Nënë Liza në protestë para Bashkisë: Shtëpia, gruaja dhe arma, nuk lëshohen kurrë!
Nënë Liza ka qenë sot e pranishme në protestën që po zhvillohet para Bashkisë së Tiranës, kundër shembjes së banesave në zonën e “5 majit”, Laprakës si dhe të Paskuqanit.
Në një prononcim për mediat Nënë Liza sqaroi edhe incidentin kur u përzu para disa ditësh nga një grua, teksa mori fjalën në protestën para Kryeministrisë. E moshuara tha se gruaja në fjalë ishte punonjëse e bashkisë së Tiranës. Nënë Liza tha se në protestë kishte dalë dhe ka dalë sot për të drejtën e saj.
“Unë kërkova të flisja, e mora vesh se kush ishte. Ajo ishte punonjëse e bashkisë. Unë kam dalë për të drejtën time, për hallin tim. Dua që kryetari i bashkisë së marrë masa, dhe të na strehojë. Njëherë erdhi tërmeti, njëherë korona. Por ne tërmet kemi shtetin tonë. S’ka bërë vaki që shteti të bëjë kështu me popullin e vetë. pse të rrimë rrugëve ne?! Mua mu shkatërrua shtëpi, gjithçka. Kam marrë një dhomë me qira, paguaj 150 mijë lekë. Nuk dua të firmos asgjë. Shteti duhet të japë lekët. Shteti ka për të bërë ndërtime dhe prish shtëpi, por nuk rrit pensionet. S’kam ku të jetoj, të jetoj në rrugë të madhe?! Futën në burg djalin tim, një nënë të 2 fëmijëve të vegjë! Shtëpia, grua, arma, nuk lëshohen kurrë. Ajo gruaja s’ka punë me mua, të zotnojë shtëpinë e vetë. Unë s’dua shtëpi sociale. Jam me të drejtën e Zotit.”, tha e moshuara.