Ndahet nga jeta kompozitori i njohur Agim Krajka

Një lajm i trishtë dhe i dhimbshëm për muzikën shqiptare. Është ndarë nga jeta kompozitori i njohur Agim Krajka.
“Uroj që shpirti yt të pushojë në qiell babai ynë i dashur”, shkruan i biri, Ulis Krajka.

Kompozitori shuhet në moshën 83 vjeçare.

Agim Krajka u lind në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij luante në disa instrumente muzikore, si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë i ati.

Në vitin 1963 Krajka fillon studimet për teori e kompozicion dhe i përfundon ato në vitin 1968. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1960 filloi punë në Ansamblin e Ushtrisë ku punoi 2 vjet. Në vitet 1962-1964 kalon në Radio Tirana si fizarmonicist dhe drejtues i kompleksit të vogël instrumental.

 

 

Viti 1964 e gjen pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë. Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Ai është nderuar me mbi 15 çmime.

Agim Krajka ka shkruar një cikël me përpunime këngësh popullore për kanto e piano, uverturë rinore, romancë për violinë e orkestër simfonike , suitë me valle popullore për orkestër simfonike etj.
Muzikën e filmave “Çifti i lumtur”, Zonja nga qyteti”, “Zonja nga fsahti”, Njësiti Gueril” etj.
Muzikë skenike të baletit me një akt “Duarartët vigjëlentë” ekzekutuar nga TKOB në vitin 1981
Përveç këtyre punimeve të mësipërme ka lëvruar mjaft motive vallesh të cilat janë nderuar edhe me çmime të para si: vallja e Librazhdit, vallja e Tiranës, vallja çame etj.
Për aktivitetin dhe kontributin e tij artistik është vlerësuar me çmime, urdhra e medalje dhe mban titullin: Mjeshtër i Madh”.

 

SHKARKO APP