Nishani: 65 vjet marrëdhënie diplomatike, ndjenjë e fortë miqësie me Kinën
Me këto fjalë e ka nisur Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mesazhin e tij drejtuar Presidentit të Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping me rastin e 65-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës.
Duke shtuar se Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që ka pasur dëshirën dhe vullnetin për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën.
“Marrëdhëniet tradicionale, ndihma e vazhdueshme e popullit kinez për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, si dhe eksperiencat e shumëfishta të bashkëpunimit, të krijuara mes dy vendeve tona përgjatë këtyre viteve, e kanë bërë edhe më të fortë ndjenjën e miqësisë mes dy popujve tanë”, shton ai.
Duke përfunduar se sot dy vendet tona, Republika e Shqipërisë dhe Republika Popullore e Kinës, ruajnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe kanë një nivel shumë intensiv bashkëpunimi, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
“Dinamika e këtij bashkëpunimi në dy dekadat e fundit ka njohur një marrëdhënie të re cilësore, marrëdhënie që reflekton jo vetëm zhvillimet pozitive në të dy vendet tona, por krijon hapësira edhe më të mëdha për forcimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi. Ju siguroj se, Republika e Shqipërisë i kushton një rëndësi shumë të madhe e të veçantë, forcimit të bashkëpunimit me Republikën Popullore të Kinës dhe ka vullnetin për t’i konkretizuar këto marrëdhënie miqësore e tradicionale në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
I nderuari Zoti President, kam kënaqësinë gjithashtu që, në këtë përvjetor të marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës të përshëndes zhvillimet e mëdha e të vrullshme të vendit Tuaj, si dhe rolin gjithnjë e më aktiv që vendi juaj ka marrë në arenën dhe organizatat ndërkombëtare në përballimin e sfidave globale”, përfundon Nishani.
KOHA JONË SONDAZH

