Monika Kryemadhi publikon prova të reja për Inceneratorët: Fusha e betejës sonë është SPAK
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një konferencë për mediat ka publikuar prova të reja për kompanitë e inceneratorëve.
Kryemadhi i ka bërë thirrje drejtësisë që të zbardhë çështjen, ndërsa shtoi se do të vijojnë të dërgojnë në SPAK dokumente të tjera që vërtetojnë këtë aferë.
“Dezinformacione, mashtrime dhe shërbime në kuadër paniku që zyra e shtypit të Ramës është futur në sulm për të çorientuar objektivin kryesor të zbardhjes së çështjes së inceneratorëve, për të nxitur sistemin e drejtësisë për të frenuar skemën korruptive. Rama gënjeu në komisionin hetimor, megjithatë sapo u njoha me një deklaratë të kompanive të inceneratorëve që ka përfituar mbi 100 mln dollar nga buxheti i shtetit, dhe qenkan të shqetësuar se nuk qenka e vërtetë… kjo është një histori që SPAK do e zbardhë, nuk ju jap dot faturat deri sa të dorëzoj totalisht me qindra mijëra fatura në SPAK.
Po u nxjerr vetëm një nga faturat e një kompanie, që vlerat shkojnë 220 mln lekë, 89 mln lekë. Janë fatura të hedhura në sistemin fiskal. Ndaj të nderuar inceneratorist, që merrni frymëzim nga Rama, fusha e betejës sonë është SPAK, ne jemi në SPAK, do vazhdojmë të dorëzojmë dokumente, SPAK të tregojë se Edi Rama nuk mund të vjedhë 189 mln dollarë me fatura! Të marra nga buxheti i shtetit dhe të futura në xhepat e tij dhe për të blerë cdo gjë që i duhet për të larguar vëmendjen nga korrupsionin. Po të kishte drejtësi, Rama do ishte me Bllakon tani“, deklaroi Kryemadhi ndër të tjera.