Ndoka: Rama në kushtet e pamundësisë për të qeverisur, shpresoj mos përballet me egërsinë e protestave
Opozita në propozimet e saj për reformën zgjedhore kërkon krijimin e një qeverie kujdestare, për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme. Aleati i Lulzim Bashës, Nard Ndoka thotë se kryeministri Edi Rama është në kushtet e pamundësi për të qeverisur. I ftuar në studion e lajmeve në Ora News, Ndoka tha se Rama është objekt i SPAK sa i takon krimit zgjedhor.
Nard Ndoka: Është në kushtet e pamundësisë për të qeverisur. Ne nuk mund futemi në zgjedhje me kryeministrin Edi Rama, personazh i cili është objekt i SPAK sa i takon krimit zgjedhor. Edhe aventura e tij për organizimin e zgjedhjeve lokale një partiake ka dështuar. Ai po shkon drejt një aventure të rrezikshme. Është e papranueshme për ne si opozitë, por edhe për faktorin ndërkombëtar. Përveç papërgjegjshmërisë si politika, përpiqet që përmes pazareve politike për ta kaluar lumin. Kësaj radhe është në kufijtë pamundësisë për faktin se ka një problematike shumë të madhe përpara, ka Bundestagun, ka ndërkombëtarët, ka opozitën që do ta ndryshojë stilin e të bërit politikë duke u fokusuar tek vendimmarrja e kësaj mazhorance.
Sa i takon protestave, kreu i Demokristianëve u shpreh se nëse Rama nuk reflekton opozita ka për detyrë të bëjë organizimin e protestave.
Nard Ndoka: I kemi paralajmëruar dhe kjo është pjesa fundore nëse ky kryeministër do të shkojë drejt aventurës politike duhet që qytetarët dhe opozita ta ndalojnë. Ne po shkojmë drejt një rrokullisje politike, ekonomike dhe morale. Një kryeministër që operon edhe pa Gjykata Kushtetuese nuk ka sens që të lejohet në aventurën e tij.
Të gjithë po presin vendimmarrjen e opozitës për të organizuar protestat dhe kjo është një detyrë e jona e patjetërsueshme dhe në kushtet e emergjencës.
Unë shpresoj që kryeministri mos përballej për herë të dytë me egërsinë e protestave, me egërsinë e vendimmarrjes së opozitës. Sot kemi bërë një hap të rëndësishëm për bashkëpunimin institucional për ta zgjidhur krizën. E kemi toleruar vetë mazhorancës.