Nishani: Opozita në pushtet, por e pamjaftueshme nëse ndryshojnë veç emrat
Ish-Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, deklaron se vendit i duhet më shumë sesa një rrotacion pushteti. “Në çdo moment që do të ndodhin zgjedhjet nëse nuk kryejmë një proces dhe nuk ndodh një proces që jo thjesht sjell rrotacionin e disa emrave, një force politike apo disa forcave politike në zyrat e shtetit apo anasjelltas por ne duhet të krijojmë një impakt krejt tjetër në shoqëri. Nëse nuk arrijmë të ngjallim një impakt në shoqëri dhe pas procesit të ndryshimit të pushtetit nuk do të kemi në rrugën e duhur. Shpëtimi i shoqërisë do të jetë krijimi i një impakti të madh për të besuar që po niset një rrugëtim i ri. Kjo nuk është çështje vetëm emrash, është një filozi dhe kulturë e tërë politike”.
Në një intervistë për Rtv Ora, Nishani është i bindur se opozita do të vijë në pushtet kurdo që të kemi zgjedhje. “Sa më shpejt të ndodhë ky proces aq më mirë është për vendin dhe largimi nga pushteti nuk është fundi i botës për asnjë forcë politike, ardhja në pushtet është një përgjegjësi e madhe për atë që vjen në pushtet, merr përsipër fatet e vendit. Në çdo moment që do të bëheshin zgjedhjet, sot, pas një muaji, pas një viti, dukshëm të gjitha sondazhet, ndjeshmëritë tregojnë për një ndryshim, rrotacion të pushtetit.Opozita do të vijë në pushtet. Sa më parë të ndodhë aq më mirë është por kjo ardhje në pushtet nuk do të jetë e mjaftueshme dhe e vlefshme nëse do të na sjellë thjesht ndryshimin e emrave. Nëse nuk sjellim një kulturë të re politike, model të ri të sjelljes që nga komunikimi, ndërtimi i institucioneve, si sillet shteti me qytetarin, si garantohen të drejtat dhe liritë, si përceptohet përgjegjësia personle në raport me atë që bën apo nuk bën do të mbetemi peng të një situatë po të tillë por me emra të ndryshëm dhe fytyra të tjera”.
I pyetur nëse ndërkombëtarët po marrin oksigjen nga opozita dhe po ja japin qeverisë, ai ka këtë përgjigje: “Për ne miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë mbeten një faktor i pazëvendësueshëm. Thelbi i kësaj çështje nuk janë ndërkombëtarët por shqiptarët. Asnjë prej të huajve nuk mund ta njohë Shqipërinë e shqiptarëve më mirë se secili prej nesh. Dhe askush prej të huajve nuk mund të dojë Shqipërinë dhe shqiptarët sesa çe duam ne vendin tonë, veten dhe familjen tonë. Nëse marrim përgjegjësinë e fatit tonë gjërat do të shkojnë shumë më mirë:.
Në fund edhe një koment për reformën në drejtësi. Ish-presidenti nuk nxitohet për ta cilësuar një proces të dështuar por risku është ui madh. “Do të ishte e parakohshme të thoja që ka dështuar. Procesi ishte i mbështetur dhe me pritshmëri të larta. Sot tre vite nga nisja e procesit ky proces është minuar në vijimësi. Vettingu përtej faktit që ka funksionuar, është përdorur nga mazhoranca politike për të implementuar standarde të dyfishta. Pavarësisht se janë larguar gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar nga ana tjetër janë kualifikuar dhe ngritur në institucione të rëndësishme brenda sistemit të drejtësisë gjyqtarë dhe prokurorë shumë më të korruptuar se ata që janë nxjerrë jashtë sistemit. Së dyti mekanizmat e reja që do të ndërtojnë drejtësinë e re janë të gjitha të vendosura nën drejtimin e individëve me lidhje të forta politike dhe nepotike brenda një force politike, brenda mazhorancës. Nëse nuk do të dekurajojmë dhe penalizojmë çdo minim që i është bërë reformës në drejtësi nuk do të kemi sistem drejtësie funksional, por një sistem që do të na çojë përsëri drejt dështimit”.