Mustafaj komenton vizitën e Merkel: Ultimatumi i kancelares nuk e zuri Vuçiçin në befasi

Vizita e fundit e Angela Merkel si kancelare në Ballkan jep garanci se procesi i Berlinit do të vazhdojë edhe nga pasuesi i saj. Kështu deklaron ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj i ftuar në “Abc live”.

“Nisma e Berlinit është më e rëndësishme që ka marrë Gjermania. Me këtë vizitë do të ritheksojë rëndësinë e kësaj nisme dhe rajonit. Ka një gjë të bukur se për ne vetë Merkel jep një garanci se nisma e Berlinit do të vazhdojë. Do të thotë që mbështetja e Gjermanisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor do të jetë në vëmendje të politikës së jashtme” tha ai.

Më tej, Mustafaj komentoi edhe deklaratën e Angela Merkel një ditë më parë në Beograd, ku në konferencën e përbashkët me Aleksandër Vuçiç tha se Serbia nuk mund të integrohet në BE nëse nuk njeh Kosovën.

Sipas Mustafajt, deklarata e Merkel nuk e ka zënë në befasi presidentin serb, pasi mund të jenë konsultuar paraprakisht. Ish-diplomati shprehet se kjo deklaratë është pranuar nga Vuçiç dhe se mund t’i shërbejë atij gjatë fushatës elektorale.

“Kompromisi që tha Vuçiç dhe pragmatizmi i Merkel përkthen të njëjtin rezultat. Nuk është hera e parë që Kosova është kushti që duhet të plotësojmë për integrim. Ai ka filluar ta përgatisë duke e thënë vetë herë pas here. Merkel e ka të qartë se nuk ka paqe pa një normalizim midis dy vendeve. Pati kurajo Merkel ta thotë tashmë publikisht. Besoj se kjo është bërë me mirëkuptim paraprak. Nuk besoj se Merkel e ka zënë në befasi mikpritësin e saj. Nuk është etike nga ana diplomatike ta zësh në befasi. Unë besoj se Vuçiç është pajtuar me këtë që tha Merkel paraprakisht se ai do të futet në fushatë elektorale tani dhe do të përdorë edhe këtë deklaratë të Merkel.

Unë nuk e di se ç’kompromis mund të bëjë Kosova. Po të nisemi nga idea e administratës Trump për lëvizje kufijsh besoj se është një ide që rri në kokën e Vuçiç. Por konteksti Serbi-Kosovë është tjetër nga ai Shqipëri-Greqi. Këtu është një proces i pambaruar në shumë aspekte. Unë i rikthehem që edhe për ndarje kufijsh apo shkëmbime territori përsëri Vuçiç nuk e zotëron situatën në Serbi. Unë vetë jam kundër. Në të njëjtën kohë kur doli idea e shkëmbimit të territoreve ne njohëm deklaratën e Daçiçi që në partinë e tij është një faktor i rëndësishëm dhe tha që ne nuk japim asnjë centimetër. Vuçiç duhet të shfaqë përmbajtjen, çfarë nënkupton ai me kompromis. Kjo është një platformë që duhet zhvilluar. Procesi i deklaratave nga Kurti është deklaruar se është futur në një fazë të re. Është rasti që të dyja palët të shfaqin çfarë nënkuptojnë me kompromis,” tha Mustafaj.

SHKARKO APP