Ngjela: Në pranverë vjen qeveria antikorrupsion pa Edi Ramën

“Fakti që nuk dha dorëheqje, siç thamë, tregon bashkëpunim. Por ama nëse tregon bashkëpunim, fajësia e Tahirit në këtë rast, është minore”.

Intervistoi: Luljeta Progni

“Në pranverë do të kemi një qeveri antikorrupsion dhe ajo do të jetë pa Edi Ramën”, është pritshmëria e avokat Spartak Ngjelës, për zhvillimet e ardhshme në politikën shqiptare. Në një intervistë për “Mapo”, Ngjela analizon situatën politike, çfarë po ndodh me Reformën në Drejtësi, ku po e pengon Rama dhe çfarë e bashkon këtë të fundit me Berishën, kundër Reformës në Drejtësi. Ngjela analizon momentet kritike të Edi Ramës dhe kohën kur ai duhet të jepte dorëheqje, bashkë me arsyet pse nuk e ndërmori një akt të tillë. “Po të ishte burrë shteti, si ata që kemi parë në vende klasike të demokracisë, sigurisht që duhet ta kishte dhënë dorëheqjen. Pyetja është pse? Sepse forca për drejtësi shoqërore dhe moralitet do ta kishte mposhtur dëshirën patologjike për pushtet. Fakti që nuk e bëri, tregon se dëshirën për pushtet Edi Rama e ka patologji”.

Dorëheqja e munguar e Ramës, sipas avokatit të njohur, e implikon atë edhe në rastin e skandalit me ish-ministrin e tij, Saimir Tahiri. Ngjela thotë se dorëheqja e munguar, do të thotë bashkëpunim dhe në këtë rast, sipas tij, përgjegjësia e Tahirit është minore. “Patologjia për pushtet e Edi Ramës, është vetëskllavëri”, dhe këtu e gjen Ngjela, origjinën e gjithë problematikës së kryeministrit.

Thatë se sapo jeni kthyer nga Gjermania, vend të cilit shpesh i referoheni për informacione e lajme që kanë lidhje me zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Kemi lajme të reja?
Lajme nuk kemi, por fjalë kemi. Ajo që dimë me siguri është se ka mbetur një problem konstant, interesi gjermano-amerikan për Shqipërinë. Duhet të kemi parasysh që janë dy vende klasike që kanë dashur që interesin e tyre në një sens global, kur është fjala për Ballkanin Perëndimor, ta kenë në Shqipëri. Gjermania është para SHBA që anojnë nga interesi shqiptar, sepse ka qenë që në fillim të shekullit miqësor në këtë rrugë. Kurse politika amerikane ka nisur në vitin 1919 me Ëillsonin. E dini se analistë seriozë thonë se po të mungonte Ëillson në Konferencën e Paqes, Shqipëria do të ishte ajo e Esat Pashës? Ishin dy grupe që takuan Ëillsonin asokohe, Esat Pasha dhe grupi i Fan Nolit dhe ai zgjodhi Fan Nolin, sepse interesi amerikan ishte për Shqipërinë etnike. Fan Noli dhe grupi i tij kishin shumë shpresë që të merrej Kosova dhe Çamëria qysh atëherë. Nuk u arrit, por të paktën shpëtoi Shqipëria klasike.

Kemi ardhur përsëri në të njëjtën situatë, por këtë radhë është interesi gjermano-amerikan. Bota ka ndryshuar. Të dyja shtetet e duan Shqipërinë në BE, e duan sa më shpejt të jetë e mundur. Por krerët në Shqipëri po iu dalin kundër. Nuk duhet ta harroni shprehjen e bukur të ambasadores Vlahutin: “Kemi parë të shiten shtëpitë për atdheun, por nuk kemi parë të shitet atdheu për shtëpinë”.

Në Shqipëri gjithmonë është shitur atdheu për shtëpitë e krerëve. Por unë jam shumë optimist kur them se ka ardhur fundi. Shqipëria është në pragun e ecurisë së re të qeverisjes me moralitet.

Kjo është ajo e reja. Nuk ka tërheqje pas në realizimin e Reformës në Drejtësi, luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe vendosjes së moralitetit në qeverisjen shqiptare.
Po ta shikosh me vëmendje, këto elemente i gjen edhe në Reformën në Drejtësi, e cila është formuluar edhe si ekspertizë nga ekspertë amerikanë dhe gjermanë.

Dukeni kaq i sigurt se ndërkombëtarët do ta bëjnë Reformën në Drejtësi, pavarësisht se si sillet elita në Shqipëri. Por nëse kthehemi në kohë e i referohem një thënieje të Fishtës, diku nga vitet ‘30, kur vlerësonte se ligjet që po vinin nga perëndimi për t’u zbatuar në Shqipëri duhej patjetër të përshtateshin me doket dhe zakonet shqiptare, përndryshe ato nuk mund të ishin funksionale. Natyrisht nuk jemi në kushte të njëjta por duket se roli i palës shqiptare është sërish me shumë rëndësi. Sa besoni ju zoti Ngjela se Brukseli dhe SHBA do ta arrijnë reformën pa bashkëpunimin e palës shqiptare… atje ku duket se krimi dhe korrupsioni janë kthyer tashmë në doke dhe zakone shqiptare?
Fishta kishte të drejtë kur fliste për një shtet i cili ishte fillikat në atë kohë dhe duhej bërë me aftësitë e brendshme. Por koha tregoi se krerët nuk kishin mëndje të bënin Shqipërinë. Kështu që thënia e Fishtës ishte një zë në shkretëtirë. Ishte mënyra e një intelektuali të lartë, që thotë që vërtet do të implementojnë ligjet, por bazuar në doket dhe zakonet tona dhe ishte pikërisht morali. Nuk duhet të harrojmë se në Shqipëri ka hyrë kultura perëndimore dhe nuk jemi më në otomanizëm. Unë besoj se nuk ka konflikt logjik mes ligjeve që janë miratuar dhe aplikimit të tyre në Shqipëri. Pastaj duhet të kemi parasysh që nuk ka ndryshuar e gjithë tema juridike e Shqipërisë, ka ndryshuar vetëm sensi i drejtësisë. Kini parasysh se ligji evoluon kështu: Shihet pika ku është kriza ligjore dhe për faktin se kriza ishte në pikën qendrore të një shoqërie, te drejtësia, ata dhanë kontributin e vet se si të vendoset drejtësia. Kemi parasysh një gjë: gjithë ndërhyrja ndërkombëtare, sipas Kushtetutës dhe ligjeve për Reformën në Drejtësi është e përkohshme, madje nuk kalon as dy-tre vjet. Nuk është një gjë e përhershme sepse vetë ligjet janë me karakter emergjent.

Duhet të kuptojmë një gjë: nëse ka rënë një tërmet i madh në një vend, natyrisht që krijon emergjencë. Emergjenca është ligj, në funksion të gjendjes së jashtëzakonshme ligji krijon kufizime. Kufizimet nuk janë për të rënduar gjendjen, por për ta përmirësuar sa më shpejt atë. Por janë të përkohshëm dhe sa përfundon gjendja e jashtëzakonshme, dalin në skenë pika të tjera garancie.

Në këtë gjendje jemi ne sot, në emergjencë për drejtësi dhe ekspertiza ndërkombëtare duke e paravendosur Shqipërinë si një vend europian, na dha mundësinë e një boshti ligjor perëndimor në funksion të drejtësisë. Kjo është arsyeja që unë ju theksova si element moralitetin në qeverisje. Sepse moraliteti në qeverisje vjen ose në funksion të forcës së ligjit ose në funksion të forcës së zakonit, me burrat e shtetit. Merrni Kanunin e Lekë Dukagjinit, është forcë e madhe zakonore e shprehur në ligj por ama funksiononte. Nuk po i hyjmë sa i moralshëm, por ishte moment normal për jetesë të barabartë në funksion të ligjit. A e kemi sot këtë moralitet në qeverisje? Jo, fare.

Duke dashur të liberalizojmë sistemin për të dalë nga bota jonë zakonore, kemi krijuar imoralitetin.

Ky është konstatimi i ekspertizës ndërkombëtare, qeveria e pamoralshme sepse nuk funksionon ligji. Pse nuk funksionon ligji? Sepse ekziston pandëshkueshmëria. Ky është ekuacioni përfundimtar, ligji i ri i barabartë me ndëshkueshmëri. Ky është morali i qeverisjes.

Ju flisni edhe për fundin e sunduesve… cilët janë sunduesit zoti Ngjela?
Sunduesit janë: elita aktuale dhe të gjitha elitat qeveritare që kanë ikur. Ka sundues ligjor, por ka edhe sundues antiligjor. Pushtet është në të dyja rastet. Ka pushtet ligjor dhe pushtet joligjor. Ne do heqim dorë nga pushteti joligjor. Pushtetarët e korruptuar kanë krijuar këtë gjendje. Filloi tragjedia e tyre nëpërmjet Reformës në Drejtësi.
Ata do hetohen, po dolën të pafajshëm bravo iu qoftë, por dimë që kanë dalë të pafajshëm me një institucion ligjor të drejtë dhe të pakorruptuar.

Ju e njihni prej kohësh Edi Ramën, qysh para 27 vitesh dhe besoj e keni parasysh refrenin e tij të përhershëm se ndihej artist, basketbollist etj., dhe nuk kishte patur kurrë dëshirë të merrej me politikë. Në fakt është konfirmuar e kundërta…? 
Edi Rama ra në gabimin e këtij ekuacioni: shenjat janë që dëshira e madhe për pushtet e ka çuar në mosrespektimin e konceptit demokratik. Domethënë ka dashur të ruajë pushtetin me çdo mjet. Do thoni: cili është mjeti?! Dyshoj se ka përdorur mjete të paligjshme. Vendimi i institucioneve ndërkombëtare që do vijnë, ose do të provojnë dyshimin tim ose do ta rrëzojnë atë.
A duhet të kishte dhënë dorëheqje Edi Rama kur u konfirmuan se më shumë se një deputet apo kryetar bashkie në listën e tij në PS, rezultoi me të shkuar kriminale?
Po të ishte burrë shteti, si ata që kemi parë në vende klasike të demokracisë, sigurisht që duhet ta kishte dhënë dorëheqjen. Pyetja është pse? Sepse forca për drejtësi shoqërore dhe moralitet do ta kishte mposhtur dëshirën patologjike për pushtet. Fakti që nuk e bëri, tregon se dëshirën për pushtet Edi Rama e ka patologji. Atëherë këtu do të fillojë edhe falimenti i tij.

A duhet të kishte dhënë dorëheqje Edi Rama kur në media doli dosja “Habilaj” dhe telefonatat me me ish-ministrin e tij Saimir Tahiri. Pse e mbron Edi Rama Saimir Tahirin?

Fakti që nuk dha dorëheqje siç thamë, tregon bashkëpunim. Por ama nëse tregon bashkëpunim, fajësia e Tahirit në këtë rast është minore.

Sa i lirë besoni se është sot Edi Rama?
Për këtë ik pyet Ramën. Por patologjia për pushtet është vetëskllavëri.

Ju keni lënë të kuptohet se Edi Rama e Sali Berisha janë bashkë në rezistencën që po tentojnë t’i bëjnë Reformës në Drejtësi… e kam fjalën për shprehjen “as ulërimat e Berishës e as poturet e Edi Ramës nuk e ndalin dot drejtësinë…”. Çfarë i ka bërë bashkë dy “armiqtë” e vjetër e të përhershëm?
Ajo që më ka bërë përshtypje dhe kam kthyer dyshimin për kryeministrin Rama është fakti që ai e konsideroi veten me të njëjtin hall që ka Saliu. E vendosi veten në të njëjtin hall me Saliun. Fakti që e vendosi veten me të njëjtin regjistër, më krijoi dyshimin që ka edhe ky probleme. Por le të bashkohen sa të duan, është e pamundur që t’i shpëtojnë kësaj kohe me këtë frymë. Kini parasysh një gjë, politika hegjemone është frymë. Politika për drejtësi në Shqipëri është organizuar dhe është formuluar sot si frymë, nuk e mund dot njeri.

Për të mundësuar suksesin e kësaj Reforme në Drejtësi, duhet patjetër që ekspertët që na vijnë nga perëndimi, Bruksel-SHBA, të kenë një palë bashkëpunuese. Nga do gjenden ata shqiptarë që do ta luajnë këtë rol, duke iu referuar përgjigjes tuaj pak më lart, kur thatë se do të ndëshkohen sunduesit dhe sunduesit janë elita e vjetër dhe e re?
Gjithë dyshimi i shqiptarëve është te kjo pyetje. Por ju garantoj një gjë, që njerëzit janë dhe kanë qenë këtu dhe për këtë jam i sigurt. Por jam i sigurt gjithashtu se ekspertiza ndërkombëtare ka seleksionuar shqiptarët e ditur dhe të ndershëm, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Është fjala për shqiptarët që punojnë në institucione serioze perëndimore. Ju vë në dijeni se lista është përpiluar dhe është listë shumë e gjerë. Prandaj fola dhe thashë pak më lart se vjen një qeveri antikorrupsion.

Ju po flisni me siguri për qeverinë antikorrupsion. Besoni se kjo qeveri do të jetë me Ramën apo pa Ramën? 
Unë pres që në pranverë do të kemi një qeveri antikorrupsion dhe ajo do të jetë pa Edi Ramën. Qeveri antikorrupsion që do të vendoset në pranverë nuk do ketë kryeministër Edi Ramën dhe ky është mendimi im, është analiza ime.

 

SHKARKO APP