Nis aksioni për faturimin e detyrueshëm të produkteve ushqimore dhe blegtorale
Ashtu siç ishte paralajmëruar, këtë të hënë ka nisur zyrtarisht aksioni i Administratës Tatimore për zbatimin e detyrueshëm të faturimit në tregtimin e produkteve ushqimore dhe blegtorale, me fokus të veçantë te qumështi, mishi dhe nënproduktet e tyre.
Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga aksioni në terren, duke theksuar rëndësinë e këtij operacioni për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe për vendosjen e rregullit ligjor.
“Mosfaturimi për qumështin, mishin dhe bulmetin e freskët kërcënon shëndetin e konsumatorëve, përveçse cenon rendin ligjor si çdo mosfaturim tjetër. Angazhim maksimal për sekuestrimin e këtyre mallrave pa faturë”, shkruan kreu i qeverisë.
Operacioni po zbatohet në bashkëpunim mes Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, dhe synon të godasë informalitetin, duke formalizuar tregjet dhe eliminuar konkurrencën e pandershme.
Ministrat Petrit Malaj dhe Anila Denaj kanë paralajmëruar kontrolle intensive në tregje dhe pika shitjeje, ndërsa kanë bërë të ditur se çdo produkt që qarkullon pa dokumentacion do të konfiskohet, dhe subjektet që shkelin ligjin do të gjobiten.
Ky aksion vjen pas një fushate dyjavore informuese për operatorët ekonomikë dhe është pjesë e një pakete më të gjerë të masave të qeverisë për uljen e informalitetit në ekonomi.
Ndërkohë, Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, ka urdhëruar më herët ndalimin e inspektimeve të paplanifikuara dhe pa miratim nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), duke kërkuar unifikimin e standardeve të kontrollit dhe respektimin e procedurave ligjore.
KOHA JONË SONDAZH

