Ndër themeluesit e PS, Limoz Dizdari: Partia po shkatërrohet, ja pse edhe socialistët do jenë në 2 mars në shesh
Limoz Dizdari, kompozitor dhe ndër themeluesit e Partisë Socialiste i ftuar në ‘Kjo Javë’ në ‘News24’ deklaroi se kjo parti po shkatërrohet, ndërsa theksoi se shqiptarët duhet të kenë shumë arsye për të dalë në Bulevard në 2 mars.
Teksa ka pranuar hapur që do të jetë pjesë e këtij manifesti, të thirrur nga presidenti Ilir Meta, Dizdari tha se shqiptarët e thjeshtë i shqetësojnë shumë probleme që për ta janë jetike. Po ashtu ai përmendi dhe faktin se ka qenë ndër personat që ka dhene mendim për letrën e socialistëve të vjetër. Ai theksoi mes të tjerash se do të jetë në Bulevard për të përkrahur shqetësimet institucionale të Presidentit.
PJESË NGA INTERVISTA
Pse e mbështesni thirrjen e Metës?
Më vjen mirë që ka interes, do të thotë se ka shqetësim. Përderisa ka shqetësim, duhet të ketë të vërteta. Unë shkoj në manifest për ato shqetësime që rrëfen presidenti. E theksoj këtë. Kjo që bëj unë është krejt normale. Unë ju garantoj se ka me mijëra të tjerë që e mendojnë këto por se thonë. Ne duhet të besojmë tek vota dhe fjala e vërtetë dhe tek qëndrimi ynë konsekuent. Kjo më bën që të them se nëse ka një shqetësim presidenti lidhur me deformimin që i bëhet strukturuarve, formacioneve të institucionit, ky është një konstatim institucional dhe duhet ta dëgjojmë. Duhet të mbajmë qëndrimet tona me vonë, ndaj qëndrimeve që kemi ndaj presidentit. Nëse është zgjedhur një president që për mendimin tim nuk është me i miri, ai kemi.
Çfarë marrëdhënie keni me presidentin Meta?
Të gjithë udhëheqësit e politikës, i kam vlerësuar. Doktor Berisha erdhi si mjek në Kuvend. Me tërë problematikën që mund të kem pasur për të, është Berisha i pari që solli demokracinë. Kur erdhi puna që u bë rotacioni, që ikën demokratët dhe erdhi Fatos Nano, ky ishte një politikan i suksesshëm. Ilir Meta erdhi tek unë dhe kërkoi mendim që të krijohej LSI. Në momentin kur konstatova se nuk është në rrugë të mbarë, unë u distancova nga Iliri.
Kur u distancuat?
U distancova pas një viti e gjysmë. Unë u largova dhe i mbylla marrëdhëniet me LSI-në. Unë e ndaj shumë qartazi kufirin mes Ilir Metës dhe presidentit. Ai është qytetari i parë i kësaj Republike, dhe ka informacione nga më të mirat.
Po bëhet një grusht shteti nga qeveria dhe presidenti e denoncon që këtë? E besoni këtë shqetësim që ngre presidenti?
Në konceptin tim them a ka pëllëmba kundër popullit? Po bën kaq vite që nuk ka gjykata. Thonë që ka filluar punë, por unë nuk besoj akoma. Është ende i vonuar. Populli në darkë shkon në shtëpi dhe vret mendjen se çfarë do hajë sot dhe nesër. Gratë janë të dhunuara, problemet e tërmetit janë maksimale, problemet institucionale janë të mëdha. Gjithçka është përbaltur, për këtë kush mban përgjegjësi? Kjo është kauza e presidenti. Nëse do të jetë presidenti i shqiptarëve, të vrasë mendjen për popullin. Si mund të prishet brenda muajit gjykata? Mua më është dhunuar prona intelektuale. Më thoni një ministër që nuk është i përbaltur.