Nishani dekoron Sulejman Delvinën: Ishte themelues e drejtues i shtetit shqiptar
Politikë E Premte, 14 Nëntor 2014 21:36
Në ceremoninë e mbajtur në Pallatin e Kulturës së qytetit Presidenti tha se qytete si Delvina u goditën brutalisht në periudhën e komunizmit për shkak se iu kundërvunë atij regjimi. “Delvina, Libohova, Leskoviku e shumë të tjerë
ishin ato qytete të vogla të Shqipërisë që i dhanë aq shumë pavarësisë dhe zhvillimit të vendit dhe për fat të keq u harruan dhe u braktisën në vetmi. Shkaku ishte se ato u bënë deri në fund të Luftës së Dytë Botërore bastione
të fuqishme të patriotizmit shqiptar dhe që iu kundërvunë hapur komunizmit. Pasoja e kësaj ishte denigrimi brutal që ato pësuan deri në ardhjen e pluralizmit”, tha Presidenti.
Duke folur për vlerat e këtij qyteti Nishani përmendi disa nga figurat e shquara që vijnë nga Delvina. “më i bujshmi i origjinës delvinjote ishte në vitet 60-të Panajot Pano, futbollisti më i shquar i kampionateve shqiptare të shekulli të XX. Legjenda me emrin Panajot Pano është ajo e sulmuesit më të lavdishëm të kombëtares sonë të futbollit. Po në vitet ‘60-70-të binte në sy në librarit tona në të gjithë Shqipërinë emri i një shkrimtari të ri nga Delvina, ish-partizan pioner në Luftën Antifashiste. Ai quhej Sabri Godo, autor i romaneve
madhështore “Ali Pashë Tepelena” dhe “Skënderbeu”, themeluesi real i letërsisë historike shqipe dhe krijuesi më i ndritur i kësaj gjinie arti”.