Negociatat me BE, Taulant Balla i shtrin dorën për bashkëpunim grupit të Alibeajt
Partia Demokratike mungoi në Bruksel ku u mbajt konferenca e Parë Ndërqeveritare për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por edhe sot në pritjen që u bë nga kryeministri. Ky zhvillim u komentua nga kreu i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla.
Në një prononcim për gazetarët, ai tha se në tryeza të tjera dera për opozitën është e hapur. Sipas tij, PS dhe qeveria do të bashkëpunojë vetëm me grupin që përfaqësohet nga Enkelejd Alibeaj dhe jo atë të drejtuar nga Sali Berisha.
“Konferenca e parë ndërqeveritare ka definicion të qartë. Do kemi mundësi të tjera ku do të jemi bashkë maxhorancë dhe opozitë në Parlamentin Europian dhe në këtë kontekst nuk i heq asnjë pikë dhe asnjë presje nevojës që e ka shprehur edhe kryeministri në fjalën e tij, ku tha se duhet të kishim edhe opozitën. Flas për atë opozitë të përgjegjshme, nuk flas për një element të caktuar të opozitës që i ka shpallur luftë aleatëve të Shqipërisë. Në këtë kuptim ftesa është e sinqertë. E bëri kryeministri sot në atë moment solemn. Ajo është një fitore e gjithë shqiptarëve”.