Nishani: Mazhoranca të distancohet publikisht nga Enveri
Do ta filloja me atmosferën festive, si i keni përjetuar ju si President i Republikës aktivitetet përkujtimore për 70-vjetorin që janë mbajtur në mbarë vendin, ka pasur kritika dhe kundërshti sidomos për daljen në skenë të Enver Hoxhës?
Çështja kryesore për të cilën të gjithë ne duhet të ndihemi krenarë dhe duhet të ndjejmë respekt ka të bëjë me faktin e angazhimit dhe rreshtimit të Shqipërisë në anën e aleatëve antifashistë. Ka qenë një reagim i menjëhershëm që në ditët e para të pushtimit fashist të Shqipërisë. Shqiptarët e kanë në traditën historike që kurrë nuk i janë nënshtruar pushtimit. Çështja e Luftës Antifashiste është një pjesë e rëndësishme e historisë, më pas ka pasur për fat të keq një ideoligjizim të këtij angazhimi të shqiptarëve për efekte terësisht të marrjes së pushtetit nga ana e ish-komunistëve. Akoma më tej pas luftës, sakrificat e shqiptarëve qoftë të atyre nacionalistë apo komunistë jo vetëm nuk sollën në Shqipëri jetësimin e atyre idealeve për të cilën u ngritën shqiptarët, por u manipulua, ideoligjizua dhe u shfrytëzua për të kamufluar një nga diktaturat më të egra. Të gjithë ata që sakrifikuan në Luftën Antifashiste për të luftuar okupatorin dhe nuk ju nënshtruan ideologjisë fashiste dhe naziste meritojnë gjithmonë respektin dhe nderimin e shqiptarëve.
Debati qëndron në figurën e Enver Hoxhës. Ka një pjesë që e mbron rolin e tij gjatë luftës por më pas mendojnë se duhet parë vetëm periudha diktatoriale. Në një lloj mënyrë dy Enver Hoxha, ju si e mendoni si vlerësim?
Nuk mendoj se ka dy Enver Hoxha. Ka një dhe vetëm një. Përmbajtja , portreti dhe memoria e një diktatori çnjerëzor veprimtaria e të cilit gjatë luftës duhet parë me realizëm. Edhe vetë ideologjia komuniste e ka pranuar se Shqipëria ka pasur një luftë guerile që është transformuar më pas. Nuk ka asnjë fakt shkencor që të ketë provuar se ka pasur një organizim të mirëfilltë.
Si President i Republikës kur keni parë dhe deputetë të mazhorancës që me shallin e kuq të veteranëve janë paraqitur, apo Ministra që janë përkulur para Enver Hoxhës si e keni pritur?
Ne jemi të orientuar kah Perëndimit. Nuk ka asnjë shembull të tillë ndër këto vende të modelit sovjet, nëse këto reminishenca kanë mbetur në Shqipëri janë anormale, por janë dhe provokative në raste të caktuara. Veçanërisht shfaqja e fotos së diktatorit është provokim.
A mban përgjegjësi mazhoranca e sotme për këtë që ju po e quani provokim?
Nuk dua të bëj gjykatësin e mazhorancës në aspektin politik, por më së shumti si qytetar i vendit dhe politikan pse jo do kërkoja që mazhoranca të deklaronte publikisht distancimin nga figura e diktatorit dhe të dënonte ashpërsisht krimet e bëra nga diktatura ku dikatori padiskutim ka pasur rolin kryesor.Çdo tentativë për ta minimizuar, për ta pudrosur apo orientuar në kanale të tjera egërsinë e diktaturës, pasoja që në shumë drejtime i vuajmë edhe sot është e papranueshme jo vetëm për mazhorancën, por edhe për të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë.