Nis beteja në KQZ për “Dekriminalizimin”/ PD mbron Tahirin. PS: Ky vendim do vendosë rregulla për të tjerët në të ardhmen
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur sot për të diskutuar kërkesën e prokurorisë për ndërprerjen e mandateve të dy deputetëve Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami dhe kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi.
Në mbledhjen e sotme është paraqitur vetëm Shkëlqim Selami, i shoqëruar nga avokati i tij, Genci Çifliku. Ndërsa Dashamir Tahirit përfaqësohet vetëm nga avokati i tij Fatmir Braka, dhe po kështu edhe Elvis Roshi, i cili përfaqësohet nga Theodhori Sallaku.
Përfaqësuesi ligjor i PD, Gazmend Bardhi kërkoi ndërprerjen e mandatit për Elvis Roshin dhe Shkëlqim Selamin, ndërkohë sa i takon Dashamir Tahirit, argumentoi se “nuk mund t’i hiqet mandati për shkak se në Itali është bërë ekzekutimi i menjëhershëm i dënimit. Dhe vepra e tij penale është amnistuar në vitin 2006 nga shteti italian”. Ai tha se, sipas ligjit të dekriminalizimit, ai e ka shlyer dënimin deri në vitin 2014, dhe ndaj nuk ka asnjë pengesë për të ushtruar funksione publike.
Ndërsa, përfaqësuesi ligjor i PS, Genci Gjonçaj, tha se “kjo është vendimmarrja e parë”.
“Hipotetikisht mund të ketë raste të tjera. Unë besoj do ketë. Kjo vendimmarrje duhet të jetë serioze se do vendosë rregulla për të ardhmen”.
Në fjalën e tij, avokati i Roshit, Theodhori Sollaku se “detyra e KQZ është vetëm konstatimi”.
“Nuk është bërë hetim i thelluar. Dënimi në mungesë, pa fuqi. Është bërë 24 vite më parë. S’keni një vendim të konfirmuar”, tha ai.
/BW
KOHA JONË SONDAZH

