Nis kursimi, qeveria cakton ditët pa makina. Rama: E diela e parë e çdo muaji
Kryeministri Edi Rama, ka bërë me dije që nisur nga 3 prilli, e diela e parë e çdo muaji do të jetë pa makina në qytetet kryesore të çdo qarku. ”Nëse s’e fikim dot automjetin gjatë gjithë kohës, të paktën ta bëjmë ditëve të pushimit dhe të përdorim biçikletën a ecjen në këmbë. Fillojmë mënjëherë në koordinim me bashkitë këtë plan kombëtar për kursim, për mjedisin dhe për shëndetin e të gjithëve”,-shkruan Rama në facebook.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se kriza energjetike po ndihet pa dallim, ndërkohë që ngjarjet e fundit kanë vënë në vështirësi ekonomitë globale. ”Kriza e karburanteve kërkon mirëkuptimin tonë që të reduktojmë lëvizjen me automjete sa më shumë që kemi mundësi. Nëse s’e fikim dot automjetin gjatë gjithë kohës, të paktën ta bëjmë ditëve të pushimit”.
Po ashtu ministrja solli në vëmendje edhe angazhimet e Shqipërisë në Konferencën e Klimës në Glasgou në muajin nëntor për uljen e ndjeshme të emetimeve deri në vitin 2030 dhe për të arritur nivelin neto zero të emertimeve në vitin 2050.
”Janë angazhime konkrete që përmirësojnë jetën tonë këtu, për t’u lënë fëmijëve një qytet më të pastër, një mjedis prej të cilit mos të na vijë turp që nuk arritëm t’ua lëmë trashëgim më të mirë nga ç’e gjetëm ne”.