon gjërat. Çdo sfidë që na jepet secili nga ne është një sfidë që zoti na çon për ta provuar, por mos harroni që nuk harron asnjëherë për të ndëshkuar, atë që jo vetëm është mosmirënjohës por është edhe hileqar. E them këtë, sepse në të dyja rastet qoftë në  marrëveshjen e 2008-ës, ku ndryshimet i bëra Rama, sepse ai vendosi veton, qoftë në marrëveshjen e 17 majit, nuk humbi LSI-ja. LSI-ja ishte fituese. LSI ishte fituese qoftë në moral, qoftë në numër deputetësh. Kur them racional them që LSI do të jetë shumë në marrdhënien e saj me qytetarët, do të jetë shumë bashkëpunuese me forcat opozitare, sepse sot jo vetëm në pushtetin qendror, por edhe në pushtetin lokal, është shumë e rëndësishme për të dhënë një devizë të re të funksionimit të pushtetit vendor.

A është kodi i ri zgjedhor, një test, flitet për një prim, çka e bën rolin e LSI të zbehet?

Ne si LSI nuk kemi asnjë lloj problemi për çfarëdolloj marrëveshje.

Keni sinjale që po tenton ta bëjnë?

Jo nuk kemi. Më shumë janë muhabete tavolinash apo mllefe personale të personave të caktuar ndaj partive të tjera. Për LSI nuk ka asnjë lloj problemi. LSi e ka treguar që nuk kompleksohet ndaj çdo lloj vendimi që mund të merret.  LSI është për një kod zgjedhor, i cili është i hapur për çdo njeri që kërkon të zhvillohet në jetën politike shqiptare dhe sigurisht është për një kod zgjedhor që fati i politikës të mos mbetet në duar të kryetarëve. Sepse një kod zgjedhor që do të ngelet në duar të kryetarëve do të prodhojë kryetarë arrogantë, do të prodhojë kryeministria arrogante dhe do të prodhojë një politikë arrogante. Ne jemi për përfshirjen e shumë faktorëve. Unë mendoj se politika shqiptare ka nevojë për faktorë të rinj, ka nevojë për politikanë të rinj, ka nevojë për indicia të reja dhe prurje të reja, sepse në këto 27 vite tranzicion ne jemi shumë të varfër politikisht, e kemi nisur procesin e integrimit europian bashkë me vende të tjera, dhe vendet e tjera janë pjesë të BE-së. E kemi nisur procesin e integrimit europian me shumë vende të tjera dhe vendet e tjera tashmë janë pjesë dhe ne jemi akoma jashtë madje po largohemi nga BE në vend që të afrohemi dhe mendoj që një kod zgjedhor i cili do ta bënte të barabartë votën e qytetarëve, ka pafundësisht mënyra sa më i thjeshtë të bëhet  procesi zgjedhor aq më i kollajshëm është jo vetëm për njerëzit për ta kuptuar por edhe për menaxhimin e procesit zgjedhor. Është si puna e asaj, duam të vëmë vetullat edhe nxjerrim sytë. Proporcional kombëtar do të ishte shumë mirë sepse vota do të ishte e barabartë edhe me lista të hapura. Por për ne nuk ka asnjë lloj problemi ky është një mendim i imi personal. Është ngritur një komision dhe ne jemi shumë skeptik për të sepse nuk mblidhet, mblidhet shumë pak.

Do ia paraqisni z. Basha këtë shqetësim se pse nuk funksionon? 

Ne kemi z. Luan Rama përfaqësues, është ngritur një komision teknikësh. LSI ndryshe nga herët e tjera e ka të ndarë orientimin, unë jam përfshirë më shumë për aksionin politik, z.Vasili për çështjet parlamentare, z. Luan Rama për çështjet e reformës zgjedhore, znj. Gjosha dhe Mehmetaj për çështje ndërkombëtare. Kemi bërë një ndarje të detyrave dhe axhendës për secilin nga ne dhe kemi krijuar një mundësi komunikimi dhe një shtrirje të lojës apo të veprimtarisë politike. Dhe për çështjet e kodit zgjedhor është z.Rama që diskuton dhe iu shkon të gjitha detajeve dhe që komunikon me z. Oerd Bylykbashi nga PD. Dhe më pas ne do ta kemi të nevojshme për tu ulur dhe për të marrë vendimet politike të ulemi të gjithë bashkë. Ndërsa përsa i përket kandidatëve akoma nuk e kemi diskutuar sepse mendojmë që është akoma shumë herët. Edhe PD dhe LSI nga ana e saj apo dhe parti të tjera të frontit opozitar janë në gjueti kandidaturash të cilat janë kandidatura shumë të mira për pushtetin vendor. Duhet të jenë kandidatura të cilat marrin përsipër për ti shërbyer qytetarëve por jo për tu kthyer në ushtarë të politikës.

3 apo dy kandidatë në zgjedhjet lokale? 

Nuk kemi rënë dakord akoma por jemi në diskutime. Ka një lloj dashamirësie pozitiviteti apo bonsensi por jemi në diskutime për të vendosur kriteret që duhet të ketë kandidati.

Keni rënë dakord që të shkoni bashkë në zgjedhje? 

Jo 100% jemi aty. Unë mendoj që sot është shumë më e rëndësishme për të qenë të unifikuar  dhe solid në mosbindjen civile dhe në luftën që ne kemi marrë përsipër për të liruar qytetarët kuksianë të cilët për hir të së vërtetës vazhdojnë të jenë në burg kur ndërkohë kryeministri kërkoi falje publike që kishte bërë gabim për të cilën ata protestuan. Dhe kjo është absurditeti më i madh për politikën që është sot dhe i opinionit publik, mediatik se pavarësisht se ne themi që kemi nevojë për media, vërtet kemi nevojë për media. Të jenë jo në përkrahje të politikës por të qytetarëve.

SHKARKO APP