Nishani: Britanikët kanë luajtur rol të madh në Shqipëri
“Vizita ime vjen pas një tjetër ngjarjeje historike: Shkëmbimit të Lirive Civile mes qytetit të Londrës dhe atij të Tiranës në Shtëpinë Mansion vitin që shkoi për të për festuar 101-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë”, tha në fjalën e tij Nishani, gjatë këtij eventi mjaft të rëndësishëm. Duke shtuar se ai është “President i një vendi krenar dhe të lashtë, të vogël në përmasa dhe në famë, një vendi për të cilin 25 vite më parë jo shumë vetë kishin dëgjuar për të, dhe shumë më pak njerëz e kishin vizituar”. “Ata pak njerëz, të cilët kishin pasur mundësinë ta vizitonin Shqipërinë para sundimit komunist, ishin udhëtarë, historinë, studiues dhe shkrimtarë britanikë, siç ndodh kudo në botë. Ne ishim një lloj aq i veçantë në Evropë saqë vetëm disa shkrimtarë dhe poetë si Lordi Bajron, Eduard Lear, Benjamin Disraeli, Edith Durham dhe disa artistë të tjerë, shumica e të cilëve qëlluan britanikë nga gjaku dhe virtytet, ia dolën mbanë që të vizitonin dhe të linin pas shkrimet dhe përshtypjet e tyre për Tokën e Shqipeve, për kulturën dhe traditat tona”, citoi gjithashtu ai. Duke përfunduar se
britanikët kanë luajtur një rol të madh në Shqipëri. “Mbreti Zog i Shqipërisë, arkitekti i monarkisë shqiptare, u përpoq të adoptonte një administratë britanike dhe të ndërtonte një monarki dhe shtet të ngjashëm me modelin tuaj të sprovuar.
Ishte në Londër dhe Bakingamshajr ku Mbreti Zog kaloi një pjesë të ekzilit të tij gjatë kohës së luftës. Në vitin 1990, kur ra Perdja e Hekurt që ndante bllokun lindor nga Evropa, Shqipëria ishte e fundit që fitoi lirinë. Pikërisht në atë kohë, ish-Kryeministrja e ndjerë Baronesha Theçer dhe disa anëtarë të nderuar të Dhomës së Ulët, u përfshinë drejtpërdrejt në shpëtimin e Shqipërisë prej regjimit komunist dhe bënë të mundur që ne t’i bashkëngjiteshim botës perëndimore.
Në saje tuajën, Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve tanë tradicionalë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët në Kosovë u shpëtuan nga gjenocidi më i keq i kohëve moderne pas Holokaustit. Shqipëria, sërish falë mbështetjes dhe partneritetit është anëtare me të drejta të plota e aleancës më të rëndësishme në botë, e NATO-s. Kompani të mëdha britanike si Vodafone, Glaxo Smith Kline, janë shumë të suksesshme në tregun shqiptar. Ne shpresojmë se suksesi i tyre do të inkurajojë investitorë dhe kompani të tjera britanike nga të gjithë sektorët për të eksploruar mundësitë e reja të ofruara nga tregu shqiptar siç ka njoftuar edhe kohët e fundit British Petrolium”, konkludoi Nishani.
KOHA JONË SONDAZH

