“Në makinë udhëtonin krimi, shteti dhe populli dhe…e hëngri populli”

Analisti Arjan Vasjari e cilësoi atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja tipik mafioz, duke vërtetuar se tashmë vendi ka “mafien e saj autoktone”. Vasjari tha në emisionin “Real Story” në News 24 se ky atentat përshkruan në mënyrë simbolike se “në atë makinë udhëtonte shteti, krimi dhe populli, dhe siç ndodh gjithmonë populli vdes” duke iu referuar edhe vdekjes së shoferit të prokurorit Andi Maloku, i cili ndërroi jetë pasditen e të enjtes në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Vasjari tha se njerëzit e drejtësisë goditen vetëm për dy arsye ose kur luftojnë krimin ose kur bëjnë biznes me të. Analisti shtoi se nuk mund të akuzojë prokurorin se po bashkëpunon me krimin, por fakti që udhëton me të tregon se nuk po e lufton.

“Ajo çfarë ndodhi te mbikalimi i Shkozet, është për të shpjeguar Shqipërinë e sotme. Në atë makinë udhëtonte shteti, krimi dhe populli, dhe siç ndodh gjithmonë me popullin, populli vdes. Përmasa e asaj çfarë ka ndodhur është qartësisht përmasa e një ngjarjeje mafioze, tipikisht mafioze. Duhet të themi se tashmë Shqipëria në realitete të caktuara të saj, veçanërisht Durrësi, fenomeni mafioz ka pësuar një metamorfozë. Tani flitet për mafie të mirëfilltë. Ne duhet të themi “po, kemi një mafie autoktone, një mafie tonën”. Shpeshherë ngatërrohet krimi i organizuar me mafien. Mafia është një fenomen politiko-social i strukturuar, që bashkëjeton vetëm në bashkësinë e shtetit dhe të politikës. Në Shqipëri mafia është e kapitalizuar, është në shtet, në strukturat e drejtësisë, në politikë, në bashki, etj. Ajo që është shqetësuese, është se ne kemi dhe një kërkesë të madhe për mafiozët. Njerëzit e drejtësisë mund të goditen vetëm për dy arsye ose se luftojnë bizneset e krimit ose se bëjnë biznes me krimin, nuk ka rrugëdalje tjetër. Unë nuk e di që Ndoji është duke bërë biznes me krimin, ama të udhëtosh me krimin është provë e qartë se nuk je duke i luftuar”- tha Vasjari.

SHKARKO APP