Ndryshimet në qeveri, Patozi: Rama vuri njerëzit me peshë në prag të zgjedhjeve
Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, komenton ndryshimet e fundit në qeveri nuk kanë asgjë për t’u shënuar. ”Nuk ka asgjë për t’u shënuar në atë që PS-ja i paraqet publikut. Janë të njëjtët emra që lëvizin. Ka rënë euforia e shkëmbimeve politike Prishtinë-Tiranë tashmë. Ishin dy prurje nga Kosova që siç erdhën, ashtu edhe ikën, por nuk është faji i tyre. Ishte eksperiment i dështuar i Edi Ramës. Rama ktheu Niko Peleshin si drejtues të PS-në në Qarkun e Korçës dhe tani, të gjithë njerëzit politikë i ka në maksimumin e peshës përpara zgjedhjeve të ardhshme”, theksoi Patozi.
Sot Bindja Demokratike dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për rrëzimin e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton shpërndarjen e mandateve të Kuvendit të Shqipërisë, duke e konsideruar atë në kundërshtim flagrant me ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut.
”Duam që të vëmë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese përmes kërkesës sonë dhe ajo i ka të gjitha mundësitë që ta shqyrtojë këtë kërkesë përpara 25 prillit, në mënyrë që të shmangë implementimin e Kodit Elektoral, që sipas nesh është antikushtetues, në nenin 163. Pritshmëria jonë është që ai nen të bjerë, ai herësi i famshëm që e lë të mbyllur listën. Çudia jonë nuk është me mazhorancën, por me opozitën, PD dhe LSI, që nuk ndihet për këtë. Në rast se këto dy parti do të kishin merak Kodin Elektoral, që e kanë konsideruar të njëanshëm, do ta kishin bërë një gjest të paktën. Këta duan të ruajnë kryetarokracinë dhe ne duam që kjo praktikë të marrë fund. Kjo është arsyeja pse ne e çuam kërkesën tonë që sot në Gjykatën Kushtetuese”.