Mustafa Nano: Edi Rama më ka shokuar me shijen e keqe në rekrutimin e njerëzve
Nga Fatjona Mejdini/Skena politike në Shqipëri është trazuar nga dorëheqja e një deputeti socialist – dhe edhe më shumë nga letra e tij publike ndaj kryeministrit dhe liderit të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Letra e largimit të deputetit të Gjirokastrës, Vladimir Kosta ishte e mbushur me emocion dhe akuza pasionante drejtuar Ramës, duke e akuzuar kryeministrin se ka bërë aleanca të gabuara politike, duke e përqendruar pushtetin mes një grupi të vogël njerëzish dhe për nepotizëm.
Ai gjithashtu e kujtoi kryeministrin se shqetësimet e tij rreth çështjeve të caktuara ishin lënë vazhdimisht në harresë, duke e bërë atë të ndihej i anashkaluar në rolin e tij si anëtar i parlamentit.
Kosta nuk është i vetmi deputet socialist që e akuzon Ramën se po bën një lidership problematik. Ben Blushi, një ish-ministër dhe zë politik tepër i artikuluar, gjithashtu ka pasur një marrëdhënie të vështirë me Ramën – dhe tani është një kritik i ashpër brenda partisë.
Analistët në Tiranë thonë se fakti që Rama ka qartazi probleme komunikimi me deputetët e tij, nuk i befason ata.
Neritan Sejamini, analist media dhe profesor i shkencave politike në Universitetin e Tiranës, i tha BIRN se që nga fillesat e tij në politikë Rama ka qenë një lloj autokrati.
“Ai është një autokrat tipik ballkanas në mënyrën se si sillet dhe ç’është më e rëndësishme, se si merr vendime. Ai është shumë i mirë në imponimin te të tjerët të shijeve dhe mendimeve të tij, duke mos lënë vend për kritikë”, tha Sejamini.
Megjithatë, ai thekson se ndryshe nga shumë liderë të tjerë autoritarë të vendit në të shkuarën, Rama ka karizëm dhe elokuencë në mënyrën se si e prezanton veten në publik.
“Njerëzit nuk janë mësuar të shohin një lider autoritar të veshë çorape të kuqe [duke iu referuar zgjedhjes së rrobave nga Rama], ndaj ata priren ta shohin atë me sy më të mirë se paraardhësit e tij,” tha ai.
Mustafa Nano, një tjetër analist dhe prezantues emisioni i programit “Zululand”, i tha BIRN se ai bie dakord se Rama është autoritar, por se e sheh këtë si gjënë më pak të keqe në stilin e drejtimit të tij.
“Edhe liderët si ish-kryeministri britanik Tony Blair kishin një stil autokratik, siç shohim së fundmi Donald Trump, një autoritar i plotë që mbështetet nga [shumë] njerëz,” argumentoi ai.
Për Nanon, një disavantazh i Ramës është shija e tij në përzgjedhjen e njerëzve.
“Ai më ka shokuar me shijen e keqe në rekrutimin e njerëzve, disa prej të cilëve kanë pasur probleme në të shkuarën me gjyqësorin. Mendoja vërtet se ai ishte mjaftueshm i emancipuar për të mos bërë zgjedhje të tilla,” tha ai.
Gilman Bakalli, profesor i Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës, thotë se liderët e përshtasin stilin e komunikimit sipas audiencave të ndryshme.
“Nuk kam njohur kurrë njerëz me vetëm një stil komunikimi. Jam i sigurt se Rama ka gjithashtu shumë stile, të përshtatura me personat dhe rrethanat. Politika është një fushë që kërkon njerëz me regjistra të shumëllojshëm komunikimi, që mund të shkojnë nga pasivi te agresivi,” theksoi ai.
Bakalli gjithashtu beson se deputeti në largim është pjesërisht përgjegjës për mungesën e respektit dhe shpërfilljes nga Rama.
“Nëse hyn në rrethin e dikujt duke paguar për të kënaqur kryeministrin, e ke vulosur fatin tënd që nga fillimi i karrierës,” tha Bakalli. BIRN