Rama: Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, një destinacion përfaqësues i trashëgimisë sonë kulturore
Turizmi kulturorë dhe historik, është pjesë e panoramës së plotë të atyre vlerave, me të cilat tradita, historia dhe përkatësia jonë identitare përfaqësohen denjësisht.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një nga ato destinacione të trashëgimisë kulturore, që nuk duhen humbur.
Mos harroni! E diela e fundit e çdo muaji, është e Diela e Muzeve, ku hyrja është FALAS! njofton Kryeministri Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shek. XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit. Në sallën kryesore janë vendosur një koleksion ikonash dhe objekte nga më të mirat, krijuar në shekuj e që pasqyrojnë momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre. Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj.