Nis me Francën Javët Ndërkombëtare të Kulturës, Rama: Fillimi i një hapësire ndërveprimi e dialogu
Me Francën nis cikli i parë i Javëve Ndërkombëtare të Kulturës në vendin tonë në sheshin ”Skënderbej”. Një nismë kjo e qeverisë e cila do të krijojë hapësira të reja njohje dhe komunikimi me vendet e me kulturat e tjera, e natyrisht do të rrisë konsiderueshëm kalendarin e aktiviteteve kulturore dhe argëtuese në vend. Kryeministri Edi Rama vuri theksin tek nevoja për krijimin e urave të njohjes e eksperiencave të ndryshme.
”Krijimi i sa më shumë urave të njohjes, të eksperiencave nga më të ndryshme, i sa më shumë urave të bashkëpunimit. Qëllimi nuk është të konsumojmë aktivitet që fillojnë dhe mbarojnë, por të krijojmë shanse për krijuesit tanë, për njerëzit tanë në të gjithë fushat që prek ky program.
Hap pas hapi do të fillojë të ndizet edhe zjarri i konkurencës mes vetë përfaqësive këtu, ambasadoreve e ambasadorëve për të bërë sa më shumë prezent vendin e tyre e për të sjellë sa më shumë larmi në kulturën e çdo vendi. I siguroj të gjithë se ky është fillimi i një aventure të re kulturore, i një hapësire të re kulture ndërveprimi e dialogu edhe një numri gjithnjë e më të madh urash ndërveprimi.
Franca është ajo që e hap këtë program, një koincidencë e bukur është se sot ne të gjithë të jemi këtu me rikonfirmimin e presidentit Emmanuel Macron, i cili është një prej shtyllave mbajtëse të BE-së. Jemi të gëzuar, pasi është një garanci edhe për perspektivën eurpiane të Rajonit përfshirë dhe Shqipërinë”.