Ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut për Integrimin, Komisioni Europian reagon mbi pyetjen e “Këshillimit Kombëtar”
“Shqipëria duhet të presë apo kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut për të vijuar rrugëtimin drejt Bashkimit Europian”, është njëra nga 12 pikat e pyetësorit të qeverisë drejtuar qytetarëve, pagëzuar si “Këshillimi Kombëtar”.
Komisioni Europian thotë se çështjet dypalëshe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të zgjidhen si çështje prioritare dhe nuk duhet të pengojnë procesin e zgjerimit. “Ne vazhdojmë të inkurajojmë të dyja palët që të arrijnë një zgjidhje të pranueshme reciproke për çështjet e mbetura pezull”,-thuhet për “A2cnn”.
Në përgjigje zyra e shtypit të Komisionit thekson, gjithashtu se të dy shtetet i kanë përmbushur kushtet për negociatat.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet për zhvillimin e negociatave. Komisioni do të mbetet në kontakt me të gjitha palët përkatëse dhe do të punojë me Presidencën për të arritur qëllimin tonë të përbashkët për fillimin zyrtarisht të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur”.