Nikoliq: Shqiptarët janë rrezik për rajonin
Kryetari i Serbisë Tomislav Nikoliq ka vlerësuar se sulmet e fundit “terroriste’ në rajon, siç i ka quajtur ai ngjarjet në Maqedoni, tregojnë e ideatorët e Shqipërisë së madhe nuk po pushojnë.
"Sulmet terroriste si dhe provokimet e paramenduara me rastin e ardhjes së delegacionit nga Tirana në Beograd, janë sinjal se gjithë rajoni është në rrezik. Mendoj se këtij problemi duhet t’i kundërvihen të gjitha vendet që kanë numër të konsiderueshëm shqiptarësh, të cilët janë parakusht për bashkimin e planifikuar territorial të shqiptarëve”, ka thënë Nikoliq për agjencinë italiane ANSA në prag të vizitës së kryetarit të Italisë në Serbi Sergio Mattarella.
Nikoliq ka shtuar se Serbia i është përkushtuar rrugës evropiane dhe se, sipas tij, ka bërë mjaft që të zbatohen dispozita të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
"Megjithatë, pala shqiptare nga ana e vet nuk e ka bërë as shenjën më të vogël të vullnetit të mirë. Ne presim nga zyrtarë evropianë përpjekje shtesë që shqiptarët të përplotësojnë atë që kanë nënshkruar dhe që të normalizohet jeta e të gjithë qytetarëve që jetojnë në krahinë, pa marrë para sysh përkatësinë e tyre. Përndryshe, jeta e serbëve në Krahinë është jashtëzakonisht e vështirë dhe e komplikuar, atje për ta barazia dhe jeta në liri është larg realitetit", ka thënë Nikoliq.
Ai ka shtuar se Serbia i ka një borxh të madh KFOR-it italian që ka investuar shumë forcë për të shpëtuar popullatën dhe objektet e kultit serb nga rrënimi i tërësishëm.