Nesër dialog mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, çfarë pritet të ndodhë?
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë për dialog, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, të martën dhe të mërkurën do të zhvillojnë takime në Bruksel.
Gjatë të martës, pritet që delegacionet e të dyja shteteve të zhvillojnë takime me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe ekipin e tij, ndërkaq më 8 shtator do të zhvillohet një takim ndërmjet dy delegacioneve, me ndërmjetësimin e bllokut evropian.
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se pret që të palët të gjejnë gjuhë të përbashkët.
“Sot dhe nesër, do të mbaj takime me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të udhëhequra nga Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Ka shumë çështje urgjente që duhet të diskutohen dhe unë pres që të gjendet gjuhë e përbashkët për të lëvizur përpara”, tha Lajçak.
Serbia ka shprehur pakënaqësi, pasi Kosova ia ka ndaluar shefit të ekipit serb për dialogun, Petar Petkoviqit vizitën në Kosovë.
Më 3 shtator, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se ia ndaloi hyrjen në Kosovë Petkoviqit, pasi në tri vizitat e fundit të tij, ai kishte bërë “deklarata provokuese” dhe “haptazi ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse”.
Burimet e BE-së kanë thënë se takimet e të martës dhe të mërkurës do të shfrytëzohen për të përgatitur një takim të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që pritet të zhvillohet më vonë gjatë muajit shtator.
Takimi i fundit në nivelin e lartë është zhvilluar më 19 korrik, por ai nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.