Moti i acartë deri të premten/Balluku: Qytetarët u keqinformuan, akset rrugore janë të hapura

Edhe pse që prej mbrëmjes së djeshme në doganën e Qafë-Thanës janë të bllokuar dhjetëra qytetarë duke pritur për të kaluar drejt Maqedonisë së Veriut, në seancën e kësaj të hënë në Parlament, ministrja Belinda Ballaku tha se akset rrugore janë të gjitha të hapura.

Ajo shtoi se qytetarët janë keqinformuar në lidhje me situatën e motit të keq, ndërsa shtoi se kjo nuk duhet të zgjasë më. Histori kolektive e konsideroi këtë gjë Balluku ndërsa shtoi se duhen zbatuar rregullat. Balluku kërkoi mirëkuptim dhe respekt për punën e punonjësve që kanë qenë në gatishmëri.

”Kemi pasur mbi 1 mijë punonjës në të gjithë territorin të cilët janë kujdesur për të kaluar sa më parë këtë situatë të motit ekstrem. Duhet të them që gjithmonë ka vend për t’u përmirësuar, por ama duhet vlerësuar mënyra se si përballemi me vështirësitë. Nuk kemi frikë as punën dhe as sfidat. Nuk na ka mposhtur as tërmeti, as pandemia edhe as një stuhi bore, por ajo që shqetëson shumë është një histeri kolektive e cila nuk ndihmon as ne për të bërë punën dhe as qytetarët që dezinformohen dhe keqinformohen me kas dhe kjo është diçka që nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Akset janë të hapura. Të gjithë kanë qenë në krye të detyrës. Kemi bërë maksimumin dhe do vazhdojmë të bëjmë. Çfarë është e rëndësishme për qytetarët është që të kuptojnë që në këto momente të respektojnë respektimin e rregullave. Në akset ku kërkohet kujdes duhen plotësuar këto kushte për të ruajtur sigurinë rrugore për të ruajtur jetën e secilit prej nesh. Do të kërkoja që të shikohet me pozitivitet gjithë kjo situatë, të tregohet mirëkuptim dhe minimalisht respekt për punën që kanë bërë qindra mijëra burra e gra gjatë këtyre tre ditëve, të cilat ishin vështirë që të ndiqeshin nga brenda makinës ashtu siç na u tha nga opinionistë të ndryshëm”, tha Balluku.

Nga ana tjetër, ministrja shtoi edhe se moti i acartë do të zgjasë deri të premten. “Kjo situatë do të jetë aktive deri të premten me temperaturave të ulëta. Emergjencat Civile kanë një plan. Deri atëherë kërkojmë vëmendje të plotë nga qytetarët e përfshirë në këtë situatë”, tha Balluku.

SHKARKO APP