Nënkryetarja e Kuvendit i tërheq vëmendjen deputetit të PD: Turp të të vijë!
Skandali i ndodhur me një vendim të gjykatës shqiptare që ka burgosur një nënë lehonë, është bërë temë diskutimi në Kuvendin e Shqipërisë në seancën e kësaj të enjteje.
Kuvendi vendosi që më parë të kërkohet informacion mbi rastin përmes komisionit të ligjeve dhe më pas do të vendoset nëse për këtë çështje do të ketë dhe një debat në Parlament, kërkesë kjo e ardhur në nisje të seancës nga deputetja e PD Dhurata Çupi.
Gjatë kësaj kohe, nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj u përplas me deputetin e PD, Edmond Spaho, i cili ndërhynte nga vendi dhe iu drejtuar me fjalët “turp të të vijë”.
Ermonela Felaj: Zoti Spaho ju tërheq vëmendjen për këto skena që bëni duke ju drejtuar njerëzve me gisht. Turp t’ju vijë juve për mënyrën si reagoni. Ju tërheq vëmendjen. Turp t’ju vijë që ndërhyni duke fyer kolegët.
Ka dakordësi për të marrë informacion më parë për këtë çështje përmes komisonit të ligjeve? S’ka as kundër as abstenim. S’kam asnjë dyshim që përmes komisionit të ligjeve do merret informacioni i kërkuar të sqarohen rrethanat e më pas të vendosim nëse është rasti për një debat parlamentar.