Ndërron jetë Artan Lame, e ëma: Mu shua shpresa që mu ngjall dje! Më premtoi se do kthehej

Ish-drejtori i Kadastrës, Artan Lame ka ndërruar jetë paraditen e sotme! Lajmin tashmë e ka konfirmuar nëna e tij, Diana Lame, e cila ka postuar në rrjetin sociale “Facebook”. Në postimin e saj, Diana Lame shkruan se i biri ka ndërruar jetë. Por ka shtuar se për detajet e varrimit do t’i ndajë në një njoftim të dytë, pasi trupi i 58-vjeçarit të mbërrijë në atdhe nga Gjermania.

Diana Lame: Të nderuar shokë, miq dhe dashamirës, nuk më bën dora të shkruaj për humbjen e të shtrenjtit, djalit tim të dashur, Artan Lame. E megjithatë, ky moment i mallkuar erdhi dhe më shoi edhe atë fije shprese që mu ngjall dje. Shpresoja… sepse më premtoi se do të kthehej:
“… Nuk e kam mendjen te e nesërmja (që do të operohej), jam mirë, jam i qetë, por po përqendrohem te Muzeu.”
Edhe nga gjumi po ta zgjoje, për Muzeun fliste. Kur Tanin të ma sjellin këtu, do t’ju bëjmë të ditura procedurat e mëtejshme”.

Ish-kreu i Kadastrës ka ndërruar jetë në Mynih të Gjermanisë, pasi kishte pësuar një ishemi një muaj më parë. Disa ditë më parë, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje të vështirë në zemër, e cila e çoi në koma cerebrale, por ishte ende në jetë. Zemra e tij ka pushuar së rrahuri gjatë paradites së sotme.

SHKARKO APP