Nëse zgjedhjet mbahen sot? PS+PSD merr 84-89 mandate
Nga Eduard Zaloshnja
Edi Rama deklaroi pa ekuivok në një studio televizive, se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme ato do të mbahen, sipas tij, në kohën e parashikuar më 2025. Po çfarë do të ndodhte në qoftë se zgjedhjet do të zhvilloheshin sot?
Meqë kam në kompjuterin tim të dhëna të hollësishme të rezultateve të 5200 qendrash votimi qysh nga viti 2001, si dhe rezultate të shumta sondazhesh që kam zhvilluar vetë e që kanë zhvilluar të tjerë, pata mundësinë të ndërtoj një model simulacioni statistikor, për të llogaritur me afërsi se sa mandate parlamentare do të merrte sot mazhoranca PS+PSD.
Sipas modelit tim të simulacionit statistikor, zgjedhje të zhvilluara sot, me kodin aktual elektoral dhe me konfiguracionin e sotëm të partive politike, do të prodhonin një parlament ku mazhoranca PS+PSD do të merrte nga 84 deri në 89 mandate. Ky rezultat do të përbënte një rritje të ndjeshme ndaj 77 mandateve që mori mazhoranca PS+PSD më 2021.
Rritja e numrit të mandateve të mazhorancës nuk vjen nga rritja e kuotave të saj në sondazhe (krahasuar me 2021-shin), por thjesht nga dobësimi dhe fragmentarizimi i opozitës. Sipas modelit tim statistikor, mazhoranca PS+PSD do të merrte sot rreth 800 mijë vota, pak a shumë sa ç’mori më 2021.
Nga ana tjetër, opozita gjithsej do të merrte sot diçka më pak se 600 mijë vota të cilat do të shpërndaheshin mes “Bashkimit për Fitore” të Foltores dhe PL-së, PD-së së Bashës, dhe partive të reja që kanë dalë së fundmi. Si rezultat i fragmentarizimit të 600 mijë votave opozitare, mandatet e prodhuara prej tyre mund të arrijnë deri në 56 në skenarin më optimist, dhe vetëm 51 në skenarin më pesimist.
Kuptohet që parametrat e modelit tim statistikor mund të ndryshojnë deri më 2025 – çekani SPAK s’dihet ku e sa do të godasë majtas e djathtas, partitë e reja mund të fuqizohen deri atëherë, përkrahja solide elektrorale e derisotme ndaj mazhorancës mund të dobësohet, kodi elektoral mund të ndryshohet, etj. Sidoqoftë, ngjitja e opozitës deri tek 71 mandatet duket një malore shumë e fortë statistikore.