Mustafa: Sulm ndaj pavarësisë, Thaçi: Janë persona që nuk e duan Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka dënuar ngjarjen e mbrëmshme në Kuvend, ku persona ende të paidentifikuar sulmuan selinë e Kuvendit me një mjet shpërthyes, të dyshuar si predhë antitank. Në një postim në FB, Mustafa shprehet se ky është një sulm ndaj pavarësisë dhe se askujt nuk i lejohet të terrorizojë institucionet.Mustafa i bëri thirrje të gjithë organeve të shtetit që të zbardhin këtë ngjarje dhe autorët të vihen para përgjegjësisë.
Postimi i Isa Mustafës në FB: Sulmi mbi ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është atak ndaj pavarësisë sonë. Kuvendi është organi më i lartë legjislativ, simbol i rregullimit tonë shtetëror dhe demokratik. Askujt nuk i lejohet të terrorizojë institucionet e shtetit tonë.
Ftoj organet e rendit të punojnë në zbardhjen e këtij rasti shumë të dëmshëm dhe tepër të shëmtuar si dhe qytetarët ta japin ndihmesën e tyre. Kryerësit e kësaj vepre duhet të dalin para drejtësisë. IM
Sulmin e ka dënuar edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili deklaron se sulmi i Kuvendit u bë nga persona që nuk e duan Kosovë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: Dhuna sjell frikë, frika sjell urrejtje dhe urrejtja sjell pastaj edhe më shumë dhunë. Mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, por ajo për të cilën të gjithë duhet të pajtohemi është se dhuna nuk duhet të ketë vend në Kosovën tonë. Dënoj ashpër sulmin e mbrëmshëm në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Mund të mos jemi në dijeni të emrave të sulmuesve, por e dimë se ata janë njerëz që nuk e duan Kosovën, që nuk ia duan të ardhmen evropiane qytetarëve tanë dhe nuk duan që fëmijët e Kosovës të rriten në paqe. Kam besim se organet e drejtësisë do t’i identifikojnë sulmuesit dhe do ta zbardhnin rastin. Dhe kam besim se të gjithë do të bashkohemi dhe nuk do të lejojmë që dhuna të zë vend në shoqërinë tonë. HTH


KOHA JONË SONDAZH

