Mundësia e dënimit të Truamp më 18 shtator, ndërhyrje direkte në zgjedhjet presidenciale

Mundësia e një dënimi penal për ish-Presidentin Trump

Masa e dënimit për ish-Presidentin Trump është planifikuar të jepet më 18 shtator për pagesat e bëra për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë. Avokatët e tij i kanë kërkuar gjykatësit ta shtyjë procedurën deri pas ditës së zgjedhjeve. Vendimi pritet të merret në fillim të këtij muaji.

Në një letër drejtuar gjyqtarit Juan M. Merchan, avokatët e ish-Presidentit Trump sugjeruan se dhënia e dënimit siç ishte planifikuar, rreth shtatë javë para ditës së zgjedhjeve, do të ishte ndërhyrje në zgjedhje. Më 16 shtator, gjykatësi Merchan pritet të vendosë mbi një kërkesë tjetër të ish-Presidentit Trump për ta pushuar gjithë çështjen, për shkak të vendimit rreth imunitetit presidencial të marrë në korrik nga Gjykata e Lartë.

Ish-Presidenti Trump u gjend fajtor në maj për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit për të fshehur një pagesë prej 130,000 dollarësh për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels, pak para zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës. Falsifikimi i të dhënave të biznesit dënohet me burgim deri në katër vjet. Dënime të tjera të mundshme përfshijnë dënimin me kusht, një gjobë ose një lirim me kusht që do të kërkonte që ish-Presidenti Trump të mos bënte shkelje të mëtejshme, për të shmangur dënimet shtesë.

Hapat e ardhshëm në çështjet e tjera gjyqësore ndaj ish-Presidentit Trump në Nju Jork

Të premten, Gjykata e Apelit do të dëgjojë argumentet për apelimin e ish-Presidentit Trump ndaj vendimit të një jurie vitin e kaluar që e urdhëroi atë t’i paguajë 5 milionë dollarë shkrimtares E. Jean Carroll, pasi ai u gjend fajtor për sulm seksual dhe shpifje ndaj saj. Ish-Presidenti Trump gjithashtu po apelon një vendim gjyqësor të dytë të janarit, kur një juri vendosi se ai ka përgjegjësi për pretendime të mëtejshme për shpifje dhe e urdhëroi atë t’i paguante zonjës Carroll 83.3 milionë dollarë. Avokatët e ish-Presidentit Trump kanë kohë deri më 13 shtator për të paraqitur një material përmbledhës për këtë apelim.

Më 26 shtator, një gjykatë apeli në Nju Jork do të dëgjojë argumentet verbale të apelimit të ish-Presidentit Trump ndaj një vendimi të marrë në një proces gjyqësor civil me një gjobë prej gati 500 milionë dollarësh, bazuar në padinë e prokurores së Nju Jorkut, Letitia James. Gjykata vendos zakonisht rreth një muaj pas dëgjimit të argumenteve, që do të thotë se një vendim mund të merret përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Avokatët e ish-Presidentit Trump thonë se ishte “i gabuar” dhe “tronditës” vendimi i një gjyqtari më 16 shkurt se ish-presidenti gënjeu për vite me radhë për vlerën e pasurive të tij të paluajtshme. Avokatët e shtetit u përgjigjën nëpërmjet dokumentacionit të paraqitur në gjykatë këtë javë.(Marrë me shkurtime nga VOA)

SHKARKO APP