Nënkryetarja e LSI, Mehmetaj: Koha që Rama të ikë, sot flasin shqiptarët

Intervistë për “Koha Jonë”, nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj: Do të jenë vet qytetarët ata që nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve moniste të 30 qershorit

Intervistoi: Redjon Shtylla

”Protesta e sotme, do të jetë padyshim me pjesëmarrje shumë të larte dhe me mesazhin e qartë se Shqipëria nuk mund të kthehet pas në kohë për tu bërë sërish diktaturë moniste e se ne nuk do të lejojmë më që një njeri i vetëm të shkatërrojë të gjithë vendin”, kështu ka deklaruar nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj në intervistën për gazetën ”Koha Jonë”. Më tej ajo shprehet se protestat do të vazhdojnë deri në çlirimin e shtetit nga këta pushtetarë të papërgjegjshëm që e drejtojnë aktualisht. ”Kur qindra mijëra qytetarë të kërkojnë largimin, ik! Rama duhet të dorëzojë karrigen e kryeministrit që po e mban peng dhe kështu ti hapet rruga një qeverie trazitore e cila do të marrë të gjithë masat që zgjedhjet e ardhshme lokale e parlamentare të jenë të lira e të ndershme”, shton më tej Mehmetaj.

Gjatë këtyre ditëve, LSI ka zhvilluar takime të shumta në të gjitha degët e saja në Shqipëri. Është kjo një lloj fushate për të prezantuar paketën e LSI-së për qeverisje. Çfarë po të ndodh më 2 qershor, protestë simbolike si herën e shkuar? Si do të veprojë LSI-ja më 3 qershor, çadra përballë Kryeministrisë apo datë tjetër për protestë?

Lëvizja Socialiste për Integrim është parti që karakterizohet nga afërsia që ka me votuesit dhe qytetarët, për ne është tejet e rëndësishme të jemi në takime të vazhduara me ta, qoftë për të kuptuar vështirësitë me të cilat haset çdo grup interesi, por edhe për tu konsultuar mbi aksionet dhe vendimet politike që ne marrim si parti.

Turi i javëve të fundit ka patur si qëllim kryesor pikërisht konsultimin, pasi situata ekonomike dhe politike nëpër të cilën po kalon vendi është tepër e vështirë dhe së dyti hartimin bashkë me qytetarët të një alternative të re politikash që forcon shtetin dhe e kthen atë në shërbim të qytetarëve dhe jo mbajtjen peng nga një dorë e vetme apo nga një klikë që është pasuruar në kurriz të varfërisë së familjeve shqiptare.

Në takimet të cilave ju u referoheni qytetarët na kanë kërkuar të mos ndalemi në rrugën që kemi nisur, të vazhdojmë protestat deri në çlirimin e shtetit nga këta pushtetarë të papërgjegjshëm që e drejtojnë aktualisht.

Protesta e sotme do të jetë padyshim me pjesëmarrje shumë të lartë dhe me mesazhin e qartë se Shqipëria nuk mund të kthehet pas në kohë për tu bërë sërish diktaturë moniste e se ne nuk do të lejojmë më që një njeri i vetëm të shkatërrojë të gjithë vendin. Vendimin për çdo lloj forme të përshkallëzimit të situatës do e marrin në çdo rast qytetarët.

E cilësuar si “bomba” gjermane ku dy partitë kryesore qeverisëse janë shprehur kundër hapjes së negociatave, por edhe vende si Franca dhe Holanda nuk duan një zgjerim, çfarë do të thotë nëse në qershor nuk do të jepet drita jeshile për negociatat?

Si një e re që jetën kam vendosur ta ndërtoj në Shqipëri ndihem thellësisht e zhgënjyer që, që nga dita që unë kam lindur e deri më sot, thirrjet dhe kërkesat tona mbeten të njëjta pa bërë asnjë hap përpara: Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Lajmet e fundit që kanë ardhur nga Hollanda, e cila zyrtarisht i ka kërkuar komisionit Evropian të shqyrtojë kërkesën për rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë dhe nga vende të tjera si Gjermania, Brukseli e Franca të cilat nuk e mbështesin hapjen e negociatave, janë përplasja që na bëhet si qytetarë me realitetin e hidhur të cilin qeveria kishte bërë çdo përpjekje të na e shiste të gënjeshtërt.

Sipas qeverisë negociatat ishin hapur që vitin e kaluar dhe me propagandën e tyre të paguar tentuan të fshihnin të vërtetën. Mos hapja e negociatave tregon se problemet nëpër të cilat po kalon vendi janë të rënda dhe se qeveria vetëm e ka përkeqësuar situatën nga viti në vit.

Raportet flasin për krimin e organizuar, korrupsionin galopant, emigrimin masiv, varfërinë ekstreme, shkatërrimin e shtetit të së drejtës e kështu me radhë. Mos hapja e negociatave do të thotë se vendi ka nevojë urgjente të ndryshojë drejtim, ti kthehet normalitet, duke forcuar institucionet që u shërbejnë qytetarëve e duke zhvilluar ekonominë, e këtë nuk mund ta bëjmë më ata që duhet të përgjigjen përpara drejtësisë për dëmet që kanë shkaktuar.

Qeveria ju ka akuzuar si pengues dhe prishës imazhi, por a ka ndikim politika e opozitës në këtë situatë të Shqipërisë, apo qeveria ka probleme serioze me korrupsionin, krimin elektoral etj elementë të përmendur edhe në raportin e KE-së?

Unë e përmenda edhe pak më sipër, propagandës ”fake” i erdhi fundi edhe për Ramën. Ai njihet për vetitë e tij argëtuese prej shoë man-i, por me sa duket edhe me këtë rol i doli boja dhe për qytetarët është kthyer në një personazh për të ardhur keq. Askush nuk i beson më gënjeshtrat që thotë pa pushim. E vetmja e vërtetë lidhur me hapjen e negociatave dhe imazhin e Shqipërisë, lidhet me punën që do të duhej të kishte bërë qeveria.

Një qeveri me disa ish-ministra, kryetar bashkish dhe vet kryeministrin të akuzuar për bashkëpunim me krimin e organizuar, për përfshirjen në skema të rënda korruptive që i kanë shkaktuar buxhetit gropa disa miliarda euroshe (para të cilat do të duhej të investoheshin në arsim, shëndetësi apo bujqësi etj), për favorizimin e një grupi të vogël oligarkësh që mund të numërohen me gishtat e duarve duke lënë në varfëri qindra e mijëra biznese që ushqejnë familjet me punë të ndershme, apo për shkatërrimin e çdo institucioni shtetëror, nuk mund të jetë qeveri që vendet e bashkimit europian do ta konsideronin partnere, apo tu falte investitorëve të huaj siguri për investime.

Sa përmenda më sipër edhe shumë të tjera që lidhen me shkatërrimin e artit dhe kulturës, apo nxitjen e varfërisë ekstreme duke nxjerrë qytetarët nga skema e ndihmës ekonomike apo edhe duke shkatërruar me dashje arsimin, janë arsyet e vërteta pse Shqipëria nuk ja ka dalë mbanë të ketë një imazh pozitiv dhe të mbajë shqiptarët në shtëpitë e tyre.

Si do të zgjidhet kriza? Rama dorëhiqet, krijohet qeveri kujdestare, Rama shkon në zgjedhje, PD dhe LSI jo, apo vendi shkon në konflikt? Apo Presidenti shtyn datën e zgjedhjeve për në vjeshtë ose marrëveshje opozitë-PS? Cili skenar është më pranë qëndrimit të LSI-së?

Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë shumë e qartë në qëndrimet e saj sa i takon evitimit të përdorimit të dhunës apo përplasjes civile. Për sa kohë dhjetëra mijëra qytetarë protestojnë çdo javë e qindra mijëra të tjerë e mbështesin protestën, është e panevojshme të tregosh muskujt.

Nga ana tjetër, sa më shumë kalojnë ditët, akoma edhe më e vështirë bëhet të përmbash revoltën e qytetarëve, të cilët nuk protestojnë për parti, as për kryeministrin e radhës por protestojnë se nuk kanë çfarë tu japin për të ngrënë fëmijëve në darkë, protestojnë se u janë larguar fëmijët, protestojnë se nuk marrin shërbim në spitale, se tokat u përmbyten dhe produktet bujqësore u shiten ekstremisht lirë dhe shteti nuk bën asgjë për ti ndihmuar.

Protestojnë se qytetarë të thjeshtë përfundojnë burgjeve për faturat e dritave dhe të ujit, ose pse rregullojë pa leje gardhin e shtëpisë, ndërkohë që kriminelët e vërtetë janë miq të ngushtë të kryeministrit dhe vasalëve të tij. Protestojnë për shtëpitë që u shembin pa dëmshpërblime dhe për pronën shtetërore që nga hici privatizohet e ndërtohet për përfitime të oligarkëve.

Të gjithë këto arsye nxisin reagime të ashpra dhe arroganca e Ramës, provokimet e dhuna që ushtron nëpërmjet policisë së shtetit gjatë protestave s’bën gjë tjetër vetëm se i hedh benzinë turmës së revoltuar. Zgjidhja është e thjeshtë: Kur qindra mijëra qytetarë të kërkojnë largimin, ik! Rama duhet të dorëzojë karrigen e kryeministrit që po e mban peng dhe kështu ti hapet rruga një qeverie trazitore e cila do të marrë të gjithë masat që zgjedhjet e ardhshme lokale e parlamentare të jenë të lira e të ndershme.

Si do e vendosni ju mosmbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor, përmes një konflikti civil? Keni një përgjigje për elektoratin e PS-së e cila është në të drejtën kushtetuese për të votuar më 30 qershor?

Kushtetuta e Shqipërisë flet për zgjedhje demokratike, zgjedhje që sigurojnë mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët për të zgjedhur e për tu zgjedhur. Përfshirja e bandave në zgjedhje, shitblerja e votës dhe përdorimi i presionit shtetëror në këmbim të votës janë ato që cenojnë realisht kushtetutën dhe zgjedhjet demokratike duke e bërë të pamundur pjesëmarrjen e barabartë të qytetarëve në proceset zgjedhore.

Zgjedhjet me rezultat të ditur paraprakisht, nuk janë më zgjedhje por detyrim dhe diktaturë. Nga biseda të shumta që kam patur me kolegë të kampit socialist e mbi të gjitha me votues të partisë socialistë, ju them me bindje që ata janë pjesa më e zhgënjyer dhe më e dhunuar nga Rama dhe qeverisja e tij.

Asnjë qytetar i ndërgjegjshëm nuk do ti japë më krahë këtij kryeministri të dështuar. Unë gjykoj që reagimi qytetar do i japë zgjidhjen e duhur situatës. Do të jenë vet qytetarët ata që nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve moniste të 30 qershorit.

SHKARKO APP