Nesër protesta tek Parlamenti, Berisha: Kjo është thirrja më jetike që bëj në 33 vite, jemi në emergjencë ekzistenciale
Nesër do të ketë një protestë para Parlamentit dhe Sali Berisha ka bërë një apel që sipas tij është thirrja më jetike për Shqipërinë në këto 33 vite të historisë së tij politike, duke ftuar partitë e mëdha dhe të vogla, shoqëri civile, emigrantët dhe diasporë, që t’i bashkohen aksionit kundër Ramës.”Kjo është thirrja më jetike që bëj në 33 vite! Ajo shkon edhe për kritikët e mi, të lëmë ndasitë mënjanë sepse jemi në emergjencë ekzistenciale”,-tha Berisha nga dritarja e banesës.
Pjesë nga fjala
Sot është dita e 156, që unë mbaj fjalën time këtu në Rrugën e Shpresës. Nga këto 156 ditë, kjo është fjala më e rëndësishme që unë kam mbajtur. Por jo vetëm.
Në 33 vite karrierë politike, kurrë ndonjëherë, një mesazh i imi, nuk ka qenë më emergjent se ky mesazh i sotëm për ju dhe mbarë shqiptarët. Në 33 vite karrierë, kurrë ndonjëherë, një thirrje e imja, nuk ka qenë kaq jetike se kjo që bëj sonte në emër tuaj dhe të PD. Prandaj fjalët e mia sot shkojnë në çdo rrugë, në çdo shesh, në çdo qytet, në mbarë vendin. Këto fjalë shkojnë për çdo rrugë dhe rrugicë të Shqipërisë.
Këto fjalë shkojnë për zemrat e çdo shqiptari. Çdo njeriu, që nën deje ka gjak shqiptari. Demokratë dhe opozitarë të tjerë. Socialistë dhe pa parti. Këto fjalë u shkojnë partive të mëdha dhe partive të vogla. Shoqërisë civile, emigracionit dhe diasporës. Të rinjve dhe të moshuarve. Nënave dhe baballarëve. Vëllezërve dhe motrave.
Por këto fjalë shkojnë edhe për kritikët e Berishës. Ka momente në histori, që ndasitë duhen lënë mënjanë. Ka momente në histori, që lufta politike eklipsohet nga një emergjencë ekzistenciale. Për çdo popull, vjen një moment në histori kur ndodhet përpara pyetjes: “Të jesh apo të mos jesh?”. Ky është ai moment për kombin shqiptar! Dhe sot çdo shqiptar duhet t’i shohë gjërat siç janë.