Nano ”shkund” Policinë, por a mjafton?
Nga: Redjon Shtylla
Sikurse u bë e ditur, me marrjen e postit si kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano nisi punën me lëvizjet që tashmë është kthyer në një ritual sa herë ndërrojnë drejtuesit. Për të lëvizjet i paraprijnë ndryshimeve të tjera që do të bëhen në drejtuesit e tjerë të Policisë, në nivel vendor.
”Jemi në procesin e përmirësimit të akteve normative që rregullojnë veprimtarinë e Policisë së Shtetit, aplikimit të sistemit të ri të vlerësimit të performancës, si një instrument kyç për të përmirësuar besueshmërinë dhe transparencën gjatë ecurisë në karrierë të punonjësve të Policisë së Shtetit, si dhe të studimit për riorganizimin e përgjithshëm të strukturës së Policisë së Shtetit”.
Lëvizjet vijnë pasi 100-ditëshi që Edi Rama i la Policisë për përmirësim të situatës skadoi, dhe janë 13 krime mafioze të pazbardhura. Por a janë lëvizjet e emrave, element që përmirëson situatën? “Krimi, krimi, krimi”. Me nerv, gjakënxehtësi dhe i çorientuar. Kështu shpërtheu disa kohë më parë kryeministri Edi Rama, kur u vu përballë fakteve se krimi ka tejkaluar vijën e kuqe dhe ka marrë peng Shqipërinë.
Prej disa javësh vendi po përjeton krime të frikshme, çdo ditë vërshojnë plumbat edhe nën sytë e forcave speciale të Policisë së Shtetit. Atentate me eksploziv në limitet e një akti terrorist, ekzekutime mafioze e deri tek vrasje me thikë apo dhe ato për motive banale, kanë bërë që policia ti përgjigjet situatës me postblloqe.
Kudo polici, forca speciale, të armatosur deri në dhëmbë që po terrorizojnë qytetarët. Por a tregon ky reagim se kemi një polici të dobët? Pra një polici që ngrihet në këmbë kur situata i del nga kontrolli dhe bën propogandë?
Në Policinë e Shtetit duhet reformë jo për të ndërruar postet siç është bërë ndër vite, por për të forcuar krahët e tyre, për të qenë efektivë të përgatitur përballë krimit, dhe jo të dërgohet për ”shëtitje” dhe aty ata humbin jetën.
Një patrullë policie nuk mund të dërgohet në një zonë problematike, pasi aftësia e tyre dhe përgatitja nuk është përballë krimit. Vendi ynë ka një polici të frustruar dhe ka shumë probleme në radhët blu, ndërsa nga ana tjetër, kemi kriminelët që kanë uri për vrasje.
Lëvizjet
1-Lorenc Panganika, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
2. Drejtues Hamdi Fiora, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
3. Kryekomisar Gentian Berberi, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
4. Drejtues i Parë Ardian Çipa, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
5. Drejtues i Parë Alfred Çepe, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
6. Drejtues i Parë Gjovalin Loka, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.
7. Drejtues i Parë Neritan Nallbati, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
8. Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, në detyrën Drejtor i Departamentit për Sigurinë Publike në DPPSh.
9. Drejtues Edmond Sulaj, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.
10. Drejtues i Parë Bledar Çeliku, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër.
11. Kryekomisar Oltion Bistri, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.
12. Drejtues i Parë Skënder Hitaj, në detyrën Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.
13. Kryekomisar Alban Dautaj, në detyrën Drejtor i Drejtorisë së Antiterrorit.
14. Drejtues Saimir Boshnjaku, në detyrën Drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Tiranë.
15. Drejtues Fatmir Hoxha, në detyrën Drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Korçë.
16. Kryekomisar Sokol Cana, në detyrën Drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër.
17. Kryekomisar Arben Joca, në detyrën Drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Shkodër.
18. Kryekomisar Lorenc Shehu, në detyrën Drejtor i Qendrës së Mbyllur të të Huajve në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit.