Nesër në Bruksel ulen në takim Kurti-Vuçiç, i pranishëm edhe Presidenti Joe Biden
Për herë të parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të zhvillojë ditën e nesërme takimin me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku i pranishëm do të jetë edhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden. Ky takim vjen në kuadër të Samitit të NATO-s, që mbahet në Bruksel.
Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili do ta ndërmjetësojë takimin Kurti-Vuçiç, në mëngjes do të takohet me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden në një samit BE-SHBA.
Zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se nuk ka ndonjë lidhje ndërmjet raundit të ri të dialogut dhe samitit BE-SHBA që pritet të zhvillohet po nesër.
“Nuk ka ndonjë lidhje midis datave të raundit tjetër të dialogut Beograd-Prishtinë dhe samitit BE-SHBA. Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell do ta kryesojë dialogun në mëngjes dhe do të marrë pjesë në samitin BE-SHBA pasdite”, tha Stano.
Administrata amerikane është informuar tashmë në detaje nga i dërguari special për Ballkanin, Matthew Palmer për zhvillimet e fundit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.