Ndeshja Serbi-Shqipëri, Ministria e Jashtme, raport “sekret” në Kuvend
Lajmi u pohua dje nga kryetarja e Komisionit parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade. Kësisoj vetëm pak javë para zhvillimit të vizitës zyrtare të kryeministrit Rama në Beograd, çështja e marrëdhënieve të tensionuara me Serbinë shndërrohet edhe në një objekt të punës së veprimtarisë parlamentare. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare” burime zyrtare pranë MPJ-së pohuan se materiali voluminoz i dorëzuar pranë Kuvendit nuk mund të bëhet publik për mediat për shkak se konsiderohet si “korrenspondencë e mbyllur mes dy institucioneve”.
Ndërkohë në mbledhjen e djeshme të Komisionit për Politikën e Jashtme drejtori për Çështjet e Rajonit në MPJ, Bashkim Rama, informoi deputetët lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. Përsa i përket incidentit të ndodhur dy ditë më parë në Fushë-Kosovë, Rama tha se “sipas informacionit që kemi nga policia e Kosovës, dy persona të panjohur kanë kaluar pranë një klubi në pronësi të një qytetari serb dhe kanë hedhur shishe me lëndë djegëse. Këta persona nuk janë evidentuar ende, por dyshohet se mund te jenë shtetas shqiptarë. Mendohet se janë reagime lidhur me ngjarjet e 14 tetorit”, – sqaroi drejtori për Çështjet e Rajonit në MPJ. /BW