Nesër samiti i BE-së, s’ka datë negociatash për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Ditën e nesërme do të mbahet samiti i vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në BRDO të Sllovenisë, rrezikon të jetë një zhgënjim tjetër për sa i përket procesit të integrimit, kjo pasi vendet mund të mos marrin dritë jeshile për përparim në rrugën europiane.
Në draft deklaratën e samitit, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk referohen më si vende kandidate për anëtarësimin, por si partnere të BE-së. Deklarata thekson se perspektiva europiane e rajonit është ende pjesë e axhendës, por europianët nuk flasin më për afate dhe data për procesin e integrimit.
”BE konfirmon zotimin e saj për procesin e zgjerimit dhe vendimet e saj për të, të bazuara mbi reformat e besueshme të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritës”, thuhet në deklaratë.
Ishte agjencia e lajmeve ”Reuters”, shkruante se BE nuk garanton integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. ”Reuters” paralajmëronte se në samit nuk do të caktohet asnjë datë për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.