Ndryshimet në Kodin Penal, Manjani: Armëmbajtja pa leje jo i barabartë me terrorizmin
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani tha sot se, dënimi për armëmbajtje pa leje, nuk mund të jetë kurrsesi njësoj si dënimi për terrorizëm.
Ai këtë e tha, përpara komisionit të Sigurisë, që po shqyrton Pr/ligjin për disa ndryshime në Kodin Penal dhe më konkretisht në dënimin e veprës penale të ‘Armëmbajtjes pa leje’.
Ministri Manjani tha se lidhur me këtë çështje ka dhe një vendim të Kushtetueses. “Gjykata Kushtetuese na dha ne mundësi të shqyrtojmë ligjin me propocionalitet. Vepra penale e armëmbajtjes pa leje ka një vakum në Kodin Penal neni 278. Kemi pasur konsulencë me gjyqtarë penalistë dhe nga ekspertë të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjykata Kushtetuese është shprehur për shfuqizimin e nenit 55 për bashkim matematik të dënimeve. Tani aplikohet dënimi më i rëndë i marrë, jo ai matematik. Neni 279 ka ndryshuar, për të vendosur dënimin penal në kushte më logjike”, bëri të ditur Manjani.
Ministri Drejtësisë në daljet e tij ka pohuar gjithnjë faktin se Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë duhet ri-shkruar nga e para. “Nuk mund të vijohet me arrnime. Kodi Penal duhet të jetë i qartë dhe i kuptueshëm nga të gjithë qytetarët e Shqipërisë”, tha Manjani. Të njëjtin qendrim mbajti sot dhe Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pjesë e Komisionit të Sigurisë, Luan Rama, që shtoi se, kjo është ndërhyrja e 17 që i bëhet këtij ligji në 3 vjet të koalicionit. “Kjo tregon mungesë serioziteti dhe vizioni, është ndërhyrja e 17 në Kodin Penal. Është shkelur parimi i propocionalitetit. Edhe dënimi për kasat fiskale dhe faturat e energjisë janë kundër këtij parimi. Mendoj se do ishte më mirë që Kodi Penal të bëhej nga e para”.
KOHA JONË SONDAZH

